Meçi i shekullit

Floyd Mayweather fitoi mëngjesin e sotëm duelin e madh të boksit ndaj Conor McGregor, duke triumfuar me “KO teknik” në raundin e 10-të. Një sfidë që u zhvillua në stadiumin “T-Mobile Arena” të Las Vegasit. Mayweather mbeti i pamposhtur në ring, duke korrur suksesin e 50-të në po kaq sfida të zhvilluara, ndërsa debutimi i irlandezit McGregor në ring nisi me një humbje. Por ai reziztoi për gati 10 raunde, duke treguar se është një kampion i vërtetë. Mayweather u rikthye në ring pas dy vitesh pushim, por tregoi se nuk ka humbur shkëlqimin, duke korrur një fitore të merituar ndaj një kampioni tjetër si McGregor, ikonë e arteve marciale mikse.

Irlandezi surprizoi të gjithë në tri raundet e para, duke sulmuar fort dhe vënë jo pak në vështirësi Mayweather, që ashtu sikurse pat thënë, ishte i durueshëm dhe pasi studioi rivalin, nisi të rikuperojë. Tri raundet e para u fituan nga irlandezi, por më pas ai nis të ndjejë lodhjen e një sfide me 12 raunde, ndërkohë që amerikani nis të shfrytëzojë të gjithë përvojën e tij. Maywather nis të fitojë një e nga një raundet e tjera, duke përmbysur shpejt shifrat.

Pas raundit të 8-të u pa qartë trendi i duelit, pasi McGregor mezi lëvizte në ring dhe strategjia e tij për ta hedhur “KO” amerikanin në raundet e para nuk funksionoi. Ndërsa Mayweather u tregua i durueshëm, duke shdfryrë gjithë inatin në raundet 9 dhe 10, ku dhe vuri në vështirësi irlandezin e UFC-së, që nuk ishte më në gjendje të përballonte ritmin e diktuar nga boksieri amerikan. Në mesin e raundit të 10-të, pas një serie grushtesh të fuqishme të Mayweather, gjyqtari ndali duelin, duke i dhënë fitoren kampionit amerikan. Por McGregor nuk ra asnjëherë në tapet dhe ky debutim në boks mund të konsiderohet i mirë.

SHPËRNDAJE