Një ndër pikat më problematike ndërmjet muslimanëve dhe traditës perëndimore gjatë shekullit XX-XXI, është mbulesa e femrës, përkatësisht vendosja e shamisë për femrat muslimane. Në sytë e perëndimorëve, shamia (hixhabi, mbulesa në përgjithësi) konsiderohet shkelje e të drejtave njerëzore, robërim i femrës, prapambetje dhe mosemancipim.
Problemi është tejet kompleks dhe kërkon studime teorike e praktike prandaj edhe akcesi ynë me këtë rast do të jetë i shkurtër, sa për të theksuar se kjo temë mund të trajtohet edhe ndryshe, në mënyrë më afirmative si për muslimanët ashtu edhe për evroperëndimin (traditën judeo-kristiane)


Nexhat IBRAHIMI
Në këtë rrugëtimin tonë, së pari do ta shtrojmë një pyetje praktike:
Meqenëse edhe judaizmi por edhe kristianizmi aktual e kritikojnë mbulesën e femrës muslimane, do të bëjmë një pyetje dhe do të hulumtojmë se si është trajtuar mbulesa te këto dy fe qiellore dhe a kemi tradita të tilla apo të ngjashme edhe në judaizëm e kristianizëm, rspektivisht, mos është shamia tipike vetëm për muslimanët? Si të komentohen shkrimet në librat historikë, por edhe pamjet filmike që flasin apo pasqyrojnë të kaluarën e tyre, ku shamia është pjesë përbërëse e qenies së tyre fetare dhe nacionale!
Faktet flasin kundër deklarimit të tyre aktual. Shkurtimisht do të hedhim një shikim në dia shkrime nga tradita e tyre fetare apo nga goja e autorëve të tyre, të cilat për fat të mirë krahas anglishtes i gjetëm të përkthyera edhe në kroatisht por edhe shqip.

Tradita çifute

Mbulesa e femrës nuk është sihariq musliman, as sajim i muslimanëve, as ndonjë masë ndëshkimi për gjininë e kundërt. Edhe judaizmi këmbëngul wqë femrat të mbulohen. Në “Librin e Parë të Mojsiut” shtrohet se Rebeka është mbuluar kur e takoi burrin e saj të ardhshëm Izakun (Is’hakun a.s.), sepse ai për të ishte i huaj në atë kohë. Po kështu thuhet edhe për tamaren, nusen e Judës, kur doli nga shtëpia e babait në publik.
Mbulesa ishte edhe shenjë e statusit shoqëror të femrës, të pasurisë dhe të jetës luksoze të saj. Herë-herë mbulesa ishte demonstrim i fisnikërisë, bujarisë dhe nderit. Femra kokëzbuluar ka mund të akuzohet për mosbesim dhe prostitucion. Për këtë arsye, në bashkësinë hebraike, prostitutave nuk iu është lejuar të mbulojnë kokat. Kur mbuloheshin, ato kishin për qëllim ta ngrisnin respektin e të tjerëve kundrejt tyre. Kjo gjendje ka vazhduar pothuaj deri në shekullin XIX, kur nën ndikimin shekullarist, edhe femra çifute pësoi ndryshime rrënjësore dhe sot mbulesën e kokës e bën vetëm kur hyn në sinagogë.
Mbulesa te çifutët është shumë rigoroze. Femra te ata mbulohen edhe kur janë vetëm apo me anëtarët e ngushtë të familjes. Madje, rabini Gemoro thotë se femra nuk bën t’ia zbulojë flokët as mureve të shtëpisë së saj.
Në librin “Femra çifute në literaturën rabiniane – një perspektivë psiko-historike” (The Jewish Woman in Rabbinic Literature – A Psycho-historical Perspective”), rabini dr. Menachem M. Brayer (profesor i komentimit të Biblës në Univerzitetin Yeshiva), rrëfen se është traditë që femra çifute të del në mesin e njerëzve me kokë të mbuluar, e madje edhe duke e mbuluar fytyrën, duke e lënë vetëm një sy të lirë. Ai thekson disa rabinë të lashtë të cilët thonë:
“Nuk i ka hije femrave çifute të shetiten kokëçelur”
sikur edhe
“Qoftë i mallkuar njeriu i cili lejon që flokët e gruas së tij të shihen. Femra që zbulon flokët e saj që të duket më bukur, sjellë varfëri.”
Ligji rabin ndalon recitimin, bekimin apo lutjen në prani të gruas së martuar kokëçelur, sepse zbulimi i flokëve të zbuluara të femrës konsiderohet një lloj lakuriqësie.
Dr Brayer, gjithashtu thotë:
“Gjatë periudhës tanaitike, të mosmbuluarit e kokës nga ana e gruas konsiderohej fyerje e modestisë së saj. Kur koka e saj ishte e zbuluar ajo gjobitej deri në katërqind zuzime për këtë kundravajtje.”
Doktor Brayer gjithashtu shpjegon se mbulesa e gruas çifute nuk konsiderohej gjithmonë shenjë modestie. Nganjëherë, shamia simbolizonte një gjëndje dallimi dhe luksi në vend të modestisë. Mbulesa personifikonte dinjitetin dhe epërsinë e gruas fisnike. Ajo gjithashtu përfaqësonte mosmundësinë e të afruarit një gruaje si pronë e shenjtëruar e të shoqit, që dallon nga konceptimi modern i bartjes së shamisë, ku shamia sipas tyre paraqet degradim të femrës.
Burimet fetare çifute, si Dhiata e Vjetër, të zbuluarit e kokës së gruas e kosnideronte si paturpësi të madhe dhe kjo është arsyeja që kleriku duhej ta zbulonte adulteristen e dyshuar në gjyqin e saj të provës së rëndë. (Numrat 5:16-18)
Shamia nënkuptonte vetë-respektin dhe statusin shoqëror të gruas. Gratë e klasave të ulëta shpesh vishnin shaminë për të dhënë përshtypjen e një rangu më të lartë. Fakti se shamia ishte shenja e fisnikërisë, përbënte arsyen pse prostitutave nuk u lejohej të mbulonin flokët në shoqëritë e vjetra çifute. Megjithatë, prostitutat shpesh vinin një mbulesë koke për t’u dukur të respektueshme. Gratë çifute në Evropë vazhduan t’i vishnin shamitë deri në shekullin e XIX, kur jetët e tyre u bënë më të përziera me kulturën shekullare rrethuese. Por, nën trysnitë e jashtme të jetës evropiane në shekullin e XIX, sidomos nën trysninë e mësimeve shekullariste, i detyruan shumë gra çifute të dalin jashtë kokëzbathur. Disa gra çifute e panë më të volitshme të zëvëndësojnë shaminë e tyre tradicionale me një paruke si një formë tjetër e të mbuluarit të flokëve. Sot, shumica e grave fetare çifute nuk i mbulojnë flokët e tyre, përveçse në sinagogë. Disa nga ato, si p.sh. sektet hasidike, ende përdorin paruken.

