Merr premtime të fuqishme për njohje të reja

Gjatë vizitës zyrtare në Katar, shefi i diplomacisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, është pritur nga ministri i Shtetit për Punë të Jashtme të këtij vendi, Khalid Bin Mohammad Al Atijah, me të cilin kanë biseduar për një koordinim për të rritur numrin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

http://www.botasot.info/img/katar121011.jpegAl Atijah ka bërë të ditur se Emiri i Katarit ka kërkuar nga dy presidentë të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.

“Ne çdo ditë do të shtrijmë ndikimin tonë tek shtetet që ende nuk e kanë marrë një vendim të tillë. Me ministrin Hoxhaj u morëm vesh që shumë shpejt të përpilojmë një plan të veprimit të përbashkët dhe besoj se shumë shpejt Kosovën do ta njohin edhe shtete tjera”, ka thënë ai.

Al Atijah me këtë rast shprehu interesimin për mundësitë e investimeve të fuqishme të Katarit në Kosovë.

Në anën tjetër, ministri Hoxhaj ka falënderuar Katarin për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës. Ai ka theksuar se Katari është duke ndihmuar fuqishëm Kosovën edhe te disa shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e shtetit tonë.

“Ne do të përpilojmë një agjendë të përbashkët. Do të ketë një koordinim shumë të mirë mes Kosovës dhe Katarit për të rritur numrin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Ju e dini se Katari ka ndikim të madh përtej vendeve arabe dhe myslimane”, ka thënë Hoxhaj.

Ai, po ashtu, ka shprehur përkushtimin e Republikës së Kosovës që miqësinë dhe bashkëpunim me shtetin e Katarit ta thellojë edhe më shumë përmes projekteve konkrete ekonomike.

“Shumë shpejt mund të presim investime nga shteti i Katarit në projekte të ndryshme ekonomik, që pa dyshim do të rrisin zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni