Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka qenë shumë e qartë në mesazhet e saj drejtuar Serbisë dhe Kosovës nga Aeroporti i Prishtinës, pasi përfundoi takimin me Kryeministrin Hashim Thaçi.

Ajo kërkoi nga Serbia që t’i heq strukturat e saj paralele nga Kosova, derisa Kosovës i kërkoi të jetë konstruktive në dialogun me Serbinë.

“Në bisedat tona me Serbinë ua kemi bërë të qartë se çka dëshirojmë ne. Ne besojmë se mes Kosovës dhe Serbisë mund të gjenden mundësi për tregti të lirë, për bashkëpunim kufitar dhe jemi të interesuar që në Kosovë mos të ketë struktura paralele serbe”, tha Kancelarja.

Ajo shtoi se Gjermania dëshiron që Kosova të jetë një vend demokratik, i zhvilluar dhe ku sundon ligji.

“Është shumë i rëndësishëm zhvillimi i Kosovës, në mënyrë që Kosova të bëhet shtet i fuqishëm, demokratik dhe një vend ku luftohet krimi dhe korrupsioni”, tha ajo.

Lidhur me situatën në Veri, Merkel tha se ka biseduar gjerësisht me Kryeministrin Thaçi.

“Duhet të gjenden forma të normalizimit të marrëdhënive. Unë i kam kërkuar palës kosovare që ta jap kontributin e saj në këtë drejtim”.

Kryeministri Hashim Thaçi, ndërkaq, e ka falënderuar Kancelaren për kontributin e dhënë për Kosovën, derisa e ka siguruar atë se synimi i Prishtinës është integrimi në BE dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.

“E sigurova Kancelaren se Kosova do të përmbush të gjitha detyrimet që i kemi para nesh. Kosova është e vendosur të përmbyll kapitullin e konflikteve dhe të hap kapitullin e bashkëpunimit. Këtë ua kemi borxh gjeneratave të ardhshme. Ne duam të jemi pjesë e BE’së, një e treta e qytetarëve tanë jeton në vendet e BE’së, nga ta 250 mijë jetojnë në Gjermani”, ka thënë Thaçi.

“Dialogu nuk është vetëm një nga opsionet, dialogu është opsioni i vetëm për zgjidhjen e problemeve Kosovë-Serbi. Por ky dialog merr kuptim vetëm kur të implementohen të gjitha marrëveshjet. Ne kërkojmë nga Serbia të reflektojë në këtë drejtim”, ka shtuar Kryeministri.

Ai ka thënë se Qeveria është e interesuar për të ndihmuar qytetarët e Veriut të Kosovës.

“Ne nuk jemi në luftë me qytetarët tanë atje”.

Thaçi falënderoi edhe ushtarët gjermanë dhe u uroi atyre që janë plagosur në Veri të Kosovës shërim të shpejt.

“Unë përkulem para tyre”, ka thënë ai.

Pas takimit me Kryeministrin, Kancelarja gjermane është nisur në bazën gjermane të KFOR’it.

Filloi takimi Merkel-Thaçi

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka filluar takimin me Kryeministrin kosovar, Hashim Thaçin.

Takimi po zhvillohet në ambientet e Aeroportit të Prishtinës.

Pas takimit, Merkel dhe Thaçi do të flasin në një konferencë për gazetarë.

 

Kancelarja shkel në tokën e Kosovës

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, posa ka shtrënguar duart me Kryeministrin Thaçi.

Garda e FSK’së është rreshtuar në nderim të saj, derisa po intonohen edhe himnet e dy vendeve, Kosovës dhe Gjermanisë.

 

Aeroplani i Kancelares ateroi në Prishtinë

Aeroplani i Kancelares gjermane, Angela Merkel, posa ka ateruar në Aeroportin Adem Jashari.

Në aeroport, pas pak çastesh, ajo do të takohet me Kryeministrin Hashim Thaçi, i cili shoqërohet nga disa ministra.

 

Herzlich willkommen, Angela Merkel

Kancelarja gjermane, Angela Merkel do të vijë sot në Kosovë, në një vizitë të shkurtë, ku do të takojë ushtarët gjermanë dhe po ashtu do të ketë takime me lidershipin kosovar.

