Mesfushori i Real Madridit, Mesut Ozil është shumë i lumtur që skuadra e tij iu gëzua titullit të kampionit në Primera Division.
“Kemi fituar gjatë tërë ditës me tifozët. Edhe ne edhe ata e kemi merituar këtë festë. Në këtë edicion dëshmuam se jemi skuadra më e mirë në Spanjë”, ka theksuar Ozil. Mesfushori gjerman me origjinë turke ka thënë se meritat për këtë sukses i takojnë trajnerit, Zhoze Murinjo.
“Ai vërtetë është ‘i veçantë. Nuk kam fjalë për ta përshkruar, thjesht bëhet fjalë për trajnerin më të mirë në botë. Ne kemi fat që drejtohemi nga një trajner si ai”, ka shtuar Ozil. Krejt në fund ai ka folur edhe për finalen e 19 majit në Ligën e Kampionëve, në të cilën do të luajnë Bajerni dhe Çelsi.
“Në finale do të jem tifoz i Bajernit. Triumfi në Primera Division na bëri që ta harrojmë eliminimin në Ligën e Kampionëve, megjithëse zhgënjimin do ta ndjejmë më tepër kur të luhet finalja. Sidoqoftë, ne besojmë se do të kemi edhe një mundësi tjetër për të arritur sukses në edicionin e ardhshëm”, ka shtuar Ozil.

SHPËRNDAJE