Tradita kristiane

Tradita kristiane gjithashtu i kushton një vëmendje problemit të mbulesës. Gjurmë për këtë gjejmë edhe te vetë murgeshat katolike, të cilat i mbulojnë kokat e tyre që prej kohësh, por kjo s’është e gjitha. Shën Pali në Dhiatën e Re ka bërë disa pohime shumë interesante për shaminë:
“Tani unë dua që ju të kuptoni se koka e çdo burri është Krishti, dhe koka e çdo gruaje është burri, dhe koka e Krishtit është Zoti. Çdo njeri që lutet apo predikon me kokë të mbuluar çnderon kokën e tij. Dhe çdo grua që lutet apo predikon me kokë të zbuluar çnderon kokën e saj – është tamam sikur koka e saj të jetë e rruar. Nëse një grua s’e mbulon kokën e saj, asaj duhet t’i priten flokët; dhe nëse është turp për një grua t’i ketë flokët e qethura ose të rruara, ajo duhet ta mbulojë kokën. Një burrë s’duhet ta mbulojë kokën e tij, ngaqë ai është shëmbëllimi dhe lavdia e Zotit, por gruaja është lavdia e burrit. Sepse nuk erdhi burri nga gruaja, por gruaja nga burri dhe as burri s’u krijua për gruan, po gruaja për burrin. Për këtë arsye dhe për shkak të ëngjëjve, gruaja duhet të ketë një shenjë autoriteti mbi kokë.” (I Korinthiasit 11:3-10)
Arsyetimi i Shën Palit për gratë e mbuluara është se mbulesa përfaqëson një shenjë autoriteti të burrit – që është shëmbëllimi dhe lavdia e Zotit – mbi gruan, që u krijua prej dhe për burrin.
Shën Tertuliani në traktatin e tij të njohur Mbi Mbulimin e Virgjëreshave, shkruante:
“Gra të reja, t’i vishni shamitë jashtë në rrugë, po kështu t’i vishni në kishë, t’i vishni kur jeni mes të huajve, pastaj t’i vishni midis vëllezërve tuaj..”
Midis ligjeve kanunore të Kishës Katolike sot ekziston një ligj që kërkon patjetër nga gratë që t’i mbulojnë medoemos kokat kur hyjnë në Kishë. Diza degëzime kristiane, siç janë ato të amishëve dhe memonitëve, për shembull, vazhdojnë t’i mbajnë gratë të mbuluara gjer më sot e kësaj dite. Arsyeja për mbulesën që ofrohet nga udhëheqësit e tyre të Kishës është se “mbulesa e kokës përbën simbol të nënshtrimit të gruas ndaj burrit dhe Zotit.” E njëjta logjikë paraqitej nga Shën Pali në Dhiatën e Re.

