Hapja e rrugëve dhe e komunikimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, janë shumë më të rëndësishme, sesa njohja formale që do t’ia bëjë një ditë Serbia, Kosovës. Kështu ka thënë sot ish presidenti kroat, Stijepan Mesic, gjatë një vizite në Tetovë.

“Kur do të bëhet njohja formale, do të jetë më pak e rëndësishme, se sa hapja e tanishme e qarkullimit të hekurudhave, komunikimit midis njerëzve dhe hapjes së bizneseve. Kur u nda Gjermania, në Lindore dhe Perëndimore, ajo u deklarua se asnjëherë nuk do ta pranoj Lindoren , por kohërat ndryshuan”, ka deklaruar Mesic.

Ai ka thënë se Serbia nuk është patjetër që tani ta pranoj Kosovën, por duhet të lejoj që rajoni të bashkëpunoj me Kosovën. Duke folur për veriun e Mitrovicës, ai ka thënë se asnjëherë nuk do të ndryshojnë kufijtë ekzistues.

“Sa i përket Mitrovicës, nuk do të ketë ndryshim kufijsh. Dikush këtë nuk e kupton, disa mendojnë se mund te vij deri tek ndryshimi i kufijve, por kufijtë janë vendosur dhe ne tani duhet punojmë për t’i hapur kufijtë në Evropë, e jo t’i ndryshojmë”, ka deklarua Mesic.

SHPËRNDAJE