“The Guardian” Shkruan: Timoti Garton Esh, historian në Oksford

Në vitin 1953, novelisti Tomas Men i bëri thirrje një audience studentësh në Hamburg të luftojnë “jo për një Evropë të gjermanizuar, por për një Gjermani evropiane”. Kjo thirrje u përsërit pa fund në kohën e bashkimit të Gjermanisë.

Por, sot kemi një variant që e kishin parashikuar disa: një Gjermani evropiane në një Evropë të gjermanizuar.
Sipas tij, republika e Angela Merkelit është një Gjermani evropiane në kuptimin e plotë të fjalës që kishte përdorur novelisti. Ajo është e lirë, e qytetëruar, demokratike, ligjore dhe e ndërgjegjshme për mjedisin dhe shoqërinë.

Megjithatë, për shkak të krizës në Eurozonë, kjo Gjermani evropiane e gjen veten, pa dëshirë, në qendër të një Evrope të gjermanizuar.

Arsyeja përse kemi marrëveshje për kompaktin fiskal në mesin e 25 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, është sepse Berlini e donte një gjë të tillë.

Grekët e varfër janë urdhëruar të bëjnë detyrat e shtëpisë nga gjermanët. Edhe më e jashtëzakonshme është se kancelarja gjermane po u tregon votuesve francezë se kë të votojnë në zgjedhjet e tyre presidenciale, përmes një sërë fushatash me Nikolas Sarkozin.

Çdonjëri thotë se Evropa po udhëhiqet nga “Merkozi”, por, në fakt, më shumë nga “Merkelzi”.

Udhëheqësit gjermanë, nga Helmut Shmit deri te Helmut Kol, kanë paraparë avancimin e projektit evropian përmes unionit monetar të Evropës.

Historianët mund të argumentojnë angazhimin e Francës për Marrëveshjen Maastricht, që çoi në krijimin e euros, por dy gjëra janë të qarta.

Edhe Gjermania, edhe Franca u pajtuan se kjo është një pjesë e rëndësishme për Gjermaninë e sapobashkuar në një Evropë më të bashkuar, në të cilën Franca do të vazhdonte të luante një rol udhëheqës.

Shumë gjermanë e panë largimin e monedhës së tyre për një të mirë më të madhe politike.

Njëzet vjet nga Maastrichti, ne shohim të ketë ndodhur e kundërta e kësaj.

Ekonomikisht, euroja doli të jetë shumë e mirë për Gjermaninë. Politikisht, është pikërisht bashkimi monetar që e ka vënë Gjermaninë në vendin e shoferit, ndërsa e ka çuar Francën në ulësen e pasme të pasagjerëve.

Deri më tash, Gjermania është provuar të jetë një shofer ngurrues, nervor dhe jo shumë i aftë.

Ka shumë arsye për këtë. Njëra nga to është se të gjithë të tjerët në makinë duan që të paguajë ajo për karburantet.

Në një panel të Konferencës së Sigurisë në Mynih, unë dhe Robert Zollik, nga Banka Botërore, kemi sugjeruar në mënyra të ndryshme se Gjermania duhet të tregojë një udhëheqësi më ekonomike dhe më politike.

Por, mbi të gjitha, mbetet dilema për dimensionet e saj. “Shumë e madhe për Evropën, shumë e vogël për botën”, ka thënë Henri Kisinxher për Gjermaninë.

Edhe me vetëbesimin më të madh, edhe me elitën më të shkathtë, edhe pa kujtimet e periudhës 1914-1945, udhëheqja nga “pozita ndërmjet” do të jetë e vështirë.

Dy gjëra janë të nevojshme. Së pari, të gjithë gjermanët duhet të kthehen prapa dhe të lexojnë zotin Men, për të kuptuar dimensionin historik të sfidës së sotme dhe të kujtojnë madhështinë intelektuale dhe morale që dikur ishte e tyrja.

Mesazhi i bukur i zotit Men, për gjermanët e rinj të vitit 1953 mund të përmblidhet me tri fjalë të shkurtra amerikane: “Po, ne mundemi”.

Së dyti, ata kanë nevojë për shumë ndihmë nga miqtë e tyre. Nuk mund të menaxhojnë të vetëm.

Në vitin 1953, Britania ka bërë gjithçka që ka mundur për të ndihmuar Gjermaninë të kthehet në këmbët e saj.

Do të ishte e pamend për Britaninë të braktisë Gjermaninë kur kjo e fundit luan një rol vendimtar në Evropë, një rol që nuk e ka kërkuar, por për të cilin ka nevojë për çdo ndihmë që mund të marrë.

SHPËRNDAJE