Shfaqja më e mirë e festivalit të monodramës “Mono-AKT” u shpall “Penther Murder” nga Polonia. Monostripi më i mirë ishte ai i Muhamet Zekës, studentit nga Fakulteti i Arteve në Prishtinë, Selman Lokaj fitoi çmimin e medias, Ekrem Kryeziu fitoi shpërblimin mbi veprën jetësore, kurse çmimin e aktorit më të mirë e mori Ismet Azemi me shfaqjen “Mos Harroni”.

Monodrama e interpretuar nga Azemi nis nga varret dhe përfundon prapë tek ato. Një libër i vjetër biblik, një kafkë njeriu, një thikë me të cilën e shkruan historinë, një gurë varri që ndërton fole jete mbi të. Varret vijnë si metaforë gërmimi, ato janë arkeologji për njerëzimin. Secili vret për të mbushur tokën me koka-kungujsh për të ndërtuar kala pavdekshmërie. Është kjo monodrama e Ismet Azemit e luajtur e Teatrit Dodona me të cilën ai u shpërblye si aktori më i mirë i festivalit. Azemi është aktor që shquhet për mjeshtri skenike, diksion, energji dhe emocion.

SHPËRNDAJE