Rezoluta e miratuar dje nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës bazuar në raportin e Dik Martit, nga Qeveria e Kosovës konsiderohet si një dokument tërësisht politik dhe me njëanshmëri të skajshme politike.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi ka thënë të mërkurën se vetë fakti se anëtarët e Asamblesë nuk kanë pasur vullnet të aprovojnë amandamentet e dërguara nga përfaqësuesit e Shqipërisë dhe Turqisë, tregon për njëanshmërinë politike sa i përket pjesës shpjeguese të rezolutës.

Ai ka theksuar se kjo rezolutë ka arritur një efekt negativ për Kosovën, por ai ka shprehur përkushtimin e Qeverisë dhe institucioneve tjera, për dyfishimin e angazhimeve për të kundërshtuar këtë imazh të rrejshëm, të krijuar nga njerëz që nuk ia duan të mirën Kosovës.

“Efekti negativ i këtij raporti është i pakontestueshëm. Ky raport dhe rezoluta e djeshme pa dyshim se e dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të Kosovës, por kjo vetëm sa do të dyfishojë përpjekjet e qeverisë së ardhshme, të institucioneve të Kosovës për të punuar për njohjet e reja ndërkombëtare dhe është fat i mirë që tashmë i kemi dy njohje në javët e fundit dhe do të pasojnë edhe njohje të reja në momentin e konsolidimit të institucioneve të reja, Qeverisë, Ministrisë së Jashtme, Presidencës, Kuvendit e kështu me radhë”, ka thënë Krasniqi.

Akuzat që i bëhen kryeministrit Thaçi në raportin e Martit, mbi të cilin është miratuar edhe rezoluta e Asamblesë Parlamentare të KE-së, sipas Krasniqit, nuk e dëmtojnë aspak Thaçin, ngase ai për mëse dhjetë vjet është përballur me akuzat dhe shpifjet nga më të tmerrshme për të.

“Të gjitha këto e kanë një burim të vetëm, burimi është Beogradi dhe është Serbia, janë shërbimet e inteligjencës serbe të cilat me mbështetjen edhe të atyre ruse gjatë gjithë këtyre viteve kanë tentuar të bëjnë një gjë të tillë. Fatkeqësisht tani kanë gjetur edhe disa mbështetës që kanë pasaporta të shteteve evropiane dhe që kanë proceduar deri në këtë pikë me këto shpifje dhe akuza trilluese, por nuk besoj se do t’ia dalin ta dëmtojnë as kryeministrin Thaçi, aq më pak edhe Kosovën, sepse nuk ia kanë dalë as në të kaluarën, e nuk do t’ia dalin as tash as në të ardhmen”, ka theksuar ai.

Sa i përket hetimeve, Krasniqi ka thënë se Qeveri e Kosovës ka qenë e para që ka kërkuar që të incohet një procedurë hetimore ndërkombëtare e udhëhequr nga EULEX-i, në mënyrë që njëherë e përgjithmonë të hidhet dritë mbi të vërtetën, e cila e vërtetë megjithatë është zbuluar edhe në tri hetime tjera paraprake.

Ndërkaq për bisedimet e mundshme me Serbinë dhe pozicionin e dobësuar të Kosovës pas miratimit të rezolutës, zëdhënësi i Qeverisë ka thënë se menjëherë pas formimit të institucioneve të reja, bashkë me partnerët evropianë do të procedohet kjo çështje, mirëpo siç ka thënë ai, Serbia kot pretendon të dalë fituese ngase ajo në Kosovë ka qenë dhe do të mbetet humbëse dhe se asnjë çështje e brendshme e Kosovës nuk do të diskutohet në bisedime, por vetëm temat që kanë të bëjnë me çështje teknike.

SHPËRNDAJE