Mediat gjermane: Serbia, në prag të revoltave popullore

Serbia ndodhet e përfshirë brenda një rrethi vicioz politik, ekonomik e social dhe është vetëm çështje kohe se kur qytetarët e pakënaqur serbë do të fillojnë të protestojnë kundër situatës së vështirë, në të cilën ndodhen dhe janë të detyruar të jetojnë, vinte në dukje, midis të tjerave, gazeta e përditshme gjermane “Tagescajtung” e Berlinit në një koment të saj me titullin “Shpresa tanimë ka vdekur”, duke theksuar gjithashtu se në muajin dhjetor të vitit të kaluar qeveria, Parlamenti dhe zyra e Presidentit të shtetit nuk kishin para të paguanin as për telefonat, energjinë elektrike, ngrohjen dhe për shpenzimet e tjera. “Kur shteti ekuilibron në kufirin e hollë mes aftësisë së funksionimit dhe falimentimit shtetëror, kur ekzistenca e tij varet nga kreditë e huatë dhe nga shitja e ‘bizhuterive familjare’, nuk duket se ka shumë kuptim që punëtorët e punonjësit të organizojnë greva për paga më të larta në Serbi, kur arka e shtetit është bosh”, shkruan gazeta e lartpërmendur, duke komentuar grevën e fundit të punonjësve serbë të arsimit që kërkojnë rritje rrogash. “Qeveria serbe nuk ka hapësirë manovrimi, kështu që në rast se u hap rrugën mësuesve e pedagogëve, atëherë të gjithë të tjerët në vend do të fillojnë të zgjasin duart”, shkruan “Tagescajtung”, duke vënë në dukje, nga ana tjetër, se gjithnjë e më shumë njerëz në këtë vend jetojnë në kushtet e vegjetarianizmit, pra në kufirin e minimumit ekzistencialist. “Është vetëm çështje kohe se kur këta qytetarë të durueshëm dhe deri tani të bindur do të shndërrohen në plebenj të revoltuar, të cilët nuk do t’i binden më askujt”, nënvizon gazeta gjermane, sipas së cilës një milion njerëz që nuk kanë punë ose të cilëve kjo e fundit nuk u siguron kushte normale jetese, përfshi edhe të rinjtë pa perspektivë, përbëjnë një potencial të fuqishëm për trazira sociale. “Këta njerëz do të mund të manipulohen me lehtësi dhe janë të dëshpëruar deri në atë shkallë sa të mund të gënjehen nga demagogjia nacionaliste socialiste”, vazhdon më tej gazeta e sipërpërmendur gjermane, duke theksuar se kësaj i duhet të shtohet edhe fakti se “shumica e serbëve i konsideron politikanët e vet se ata nuk janë në atë nivel që të mund t’i kryejnë detyrat, përballë të cilave ndodhen, për më tepër që janë edhe të korruptuar”. “Problem është se as opozita nuk përbën ndonjë alternativë. Anketat tregojnë se partia më e fortë në Serbi aktualisht konsiderohet Partia Progresiste Serbe (Srpska Napredna Stranka/SNS), udhëheqësi i së cilës (Tomislav Nikoliç) nga një nacionalist i tërbuar dhe luftënxitës u shndërrua brenda natës në një populist proeuropian. Me një fjalë, kemi të bëjmë me një rreth vicioz politik, ekonomik dhe social”, thekson në fund gazeta e përditshme gjermane “Tagescajtung” e Berlinit.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni