Sulmuesi nuk shënoi dot asnjë gol në barazimin 2-2 të Barcelonës në fushën e Betisit

Lionel Mesi nuk e shkrepi dot në ndeshjen e fundit të Primerës në këtë sezon. Argjentinasi i shkëlqyer u hodh në fushë nga Pep Guardiola, që kishte takimin e fundit si trajner i Barçës në ligën spanjolle, por superylli nuk shënoi dot.

Barcelona u ndal në një barazim shumë të vështirë 2-2 në fushën e Betisit, në Sevilje, duke u ndodhur në prag të humbjes. Ish-kampionët shënuan që në minutën e 9-të me anë të Sergi Busketsit, por më pas gradualisht e ulën ritmin.

Në nisje të pjesës së dytë Barça mbeti me 10 lojtarë pasi Dani Alvesh u përjashtua nga loja me karton të kuq dhe Betisi e shfrytëzoi plotësisht momentin. Ruben Kastro ishte autor i dy golave që erdhën njëri pas tjetrit, në minutat 71 e 74, duke sjellë entuziazëm të madh në stadium dhe duke i dhënë shpresë seviljanëve për një fitore ndaj katalanasve të mëdhenj.

Veçse, orteku i minutave të fundit i miqve, pavarësisht nga baruti i lagur i Mesit, solli golin e barazimit. Autor ishte mesfushori afrikan Sejdu Keita, ndoshta një nga lojtarët që pritej më pak.

Barça e mbylli kampionatin me 91 pikë, ndërsa Mesi me 50 gola. Po mbrënë, në Spanjë, u luajt ndeshja Sociedad-Valencia 2ë përfundoi 1-0 për vendasit, ndërsa sonte, në orën 20:00, luhen takimet e tjerë të javës së fundit. Radhën e ka Reali i Madridit që të arrijë shifrën rekord të 100 pikëve dhe Kristiano Ronaldo që të sulmojë Mesin nga kuota e 46 golave të shënuar deri tani.

SHPËRNDAJE