Nga Milazim KRASNIQI

Kur i lexon shumicën e opinioneve të lexuesve në versionet onlajn të gazetave ditore ose të agencive, gjëja e parë që të sëmbon në zemër është urrejtja që shpërthen në çdo fjalë, në çdo frazë. Është një urrejtje që shpërthen si gaz i nëndheshëm, i cili të zë frymën.

Fyerjet, shpifjet, akuzat dhe mallkimet që shpalosen në këtë formë komunikimi, janë nga më të shmëtuarat që mund të imagjinohen. Thjesht, është e zorshme ta imagjinosh se çfarë mendjesh të çoroditura janë ato që prodhojnë gjithë atë urrejtje, gjithë atë antivlerë në komunikim. Meqë janë të fshehur pas anonimatit, është e vështirë të identifikohen këta “autorë” dhe motivet që i shtyjnë të prodhojnë këtë bërllog medial, të paketuar gjoja si opinion. Por, produkti i tyre, bërllogu, e zbulon gjendjen alarmante morale dhe kulturoretë tyre, si pasojë e tjetërsimit.

Si u aktivizua skema ideologjike e  pushtuesit

Këta autorë të tjetërsuar nga identiteti i tyre, qoftë kulturor, qoftë, qoftë fetar, qoftë kombëtar, janë të infektuar nga paaftësia që të dallojnë të mirën nga e keqja dhe të vërtetën nga e pavërteta. Pikërisht, përzierja e këtyre gjërave që kurrsesi nuk mund të përzihen, as të kombinohen e aq më pak ta zëvendësojnë njëra-tjetrën, paraqet thelbin e të menduarit perversë të këtyre pseudoopinionistëve të tjetërsuar.

Këta shfaqen të paaftë ta ndajnë të vërtetën nga e pavërteta dhe të mirën nga e keqja, pasi që kanë ngelur pa kujtesë historike dhe kulturore. Ata nuk e dinë kush çfarë ka bërë për vendin në të kaluarën, kush çfarë vlerash ka krijuar, kush çfarë rezitence ka bërë dhe si është krijuar rryma dominuese e pavarësimit të vendit, e cila u mundëson atyre sot edhe komoditetin e shpërdorimit të lirisë së shprehjes.

Ata kujtojnë se liria dhe pavarësia e Kosovës ka ardhur ashtu kot, si një lojë djerraditëse në internet. Në fakt, ata janë si të droguar nga urrejtja për çdo gjë shqiptare. Për shkak të komplekseve e dobësive të ndryshme, ata e kanë marrë si dhuratë danajsh urrejtjen e pushuesit ndaj shqiptarëve dhe tash e mbajnë lart si flamur. Meqë pushtuesi serb për njëqind vjet, si një mjet sundimi, ka krijuar skemën  ideologjike dhe propagandistike, sipas të cilës shqiptarët janë primitivë, të paaftë që të bëjnë shtet, mercenarë, tradhtarë, hajna, të pamoralshëm, etj.,  kjo skemë tash ka kaluar në mendimet e këtyre farë pseudoopinionistëve të tjetërsuar dhe ata tash po e kryejnë punën e lënë përgjysmë të pushtuesit.

Ata po e kontaminojnë tash ambientin dhe jetën shqiptare me etiketa se si ne shqiptarët e Kosovës jemi primitivë, se si nuk dinë të bëjmë e të mbajmë shtet, se të gjithë drejtuesit janë tradhtarë dhe hajna dhe se si të gjithë ata që kontribuojnë në jetën shoqërore, janë të pamoralshëm. (Raste të veprimeve kriminale sigurihst që ka ka, por ato duhet si gjithkund në botën normale, të identifikohen me fakte e të individualizohet përgjegjësia, e jo të faturohen si faje të të gjithë elitës politike e të të gjithë shtetit.) Fatkeqësisht, në këto katër vitet e pavarësimit të Kosovës, virusi që ka lënë prapa pushtuesi serb, në kokat e  këtyre të tjetërsuarve, e ka rritur virulencën jashtë mase.

Është krijuar edhe një infrastrukturë jomodeste mediale, e cila e pompon këtë perversitet defetist. Është krijuar edhe një grupim jo i vogël kuazianalistësh e kuaziintelektualësh,, që e nxitë këtë perversitet të gjoja lexuesve, ndërsa në fakt janë grupie të organizuara për të krijuar çoroditje e lçrregullime.  Tash ata janë bashkuar e po konsolidohen në kauzën e tyre të vazhdimit të poshtërimit të çdo vlere që mbart në vete identitet shqiptar, duke përfshirë edhe kontestimin e aftësive  për të ndërtuar shtet e për të krijuar vlera kulturore e shoqërore autentike, shqiptare.

Gjuha e urrejtjes ndaj çdo caku

Prandaj, cak i kësaj urejtjeje janë pothuajse të gjithë pa dallim: politikanët, intelektualët, biznesmenët, diplomatët, administratorët, sportistët, drejtuesit fetarë, me një fjalë kushdo që nuk është pjesë e të menduarti perversë, sipas të cilit shqiptarët janë të paaftë për të pa krijuar e mbartë vlera. Kam identifikuar fyerje nga më morbidet, për shumë personalitete të politikës, të kulturës, të jetës sociale e ekonomike, pa punën e të cilëve ky vend do të ishte një tokë e shkretë, po të huazojmë titullin e një poeme të famshme të Eliotit. Këtu po i citoj vetëm disa, sa për ilustrim, sigurisht jo më të egrat që janë të përhapura si virusë gjithandej medieve on lajn:

„RESPEKTI PER KETE KRYE TRADHTAR ESHTE AQ I MADH SA QE KA ARRIT KULMIN, ME SHUM DO TE KISHA RESPEKT PER NJE SERBE“
( Opinion për Ibrahim Rugovën)

– “Nuk eshte efasi kjo qe ldk sulmon PDK e Qosjen,pse menduat se do ta sulmojne Tadiqin a Jeremiqin apo SPS te cileve kreret e ldk iu kane sherbier me vite e ju sherbejne edhe sot.”

“Po qfare akademiku eshte Rexhep Qosja kure asnjihere nuk miret me problemet qe i ka kjo Kosove”,
„BACA  ADEM BONU TRIM TREGOJ MILETIT  SE SI   KE INTERVENU PER LIRIMIN E NJI USHTARI  SERB…“
„Ma faqezi se ti Hashim nuk gjenë në Kosovë,jo për faktin se je i zi(zeshkan) por për gënjeshtrat dhe premtimet e tua që ke bër gjatë fushatës je vetëfundosë“

“fort kemi me ja pa sherrin Isa Mutafes.Ky nji agjent UDB-ashi dhe klysh i kumrovcit esht i pregaditur ne kuzhinat serbosllave qe ne momentet me kritike te veproj ne dem te kombit dhe ne dobi te armikut.”

„Qeveria e Kosoves i konsideron serbt si qytetar te klasit te pare kurse shqiptart si qytetar te klasit te dyte.“
„Nema bre bez Plazma Keks….(Proizvodi Serbia)( Nuk ka bre, pa plazma keksa. I prodhon Serbia.)

Këso lloj shpifjesh e sulmesh perverse, ndaj personaliteteve të rëndësishme të vendit, nuk mund të kuptohen me logjikë normale. Shpifja është një veprim i ulët, të cilën Zoti e ka krahasuar me ngrënien e mishit të vëllait të vdekur! Ndërsa, këta personalitete dhe shumë të tjerë bashkë me ta, i kanë dhënë drejtimin ndërtimit të shtetit dhe të shoqërisë sonë. Krijimi i një shteti të pavarur, sikundër është Kosova, në një kontekst aq të ngatërruar e të pabarabartë forcash, sikundër është konteksti i marrëdhënieve shqiptaro-serbe, po edhe konteksti gjeopolitik ballkanik e europian, nuk ka qenë i mundur pa ekzistimin e personaliteteve dhe të elitave të fuqishme, të afta dhe të qëndrueshme në kauzën e tyre të krijimit dhe të ndërtimit të shtetit.

Mjafton të ndalemi vetëm një çast e të mendojmë se cili do të ishte fati i Kosovës, pa veprën dhe punën e disa personave që po i evokoj këtu shpejt e shpejt e pa ndonë radhitje vlerësuese: Halim Spahia, Selman Riza, Gjon Serreqi, Shaban Polluzha, Esad Mekuli, Adem Demaqi, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Jusuf  Gërvalla, Ukshin Hoti, Ilaz Ramajli, Anton Çetta, Hashim Thaçi, Bislim Zyrapi, Agim Çeku, Rexhep Boja, Nikë Prela, Fatmir Sejdiu, Idriz Ajeti, Ali Hadri, Muhamet Tërnava, Hasan Mekuli, Bajram Kosumi, Ali Lajçi, Latif Berisha, Bajram Rexhepi, Iljaz Kurteshi, Pajazit Nushi, Izedin Osmani, Sahadete Mekuli, Mehmet Begraca, Asllan Fazlija, Maksut Shehu, Sabri Novosella, Hafiz Gagica, Avni Klinaku, Kaqusha Jashari, Aziz Abrashi, Burhan Kavaja, Behxhet Pacolli, Hari Bajraktari, Behxhet Shala e shumë e shumë të tjerë.

