Mesazh paqeje dhe dashurie për Krishtlindje

Prishtinë, 24 dhjetore – Në mesazhin e tij për Festën e Krishtlindjeve, ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës Dodë Gjergji ka ftuar besimtarët për më tepër paqe, dashuri dhe harmoni.

“Paqja që Zoti e këndon në zërin e Engjëjve dhe që vazhdon ta kumtojë kisha nëpërmjet thënies së saj paqja me ju, mungon akoma ndër ne. Këndej mbetet për ta dëshiruar dhe nevojitet përpjekje e mëtejmë e të gjithëve për të arritur, vëllezër e motra fort të dashur nën dritën e kësaj dashurie dhe kësaj të vërtete mund të zbulojmë se populli shqiptar ka pasur vuajtje të shumta në të kaluarën, e ne kemi ditur të mbijetojmë, ka përjetuar luftëra dhe përsëri kemi ditur të mbijetojmë ne mjerisht në vuajtjet më të mëdha kemi ditur të gjendemi dhe kemi ditur të sillemi, por tani do të mësojmë të sillemi dhe të jetojmë në paqe dhe dashuri”, ka thënë ai.

Me rastin e Festës së Krishtlindjeve, ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës Dodë Gjergji, ka pritur të shtunën mbrëma në rezidencën Ipeshkvore një numër të madh të personaliteteve fetare, diplomatike, shoqërore, kulturore që veprojnë në Kosovë me ç`rast ka përcjellë mesazhin e kësaj feste, duke u lutur për më shumë dashuri dhe respekt të ndërsjellë ndërmjet njerëzve.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kreu i bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava i cili ka përgëzuar besimtarët e krishterë me rastin e Krishtlindjeve, duke thënë se respekti i ndërsjellë ndërmjet besimeve fetare është virtyti më i madh që ka populli shqiptar. (K.D.)


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni