Botimi në shqip i “Mein Kampf”-it (“Lufta ime”) të Hitlerit po përcillet me debate në Shqipëri. Për një pjesë të kritikës duhet respektuar liria e shprehjes dhe e ideve, të tjerë kërkojnë të ndalohet kjo literaturë.
Botimi në gjuhën shqipe i “Mein Kampf”-it (“Lufta ime”) të Adolf Hitlerit po përcillet me debate të shumta në Shqipëri. Për një pjesë të kritikës dhe të studiuesve dalja në qarkullim është në sinkron me lirinë e shprehjes dhe të ideve, ndërkohë që të tjerë po tregohen kritikë për botimin, madje dhe deri në favor të opsionit për ta ndaluar një literaturë e tillë, ashtu siç është vepruar dhe në vende të tjera të botës. Në një kohë që studiot radiotelevizive ziejnë nga debatet pro dhe kundër, kur një frymë e tillë polemizuese përcillet me shumicë dhe në rubrikat kulturore të medias së shkruar, botuesit, deri para pak javësh thuajse të panjohur në tregun shqiptar të librit, vijojnë në qetësi plotësimin e kërkesave të përsëritura për distribucionin e “Mein Kampf”-it.
Libër që shihet më shumë si një kuriozitet
Shefi i Departamentit të Sociologjisë në Universitetin e Tiranës, prof. dr. Zyhdi Dervishi, e shikon si të natyrshme atmsferën debatuese, që ka shkaktuar publikimi së fundi në shqip i “Mein Kampf”-it. Ai e lidh këtë me plagën e hershme të përiudhës komuniste në Shqipëri, kur për publikun ishin të ndaluara kontaktet me një pjesë të mirë të literaturës botërore, e cila ndalohej për shkaqe ideologjike, politike, sociale etj. Kjo plagë nuk duhet të ekzistojë akoma në shoqërinë shqiptare, thotë prof. dr. Dervishi për DW-në.

“Ky libër mendoj se është një botim, që nuk ka ndonjë efekt të dëmshëm për shoqërinë shqiptare. Përkundrazi është një plotësim i kulturës, që të mos bësh gabime. Që të korigjosh gabimet është e nevojshme t’i njohësh ato. Për më tepër unë kam bindjen se ‘Mein Kampf’-i, si një doktrinë me një frymë etnocentrike të theksuar, që mbivlerëson kulturën, nacionalitetin gjerman, si kundërpeshë ndaj popujve të tjerë – sidomos ndaj izraelitëve dhe sllavëve- për mendimin tim populli shqiptar nuk është ndikuar dhe nuk do të ndikohet nga këto psikoza.”
Prof. dr. Zyhdi Dervishi sjell si shembull qëndrimin që kanë mbajtur shqiptarët në mbështetje dhe në mbrojtje të familjeve hebreje me sakrifica të mëdha.
“Aktualisht ky botim ka më shumë vlerën e një kurioziteti akademik, kurioziteti teorik, kurioziteti psikologjik, se sa mund të ndikojë drejtëpërdrejtë në modelet e sjelljes së shqiptarëve”.
Efekti i kësaj litërature tek gjeneratat e reja
Prirjen më shumë si një kuriozitet për ta shfletuar “Main Kampf”-in e pranon dhe menaxheri i shitjeve të librit në Tiranë, Dalan Tola. Por duke iu referuar konkretisht kategorive moshore, që tregojnë interes për këtë libër, Tola shikon me shqetësim afrimin e të rinjve, adoleshentëve, ndaj një literature të tillë. “Ata janë krejt të papërgatitur dhe të papërpunuar për të marrë në dorë një vepër të tillë dhe kjo mund të ndikojë negativisht në qëndrimet e tyre të mëpasme. Këtu më duket se duhet treguar kujdes, për të mos patur pasoja më vonë me brezin e ri”, thotë Tola për DW-në.

Edhe shefi i Departmentit të Sociologjisë në Universitetin e Tiranës e shikon si më të ekspozuar moshën e re ndaj kësaj literature, por ai këmbëngul për DW se nuk bëhet fjalë për ndikime negative. Prof. dr Zyhdi Dervishi merr si shembull një studim sociologjik që ka realizuar kohët e fundit mbi kahjen dhe masën e ndikimit të filmave me akte dhune që jepen vazhdimisht në televizionet e Shqipërisë.
“Mua më rezulton se të rinjtë shqiptarë, veçanërisht adoleshentët duke parë filma të tillë, bëhen më humanë në marrëdhëniet me të tjerët, nuk bëhen agresivë. Pra, kur filmat kanë fuqi më të madhe tek kjo grupmoshë, atëherë besoj se doktrina e ‘Mein Kampf’-it do të ndikojë më pak se filma të tillë. Ndaj dhe unë nuk e kam këtë shqetësim.”
Prof. dr Dervishi e përforcon idenë e tij dhe nga vetë përmbajtja e librit, duke e përshkruar si të shkruar me “një gjuhë, që nuk shquhet për ndonjë letrarizim ndikues, por me një gjuhë të rëndomtë, që si e tillë duke mos patur shumë argumente, por në pjesën më të madhe është mbushur me të përçartura të autorit – do të ketë ndikim shumë të vogël ose më saktë të papërfillshëm tek të rinjtë shqiptarë ”
Gjobë për mosrespektim të së drejtës së autorit
Kujdestarët e botimit në gjuhën shqipe të “Lufta ime” kanë bërë kujdes për të amortizuar çdo keqkuptim apo sulm që vjen nga kritikët e librit. Me gërma të dukshme ata nuk kanë harruar që të vendosin në kopertinë shënimin: “Ky libër duhet lexuar për të kuptuar më mirë Holokaustin dhe totalitarizmin e çdo ngjyre. Është një paralajmërim për brezat e rinj që çmenduri të tilla të mos përsëriten më kurrë.”
Deri më tani nuk ka ndonjë sinjal për betejë ligjore në pallatin e drejtësisë. Ndërkohë që nga pikëpamja administrative agjentët e të drejtës së autorit kanë prerë një fletë gjobe prej afër 715 Eurosh për “Mein Kampf”-in në shqip. Kaq janë të ardhurat nga shitja e më pak se 100 kopjeve, duke e bërë këtë detyrim për botuesit krejt të papërfillshëm, kur ata kanë planifikuar që të hedhin në tregun shqipfolës një tirazh në mijëra ekzemplarë.

SHPËRNDAJE