ByDedë Preqi

Popull i Kosovës e ka një ditë të veçantë historike në jetën e vet, të cilën e përjetojë dhe e shënon në faqen e historisë së vet kombëtare, si ditë e shpëtimit nga ç’farosja totale e një populli të pafajshëm. 24 Marsi i vitit 1999, ishte  dita e ngadhënjimit dhe fitores për liri . Prandaj, për Kosovën dhe shqiptarët kjo ditë është një datë  e veçantë në historinë e popullit të vet, të cilën nuk duhet ta harrojë  kurrë, sepse ishte në pyetje ekzistenca e një populli, apo shfarosja e tij nga faqja e dheut, prej  fashizmit të egër serb.

Pothuaj se gjithherë marset në Kosovë, janë shoqëruar me të papritura dhe trazira të ndryshme dhe në vend që të na sjellin aromën e luleve të pranverës, në të shumtën e rasteve na sjellën aromën e barotit dhe krismën e tytave të armikut serb. Dhe me 24 mars 1999, populli shqiptarë i Kosovë, i kishte drejtuar sytë kah qielli, duke pritur intervenimin e NATO-s, me ç‘rast për herë të parë në historinë në historinë e vet, por edhe atë kosovare u bombardua fuqishëm Serbia, armiku  shekullor i popullit shqiptar.

Rrallë kush e ka besuar dhe ka mundur  t‘i kuptonte ato rrethana të vuajtjeve nga torturat dhe  masakrat e popullit shqiptarë, me ç’rast bëhej fjalë për jetën, apo asgjësimin e këtij populli, që kishte ndërmarrë fashizmi serb i kohës së Millosheviqit?   Por, deshti zoti dhe NATO, si Aleanca më e fuqishme e botës, e kuptojë gjendjen kritike të këtij populli, e cila i filloi sulmet  ajrore mbi forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, si kundërpërgjigje ndaj tragjedisë që i kanoset popullatës shqiptare në Kosovë.

Data e 24 Marsit e vitit 1999, do të mbetët një vulë e rëndësishme e historisë së popullit shqiptar, e cila do të shënohet si datë e dhembjes kombëtare, por dhe datë shpëtimtare e këtij  populli nga asgjësimi që kishte planifikuar terrori serbo-sllav. Kjo ishte ajo pranvera më e nxehtë në historikun tonë, dhe dita më e shenjtë e një populli të shtypur e të robëruar nga një egërsirë, që vërsulej pa mëshirë dhe pa pushuar më se një shekull ndaj popullatës së pa fajshme shqiptare.

Në ato çaste , kur i filloj bombardimet NATO,  mbi caqet dhe pikat e terrorit serb, dukej se ishte diçka e pa besueshme dhe e pa mundshme, sikur në ndonjë ëndërr, që gjithë ai arsenal armësh dhe një ushtri e kompletuar, me polici e paramilitar të armatosur, do të largoheshin nga Kosova, nga vendi të cilin e djegën e masakruan dhe çdo gjë e asgjësuan dhe duke i dëbuar më se 1 milion shqiptarë nga trojet e tyre stërgjyshore dhe tokën dardane.

Shpesh herë ky popull, gjegjësisht populli shqiptarë ka rënë pre e këtyre ndikimeve dhe e kësaj bote të egërsisë,  e cila nuk njihte vlerën e jetës dhe dinjitetit njerëzor dhe dinjitetin e këtij populli, duke e robëruar lirinë dhe dëshirën e saj për liri njerëzore, që kishte vetëm një qëllim të caktuar, vetëm e vetëm për të shfryer « mullanin »  e saj ndaj këtij populli dhe në fund, për ta bërë objekt të asgjësimit, e cila e kishte planifikuar një plan të tillë më herët dhe ta shfrytëzojë plotësisht deri në fund, por fuqia ushtarake e NATO-s, ishte shpëtimtarja e këtij populli, duke e shpëtuar nga asgjësimi i mundshëm.

Në sytë e botës demokratike dhe  pro shqiptare, me rastin e këtij intervenimi të NATO-s, shihej  dhe ndjehej një gëzim i pa përshkruar, sepse nga ky vend po dëbohet një okupator i keq, prej një vendi dhe populli që kërkoi të drejtat e veta për liri dhe pavarësinë e vet, por në anën tjetër ndjehej edhe një keqardhje, sepse me rastin e ikjes së ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serb nga NATO, situata u keqësua edhe më shumë, nga se, çdo gjë  shqiptare mund të asgjësohej nga kjo egërsirë, e cila duke ikur dhe e plaguar, nuk kurseu as fëmijët shqiptarë në djep.

Gjatë 78 ditëve të bombardimit nga NATO, mbi forcat serbe, ishin në pyetje momentet e fundit, sepse serbët kishin plane të ndryshme që do ti realizonin mbi popullatën civile shqiptare edhe pse,  përmbajtja e tyre ishte ikja si detyrim, por edhe asgjësimi  i shqiptarëve në mënyrë të pamëshirshme.

24 marsi i vitit 1999, ishte dita më fatlume e një populli, e cila shënon të ardhmen e Kosovës, ku rrugën e lirisë e hapi fuqia e NATO-s, e ndihmuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e përzënë barbarinë serbe nga Kosova. Kjo datë është pikërisht dita kur populli i Kosovës dhe mbarë kombi shqiptarë i ngjalli shpresat e veta njëherë e përgjithmonë në rrugën e saj për liri dhe pavarësi.

Kjo datë dhe ditë,  duhet të mbahet në mend gjatë gjithë historisë së jetës tonë, sepse është data dhe dita e kthesës së madhe historike dhe e zgjidhjes së  çështjes së Kosovës, si dita e një vendimi historik e sulmit ajror  të NATO-s, i cili nuk ishte i lehtë, por u muar si një vendim i domosdoshëm për ta parandaluar një gjenocid të pa parë në historinë e njerëzimit. Ishte dita kur u rrezua diktatori i Ballkanit, Millosheviq dhe dërgimi i tij në gjykatën e Hagës.

Populli shqiptar nuk duhet ti harroj miqtë e vet ndërkombëtarë, dhe ato kujtime ti ruajmë si të pashlyera dhe gjurma të robërisë shpirtërore e fizike, të cilat dëshmojnë edhe sot e kësaj dite, që ka ende njerëz me trauma  të lloj-llojshme , nga lufta dhe tmerri i asaj kohe, njëherit nuk harrohen edhe ata të cilët u martirizuan për lirinë  e kësaj toke, prej të cilëve ka akoma të pa kthyer në Kosovë, që i kanë vjedhur kriminelët serb kufomat e tyre për ti fshehur  gjurmët e krimit.

Sikur të mos ndodhte intervenimi i NATO-s, shqiptarëve të Kosovës, i kanosej një likuidim masiv biologjik, të cilin e kishte planifikuar regjimi serb, në krye me Milosheviqin. Këto vlera universale, të cilat janë bërë themel i ndërtimit dhe funksionimit të një shoqërie me rastin e shpëtimit të saj nga ç’farosja, apo zhdukja nga faqja e dheut, populli i Kosovës nuk mund ta harrojë për jetë, në veçanti Aleancën e NATO-s, në krye me SHBA-të, dhe mikun e paharruar, Presidentin Bill Kllinton.

SHPËRNDAJE