Edi Sejdiu, Shef i Protokollit të Kryeministri të Kosovës, Hashim Thaçi, tha për Radion Europa e Lirë se ekzekutivi i vendit ka vendosur që Kancelares gjermane Merkel t’i bëjë një pritje madhështore.

Sejdiu ka bërë të ditur se Merkel pritet të arrijë në Aeroportin Ndërkombëtar të Kosovës “Adem Jashari”, rreth orës 11:00.

Ai tha se për shkak të kohës së shkurtër të qëndrimit të Kancelares në Kosovë, takimi i Kryeministrit Thaçi me të, do të realizohet në aeroport.

Kjo vizitë vjen pas një lajmi shumë të mirë nga Brukseli dhe mund të quhet vizitë historike.

“Kjo vizitë vjen pas një lajmi shumë të mirë nga Brukseli dhe mund të quhet vizitë historike. Për shkak se kjo vizitë do të jetë disaorëshe në Kosovë, ne jemi dakorduar me palën gjermane që takimi të mbahet në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’. Ne kemi marrë të gjitha masat që t’i organizojmë një pritje madhështore Kancelares gjermane”, deklaroi Sejdiu.

Ai po ashtu tha se nga vizita e Kancelares gjermane, Merkel priten mesazhe të rëndësishme në drejtim të fuqizimit të bashkëpunimit në mes të dy shteteve.

“Ne mendojmë se nga kjo vizitë do të ketë mesazhe që do ta forcojnë bashkëpunimin tonë si dy shtete, pra Republikës së Kosovës dhe shtetit të Gjermanisë, si dhe do të ketë konfirmim për rrugën tonë drejt BE’së, si dhe mesazhe të tjera”, u shpreh Sejdiu.

Nga ana tjetër, analistët politikë thonë se vizita e Kancelares Merkel në Kosovë, para së gjithash është e motivuar të bëhet pas incidentit që pjesëtarët e KFOR’it gjerman patën ditë më parë në Veri të Kosovës, me banoret serbë në barrikada.

Kancelarja gjermane pati dënuar ashpër sulmin e protestuesve serb ndaj trupave paqeruajtëse të KFOR’it më 28 nëntor të këtij viti, duke kërkuar llogari edhe nga Serbia për rolin që ka pasur në këtë mes.

“Serbia gjithashtu akuzohet për kontributin që ka dhënë ditët e fundit në këtë atmosferë, në të cilën paqeruajtësit gjermanë në Veri u sulmuan dhe u plagosën. Unë them se kjo është e papranueshme”, ishte shprehur zonja Merkel, para autoriteteve gjermane.

Vetëm pak ditë më vonë, Serbia nuk arriti të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, për shkak të mospërmbushjes së pritjeve.

Megjithatë, analisti Shkëlzen Maliqi thotë se kjo vizitë e zonjës Merkel është e rëndësishme që bëhet në Kosovë, në kohë në kur në BE janë duke ndodhur zhvillime të ndryshme, si politike, ashtu edhe ekonomike.

Merkel në Kosovë do ta rikonfirmojë qëndrimin e Gjermanisë, se pa njohjen e Kosovës ose pa avancimin e dialogut me Kosovën, Serbia nuk e ka shansin të pranohet si kandidate për Bashkimin Europian.

“Merkel në Kosovë do ta rikonfirmojë qëndrimin e Gjermanisë, se pa njohjen e Kosovës ose pa avancimin e dialogut me Kosovën, Serbia nuk e ka shansin të pranohet si kandidate për Bashkimin Europian. Si një politikane serioze që është ajo, vërtet për Serbinë do të ketë më shumë porosi. Tash, eventualisht mund të shtrojë ndonjë qëndrim për Kosovën, më shumë të përkrahjes, dhe ndoshta ndonjë vërejtje që Kosova mund të ecë edhe më shpejt”, tha Maliqi.

Ndryshe, për vizitën e zonjës Merkel, është deklaruar edhe Adem Demaçi.

Ai e cilësoi atë si “engjëllushë e shqiptarëve”. (Express)

SHPËRNDAJE