Lionel Mesi përjetësisht te Barcelona! Ky është qëllimi i drejtuesve katalanas, të cilët në këtë sezon kanë si obvjektiv rinovimin e kontratës me yllin argjentinas, e cila skadon në vitin 2016, pra pas 4 vitesh.

Duket dicka e nxituar, pasi palët janë ende nën kontratë për një kohë të gjatë, por kur bëhet fjalë për lojtarin më të mirë në botë, asgjë nuk mund të jetë e pazakontë. Ende nuk është caktuar një datë fiks, që palët të ulen në tryezë, megjithatë gjithcka do të ndodhë brenda sezonit, që do të nisë pas disa ditësh.

Rinovimi i fundit i kontratës së Lionel Mesit ka ndodhur në 2009, nën presidencën e Joan Laportës dhe pikërisht në këtë kontratë ekziston një klauzolë që argjentinasi mund të largohet nëse për kartonin e tij paguajnë 250 milionë euro. Një shifër marramendase që skush nuk do të kishte mundësi ta shpenzonte për blerjen e një një futbollisti, sado i famshëm të jetë ai.

Mirëpo në këto tri vite kanë ndryshuar shumë gjëra. Mesi ka fituar tri herë rresht Topin e Artë, dhe konsiderohet futbollisti më i mirë në qarkullim, ndërsa për disa analistë të futbollit më i miri i të gjitha kohërave. Është shndërruar në minierë ari për klubin katalanas, duke rritur të ardhurat ekonomike nëpërmjet reklamave, të drejtave televizive dhe shitjes së biletave. Për këto arsye, por edhe për shkak të rritjes së taksave, sidomos në Katalunjë, ku arrijnë shifrën 56%, duhet të ndryshojnë termat ekonomike të kontratës, ndonëse vetë lojtari nuk është ankuar kurrë për rrogën.

Mes Barcelonës dhe Lionel Mesit ekziston një lidhje e ngushtë, e cila me sa duket do të qëndrojë e tillë deri në fund të karrierës së 25-vjecarit, aq më tepër që presidenti Sandro Rosell mban marrëdhënie të afërta edhe më familjarët e Mesit, kryesisht me babain e tij, Horge.

Bisedimet formale kanë nisur prej kohësh dhe nuk ekziston asnjë ngërc për ta vënë në diskutim marrëveshjen. Barcelona dhe Mesi thjesht duhet të caktojnë një datë në kalendar, për të zyrtarizuar lidhjen e përjetshme.

SHPËRNDAJE