Në ceremoninë e nderimit me titullin “Qytetar nderi” i Shëngjinit, ish presidenti kroat Stipe Mesiç u shpreh se sllavët e jugut erdhën në Shekullin VII në Evropën Juglindore, ndërsa shqiptarët erdhën në Evropë përpara romanëve.

Ish presidenti kroat u nderua me këtë titull për kontributin e përbashkët në shërbim të paqes dhe miqësisë në rajon nga komuna e Shëngjinit.
Titullin “Qytetar nderi” ua dorëzoi Kryetari i Komunës së Shëngjinit, Salvador Kaçaj tre prej ish presidentëve të rajonit, të vlerësuar nga ai “si arkitektë të ndryshimeve në Rajon”: ish Presidentit e Kroacisë, Stipe Mesiç, ish Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe ish Presidentin e Shqipërisë, Alfred Moisiun.

Ish Presidenti i Kroacisë, Mesiç, vlerësoi dhënien e titullit “Qytetar Nderi” si dëshmi e përpjekjeve të përbashkëta për të mirën e popujve të Rajonit. Ne, tha ai, nuk kemi kërkuar gjë tjetër, përveçse që shqiptarët të gëzojnë të drejtat e tyre, ashtu si të gjithë popujt e tjerë të Rajonit.
Besoj, tha ish Presidenti i Kroacisë, se një padrejtësi që i ishte bërë shqiptarëve tashmë është korrigjuar me çlirimin e Kosovës. Tani, shtoi ai, është koha që bashkërisht të punojmë për përmbushjen e një aspirate tjetër, atë të hyrjes së bashku në Bashkimin Europian.
Ish Presidenti Mesiç tha se tashmë në Rajon nuk ka më luftra, ndaj duhen hapur edhe kufijtë për t’u dhënë të rinjve vullnetin për të punuar së bashku për integrimin në BE.

Serbia nuk është e detyruar të njohë Kosovën nëse nuk e dëshiron dicka të tillë, me rëndësi është të vendoset bashkëpunimi Serbi-Kosovë dhe më gjerë në rajon. Kështu është shprehur ish presidenti i Kroacise, Stipe Mesiç. Sipas tij Kosova është realitet dhe kjo smund të ndryshohet, ndaj duhet të bashkëpunojmë me Kosovën.

“Kur Ballkani do jetë pjesë e BE atëherë mund të themi që BE ka bërë një punë të madhe. Në rast se Serbia nuk dëshiron të pranojë Kosovën nuk ka nevojë ta pranojë, nuk do ndodhë asgjë, ajo cfarë duhet të sigurohet është bashkëpunimi rajonal. Kosova është realitet dhe është në rajon. Duhet të punojmë për hapjen e gjithë kufinjve në rajon, interesi jonë i përbashkët është integrimi në BE. Kjo marrëveshje dhe ky hap do të shuajë dhe luftrat në rajon, duke bërë të mundur të jetuarit në paqe” tha ai.
Këto deklarata Mesiç i bëri gjatë një konferencë për shtyp me ministrin e Jashtëm Edmond Panariti me të cilin pati një takim më herët.
Lidhur më këtë takim ish-Presidenti i Kroacisë shprehu interesimin për vazhdim të bashkëpunimit Shqipëri-Kroaci, si dhe u shpreh optimist se Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat në BE.
Nga ana tjetër Ministri i Jashtëm Panariti e vlerësoi si të frytshëm takimin dhe shprehu bindjen për forcim të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Diskutuam për zhvillimet në rajon, bashkëpunimin bilateral Shqipëri-Kroaci, krijimin e hapësirave për livëzje të lirë dhe krijimin e tregjeve rajonale. Diskutuam për situatën në rajon, atë në Serbi dhe Kosovë. Ndamë idenë se Kosova është realitet i pakthyeshëm dhe krijimi i një klime bashkëpunimi mes Kosovës dhe rajonit por dhe Kosovë dhe Serbisë do t’i shërbejë integrimit në BE të gjithë rajonit të Ballkanit”u shpreh Panariti.

SHPËRNDAJE