Shkruan Behxhet PACOLLI

 

Për hir të respektit dhe korrektësisë ndaj jush edhe pse pa dashur që të ndërhyjë në punët e organeve të drejtësisë, e ndjej veten të obliguar të ju informoj si vijon:

Blerjen e aksioneve të Hotelit “Grand”, e kam bërë në kohën kur nuk kam qenë ende pjesë e politikës, me kërkesën e vazhdueshme të z. Zylqif Berisha, i cili kishte fituar kontratën, kishte paguar një avans të vogël dhe në momentin e pagesës së plotë, nuk kishte mundësi ta paguante.

Zylqif Berishën nuk e njihja. Atë ma prezantoi z.Remzi Ejupi, duke më thënë se është njeri i mirë, besimtar dhe i ndershëm. Edhe pse kisha një agjendë intensive gjeta kohë që t’i pranoj në Vjenë të Austrisë, në muajt e hershëm të vitit 2006.

Më kujtohet që në atë mbrëmje, më bëri be në djalin tim të posalindur, që ta paguaj “Grand”-in, pasi që ishte në limitet kohore për të paguar pjesën tjetër të parave.

Meqë unë nuk e njihja z.Berisha, kërkova nga z.Remzi Ejupi që të jetë edhe ai bashkaksionar dhe të merret me detajet tjera.

Kështu, pas disa orëve bisedë, i premtova se do t’i ndihmoj. Unë të nesërmen, nëpërmjet Bankës zvicerane që të bëjë transferin e parave në llogarinë e Zylqif Berishës. Sa jam i informuar nga ana tjetër, edhe Remzi Ejupi pjesën e vet në kohën e duhur.

E di se dikush ka bllokuar pagesën time, e ka kthyer prapa në Zvicër, pa asnjë arsye.

Banka ime zvicerane për këtë më ka informuar (isha në udhëtim jashtë vendit) dhe i kam urdhëruar ata që edhe njëherë të bëjnë pagesën me Swift, gjë të cilën e kanë bërë brenda 1 ore. Kështu pagesa prapë kishte arritur në vendin e caktuar edhe pse dikush tentonte ta pengonte këtë.

Ju kujtohet sigurisht njëri prej shkrimeve në disa medie kosovare, që thoshte se dikush në Kosovë kishte hetuar për këtë pagesë. Ai shkrim, tregonte se dikujt me rëndësi në Kosovë i pengonte pjesëmarrja e kompanisë time në investime në Kosovë.

A ka qenë e drejtë kjo tendencë apo jo, unë tani shpresoj se organet e hetuesisë do ta sqarojnë drejt këtë. Në janar të 2007-ës mes Zylqif Berishës, Remzi Ejupit dhe meje, është bërë lidhja e kontratës, ku legjitimohen tre aksionarët e “Grand”-it.

Në bazë të asaj kontrate, Zylqif Berisha është dashur në një periudhë të shkurtë të kërkojë nga AKP-ja të regjistrohen aksionarët e rinj. Deri në mars 2007, të mbyllë hotelin për të filluar rindërtimi i tij, jo për shumën e SPIN OFF-it që ishte obligim, por me investime të mëdha që do ta shndërronin në pikë referuese në Kosovë. Unë kisha sjell edhe dëshmitë e mundësive financiare, ku do të investoheshin 39 milionë euro, në një afat prej 16 muajsh. Kjo përmbushte dhe tejkalonte të gjitha obligimet e marra me SPIN OFF dhe, Prishtina do të kishte një objekt të pakrahasueshëm në rajon.

Pas vendosjes në zyrët e “Grandit, Zylqif Berisha, filloi në mënyrë të papritur të mospërmbushë asnjë obligim që kishte marrë me kontratë. Ai nuk liroi hotelin, nuk kërkoi nga AKP-ja që të bëhet regjistrimi i aksioneve, e madje i shmangej çdo takimi. Kjo situatë zgjati mbi 5 muaj. Palës tonë i mbetën dy rrugë; ose dhuna që zoti Berisha e dinte që s’do ta preferoja ose gjyqësia të cilën e zgjodha. Në atë kohë, unë personalisht u tërhoqa nga “Grand”-i, duke ia transferuar të gjitha të drejtat vëllait tim, Selimit.

Në maj të 2007-ës, Selimi kishte takuar Zylqif Berishën disa herë, në prani të dëshmitarëve për ta bindur që të implementojë kontratën, por ai kishte refuzuar. Sipas një bisede që kisha me Selimin në atë kohë, kuptova se Berisha mbështetej fuqishëm nga dikush në prapavijë. Kjo ishte kuptuar në bisedë e sipër me të. Në preferuam rrugën gjyqësore. Është fituar shkalla e parë duke aplikuar edhe një masë sigurie mbi “Grand”-in, e cila ende është në fuqi. Gjatë tërë procesit, rregullisht është informuar dhe kërkuar edhe nga AKM-ja e më vonë nga AKP-ja, që të merren hapat e nevojshëm, por asnjëherë deri në mars të vitit 2012 askush nga ata nuk është marrë me këtë punë.

Në shkallën e dytë, (ku Zylqif Berisha ankohet) lënda për shumë vite mbetet e bllokuar. Selimi është ankuar disa herë me shkrim për përshpejtim të procedurave. Ankimimi është bërë gjithmonë tek institucionet vendore, por edhe tek EULEX-i.

Një dosje komplete në atë kohë, është dërguar edhe tek EULEX-i me qëllim që çështja të merr një rrugë të mirëfilltë, të eliminohen interferimet politike.

Në vitin 2010, kuptojmë se lënda, në vend që të zgjidhet, është kthyer prapë në shkallën e parë, nga shkalla e dytë, nga një Gjykatës të cilin unë publikisht në atë kohë e kam denoncuar për mospërfillje të procedurave, pasi që i njëjti kishte kaluar një ditë të tërë në zyrën e hotelit Grand me Zylqif Berishën. Sipas ligjit, gjykatësi nuk duhet të ketë kontakte me palët në kontekst, përveç në seancë gjyqësore.

Këtë çështje e kemi denoncuar edhe me shkrim.

Për informatë, në vend se të merren hapa ndaj këtij gjykatësi, ai është avancuar në një post edhe më të lartë në sistemin gjyqësor. Në të tri rastet, tentativa për të penguar pagesën në fillim, mosreagimi i AKM-AKP-së, dhe rasti me këtë gjykatës, është e qartë se dikush në mënyrë tendencioze ka qëndruar pas këtij rasti. T’i kthehemi ngjarjeve të fundit.

Nga informatat e vëllait tim, kam dëgjuar se në mars 2012, nga AKP-ja me shkrim vjen një kërkesë që MABETEX-i të prezantojë një seri dokumentesh, që dëshmojnë se do të kryhen zotimet në Hotelin “Grand”. Mes tjerash (çuditërisht), kërkohet edhe një garancion bankar për investimet, gjë e re në praktikën e AKP-së.

Gjithmonë, sipas informatave konkrete, MABETEX në kohë të caktuar, me profesionalizëm të nivelit të lartë, përgatit gjithë dokumentacionin e kërkuar me garancionin bankar, dhe në kohë të duhur i dorëzohet AKP-së. Nga marsi deri në qershor, fillon shtyrja e afateve të paralajmëruara nga AKP-ja për zgjidhjen e këtij problemi. Në mes këtyre afateve, fillon intensifikimi i njerëzve të AKP-së me palën tonë, duke lënë mesazhe se dokumentacioni është në rregull dhe asgjë nuk mungon. Kërkesa për kontakte kam pasur edhe unë. Në fund të prillit, siç kam deklaruar, me kërkesën e personit për të cilin keni dëgjuar, kam pasur një vizitë në shtëpinë time, dhe është bërë kërkesa për të cilën ju keni lexuar dhe dëgjuar. Rrethanat, nën të cilat është bërë ajo kërkesë (të cilat kategorikisht i kam refuzuar), më kanë shtyrë të dyshoj se mund të ketë prapavija, që do të dilnin jashtë temës ekonomike. Për shkak të partneritetit unë kam informuar vëllanë tim dhe Remzi Ejupin.

Siç e dini ky i fundit menjëherë ka bërë denoncimin publik dhe në të njëjtën periudhë edhe në hetuesi. Unë nga ana ime, këtë rast, e kam denoncuar me kohë, në vend të caktuar, për çka organet hetuese këtë e dinë shumë mirë. Çdo spekulim, i medieve dhe i njerëzve të caktuar se ky akt nuk është denoncuar nuk qëndron, dhe miqtë dhe dashamirësit e mi, mund të ndihen shumë komodë në këtë.

Në gusht të këtij viti, pas kthimit tim nga udhëtimet zyrtare dhe pushimet, ka ndodhur menjëherë intervista dhe jam përgjigjur në të gjitha pyetjet e hetuesisë, në përputhshmëri me realitetin dhe faktet, gjegjësisht për atë që unë kam ditur, dhe kam qenë i informuar.

Tani jam në udhëtim zyrtar në Nju Jork dhe nëse duhet të përgjigjem pyetjes se pse s’kam dalë në media, atëherë them se unë iu besoj organeve të drejtësisë dhe vetëm ato janë kompetente për përgjigjet në pyetjet e medieve.

Nëse më pyetni, çka mendoj për shkrimet , opinionet dhe deklarimet publike të disa opinionistëve që janë bërë në mediet tona këto ditë, atëherë unë ju përgjigjem se, ka pasur shkrime me karakter informativ, të interesit publik, por shumica e tyre, sipas mendimit tim, kanë qenë me prapavija politike, shantazhuese, kanë pasur karakter destruktiv që dalin jashtë normave të një gazetarie profesionale.

Bile ka pasur edhe njerëz të tillë dhe medie të tilla që kanë kërkuar “kokën” time. Unë atyre iu përgjigjem se po të ishit vetëm ju në pyetje unë menjëherë do të tërhiqesha nga pozita ime, do ti kthehesha punës dhe familjes time dhe ajo do të më kursente shumë kohë, energji dhe financa, një gjë që e pret familja ime. Por fatmirësisht ata janë vetëm një pikë e vogël në oqean, dhe se qytetarët e Kosovës, miqtë e mi vlejnë për mua shumë dhe për ta unë tani sakrifikoj çdo gjë.

Jam shumë i qetë kur e di se asgjë nuk i kam marrë Kosovës, I kam dhënë sipas mundësive të mija, dhe këtë do të vazhdojë ta bëjë. Me mua nuk bëhen allishverishe dhe ekziston një gjë e shenjtë për ata që dëshirojnë të punojnë me mua, sinqeriteti, dashuria ndërnjerëzore dhe respekti.

Për fund po e ilustroj me një ndodhi. Një fshatari i kishte humbur lopa, dhe miqtë e tij shkonin për ngushëllime. Secili që shkonte aty, e fajësonte atë dhe i thoshte: Pse nuk e ruaje lopën, pse nuk e lidhe. Dikush thoshte pse nuk e lëshove qenin që ta ruante, pra të gjithë e fajësonin atë. Krejt në fund i zoti i lopës i pyeti ata: A thua unë jam fajtori, apo ai që e vodhi atë. Ju përshëndes miqtë e mi dhe çdo gjë që keni, mos hezitoni por më shkruani, kurse unë do ju përgjigjem personalisht.

SHPËRNDAJE