Secili prej këtyre personaliteteve që u përmedën dhe qindra të tjerë, që nuk u përmenden, kanë dhënë kontribute të caktuara në fushat profesionale e politike dhe në kompaktësimin e identitetit kulturor, ekonomik, politik, fetar e kombëtar të Kosovës. Natyrisht, secilit prej tyre mund t’i gjenden edhe gabime, sepse së pari janë njerëz dhe kjo do të thotë se nuk janë të pagabueshëm dhe e dyta sepse veçmas ata që kanë vepruar në vend, kanë vepruar në kushtet e okupimit dhe të një sistemi gjakatar, ku nuk i kanë pasur hapësirat që të bëheshin “patriotë 24 karatësh”. Por, pa kontributet e gjithë atyre pjesëtarëve të elitave shqiptare, ky vend do të kishte një fat shumë më të errët.

Pse sulmohen më së shumti armiqtë e jugosllavizmit?

Por,  njollosësit perversë, veçmas në faqet e gazetave on lajn, nuk e kanë preokupim njohjen e të vërtetës dhe vlerësimin e drejtë të kontributeve e të vlerave. Ata e kanë mision  njollosjen e tyre. Ata nuk e kanë preokupim të kuptojnë, fjala vjen, se cili ka qenë ndikimi i sakrificës së Adem Demaqit për pengimin e infiltrimit të vlerave të jugosllavizmit në korpusin kulturor e kombëtar shqiptar. Ata nuk arrijnë të mendojnë se mbetja e tij për decenie në burgjet jugosllave, krijoi idenë se shqiptaët janë të pabarabartë dhe janë të huaj në atë shtet.

Kultivimi i këtij emocioni ndaj një intelektuali shqiptar të shumëvuajtur, pasatj krijoi tharmin e reagimit emocional nacionalist të demostratave të viteti 1981, ku emri i Adem Demaqit u bë simbol i kërkesave politike shqiptare. A qenka pak për një person, që me vuajtjen e vet, arriti të mobilizojë qindra mijëra të tjerë, që të rebelohen kundër sundimit të huaj e të kërkojnë lirinë dhe pavarësimin e vendit të vet të shkelur? Çfarë u dashka të bëjë tjetër një shkrimtar, që të meritojë nderimin e bashkëkombasve, përfshirë këtu edhe të të margjinalizuarve dhe të të frustruarve? A u dashka që në liri ai ta mbyll gojën, të mos shfaq asnjë mendim, të mos merr asnjë përgjegjësi, po të rrijë si një lule në saksi, për t’ua bërë ashtu qejfin nostalgjikëve jugosllavë, te të cilët janë të injektuara doza të larta të kompleksit të inferioritetit në raport me kulturën dhe politikën e ish pushtuesit? Po edhe nëse Demaçi jep ndonjë deklaratë që tingëllon si e dalë mode, dhe veçmas nëse angazhohet për liritë e serbëve, në shtetin e pavarur të Kosovës, kjo nuk i jep askujt të drejtë që ta fyejë, ta akuzojë, ta etiketojë, të ngre dyshime për të. Ai ka dhënë një aso prove atdhetarie, të cilën të gjithë pseudoopinionistët nuk mund ta bëjnë së bashku. E njëjta gjë vlen edhe për Ibrahim Rugovën e Rexhep Qosjen dhe intelektualë e politikanë të tjerë shqiptarë, që bën përpjekje intelektuale e politike të rezistonin e ta refuzonin ideologjinë e pushtuesin dhe praktikat e pushtimit.

Tani është lehtë të ngrihet kushdo e të thotë pse ata nuk bënë më shumë, por këto pyetje tashmë janë të pamoralshme, sepse ata që mund të bëjnë aso pyetjesh, do të duhej të jipnin përgjigjet e duhura në kohën e duhur. Unë jam i bindur dhe disa pompues të së keqes në komunikimin e sotëm publik në vendin tonë, nëse do të përgjigjeshin sinqerisht se ku kanë qenë në atë periudhë dhe çfarë kanë bërë, më së shumti është e besueshme që kanë qenë duke bërë ndonjë lloj tregëtie me pushtuesin, ose ata vetë ose prindërit e tyre. Bile, ka prej tyre që janë ankuar në atë kohë se po u prishej vëllazërim-bashkimi dhe ka që janë hidhëruar shumë që nuk janë lejuar të merrnin pjesë madje në zgjedhjet lokale serbe. Prandaj, shumë prej tyre sot janë të motivuar nga hakmarrja, në këtë revan të egër kundër shtetit tonë të ri. Dhe kanë gjetur edhe në faqet on lajn të medieve edhe një hapësirë shtesë për të nxirë sa më shumë vlerat e këtij vendi.

Hapja e dosjeve do të sqaronte gjithçka

Në shikim të parë urrejta e tyre duket e pakuptimtë dhe jo mjaft e motivuar. Pse?  Sepse shteti ynë nuk është ndërtuar nga një konflikt civil, i cili do të linte prapa vetes urrejtje, me të cilin do të ushqeheshin disa gjenerata. Në shtetin tonë nuk janë dënuar as pjesëtarët e ish regjimit komunist jugosllav, (politikanë, prokurorë, gjyqtarë, policë, nëpunës, biznesmen), të cilët kanë bërë krime ndaj bashkëkombasve të vet. Nuk është miratuar as edhe një rezolutë, e cila së paku verbalisht do t’i dënonte ato krime, e lëre më kriminelët.

Nga ana tjetër, shteti ynë është bërë nga një luftë çlirimtare, e cila e ka pasur konsensusin e shumicës absolute të elitave dhe të popullsisë. Poashtu, shteti ynë është ngritur mbi një vuajtje e tmerrshme të shumicës absolute të popullit tonë, vuajtje e cila u manifestua edhe me dëbimin nga vatrat të më shumë se gjysmës së popullsisë, me djegien e mbi 150. 000 shtëpive, me poshtërimin e civilëve  dhe me vrasjen e rreth 20.000 mijë njerëzve.  Prandaj, urrejtja e tashme e këtsaj zogorie kuazilexuesish e kuaziopinionistësh, e ka vetëm një adresë: virusin që ka lënë pushtuesi në mendësinë e të tjetërsuarve. Pushtuesi e ka injektuar te ata urrejtjen e vet, duke u injektuar idenë se janë të ulët, të pavlerë, të ndyrë, të mbrapshtë, të padobishëm e të pavlerë. Një pjesë e tyre, mbase duke qenë vetë me predispozita të tilla, tashmë këtë gjë bëjnë, shajnë e pështyjnë bashkëkombasit, ( veçmas intelektualët dhe drejtuesit) , duke e kyer një punë që u mbeti në gjysmë serbëve pushtues.

Meqë mesazhi i ish pushtuesit serb, sipas të cilit shqiptarët janë të paaftë për të bërë e mbajtur shtet dhe janë primitivë e tradhtarë, po vazhdon të prodhojë pështjellim e çoroditje në një pjesë të komunikimit on lajn, ( po jo vetëm aty), është e domosdoshme që shteti ynë sa më shpejt të gjejë mundësisë e hapjes së  dosjeve, në mënyrë që të shihet kush me kend ka qenë, kush çfarë ka bërë e kush janë pasardhësit e kujt. Edhe ata që kanë ardhur nga Tataristani, do të duhej të dihej se kanë ardhur prej andej. Dhe të gjithë të tjerët. Jo për t’i diferencuar, po për ta ditur se cili është motivi i vërtetë që e nxijnë me kaq pasion çdo gjë në këtë shtet e në këtë komb.

Ndërsa, mediet dhe agjencitë e lajmeve, deri sa të zbardhet e kaluara, do t’i bënin një shërbim të mirë këtij shteti e kësaj shoqërie nëse do të hiqnin atë mënyrë komunikimi banale e perverse, e cila po bën përpjekje të egra që të rrënojë çdo kontribut e çdo vlerë dhe po e krijon idenë se Kosova vërtet është një tokë e shkretë dhe pa të ardhme. Edhe ashtu gjuha e urrejtjes është e ndaluar në medie. Ndërsa, këto pashkvilla të ndyra botohen në medie dhe janë në dispozicion që të lexohen barabarësisht me tekstet e tjera të gazetarëve.

SHPËRNDAJE