Tradita islame

Hulumtimi i librave fetarë dhe tradicionalë fetarë çifuto-kritianë qartë tregon se Islami nuk e shpiku mbulesën e kokës, shaminë, hixhabin për femrën. Përkundrazi, Islami e gjeti këtë traditë dhe e konfirmoi atë. Kur’ani i urdhëron burrat dhe gratë besimtare të ulin shikimin ngulmues dhe të ruajnë modestinë e tyre, e pastaj i urdhëron gratë besimtare t’i zgjasin mbulesat e tyre deri tek duart dhe kraharori:
“Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet dhe të ruajnë modestinë e tyre … thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë bukurinë dhe stolitë e tyre, përveç atyre (stolive) që janë (gjithsesi) të dukshme; le të vënë shamitë mbi kraharorët e tyre.” (24:30-31)
Kur’ani është tepër i qartë [në të treguarit] se mbulesa është pjesë kyç e një recete të krijuar për qëllimet e modestisë, po përse vallë modestisë? Kur’ani është përsëri i qartë:
“O Pejgamber, thuaju grave të tua, bijave të tua, dhe grave të besimtarëve, le të vënë shamitë e veta mbi trupat e tyre, që të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen (a cënohen).” (33:59)
Kjo është e gjithë çështja, modestia është parashtruar që të mbrojë gratë nga ofendimet, apo thjesht – modestia është mbrojtje. Kështu, qëllimi i vetëm i mbulesës në Islam është mbrojtja. Mbulesa Islame, në ndryshim nga ajo e traditës kristiane, nuk është shenjë e autoritetit të burrit mbi gruan dhe as shenjë e nënshtrimit të saj ndaj tij. Mbulesa islame, në ndryshim nga tradita çifute, nuk është shenjë luksi dhe dallimi për disa gra të martuara të fisme. Mbulesa islame është vetëm shenjë modestie për arsyen e vetme të të mbrojturit të grave – të gjitha grave. Filozofia islame e mbulesës së femrës qëndron në atë se është gjithmonë më mirë të jesh e sigurtë sesa e vajtueshme. Ç’është e vërteta, Kur’ani kështu interesohet për të mbrojtur trupat e grave dhe reputacionin e tyre, saqë një burrë që guxon të akuzojë pa të drejtë një grua për pandershmëri, do të dënohet rreptësisht:
“Dhe ata që bëjnë shpifje për gratë e ndershme dhe nuk sjellin katër dëshmitarë, rrahini me nga tetëdhjetë goditje dhe atyre mos ua pranoni dëshminë më kurrë. Të tillët janë të pabesueshëm.” (24:4)
Krahasojeni këtë qëndrim të rreptë të Kur’anit me dënimin jashtëzakonisht të lehtë për përdhunim në Bibël:
“Nëse një burrë ndodh të takojë një virgjëreshë që s’është dakord të martohet (me të) dhe e përdhunon atë e ata zbulohen, ai duhet t’i paguajë babait të vajzës pesëdhjetë shekele argjendi. Ai duhet të martohet me vajzën, sepse ai e ka dhunuar atë. Ai s’mund ta divorcojë atë për sa (kohë ai) të jetë gjallë.” (Deuteronomi 22:28-30)
Këtu duhet bërë një pyetje e thjeshtë: kush u dënua në të vërtetë? Burri që vetëm pagoi një gjobë për përdhunimin, apo vajza që detyrohet me forcë të martohet me njeriun që e përdhunoi atë dhe të jetojë me pahir me të gjersa ai të vdesë? Një tjetër pyetje që duhet bërë është: ç’është më mbrojtëse për gratë, qëndrimi i rreptë kur’anor, apo qëndrimi i vokët biblik?
Disa njerëz, sidomos në Perëndim, do përpiqeshin ta përqeshnin argumentin e modestisë për [qëllim] mbrojtjeje. Argumenti i tyre është se mbrojtja më e mirë është përhapja e edukimit, sjelljes së qytetëruar dhe vetëpërmbajtjes. Ne do thonim: në rregull, por jo e mjaftueshme. Nëse ‘qytetërimi’ mjafton për mbrojtje [të grave] atëherë përse gratë në Amerikën e Veriut s’guxojnë të ecin vetëm në një rrugë të errët, madje as përgjatë një vendparkingu të zbrazët? Nëse arsimimi është zgjidhja, atëherë përse një universitet si i Queen’s ka një ‘walk home service’ për studentet në qytezën studentore? Nëse ‘vetë-përmbajtja’ është përgjigja, atëherë përse vetëm në ShBA, ndodh një përdhunim në çdo 12 minuta; përse janë rastet e bezdisjes seksuale në vendin e punës në lajmet e mediave çdo ditë? Një përmbledhje e të akuzuarve për sulme seksuale në këto pak vitet e fundit përfshin oficerë marine, menaxherë, profesorë universitetesh, senatorë, gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe Presidentin e Shteteve të Bashkuara! Unë s’mund t’i besoja syve kur lexova statistikat e mëposhtme, të shkruara në një pamflet të nxjerrë nga Dekani i Zyrës së Grave në Queen’s University:
Në Kanada:

Një grua sulmohet seksualisht çdo 6 minuta;
1 ndër 3 gra në Kanada do sulmohet seksualisht në një kohë të jetës së saj;
1 ndër 4 gra janë në rrezik të përdhunimit ose përpjekjes së përdhunimit jetës së tyre;
1 ndër 8 gra do to sulmohet seksualisht gjatë ndjekjes së kolegjit universitetit dhe;
Një studim zbuloi se 60% e meshkujve në moshë universitare thanë se kryenin lirshëm sulmim seksual po të ishin të sigurt se nuk do të kapeshin!
Në ShBA:

Femra është rrahur, në shëpi apo jashtë saj, çdo 15 sekonda;
Çdo muaj 50 mijë femra kanë kërkuar ndihmë nga organet kompetente;
Vetëm 7% të femrave nuk kanë pësuar kurë kurrfarë sulmi apo ofendimi seksual;
Nëse viktimat e dhunës familjare do të kapeshin dorë për dore gjatë vitit 1993 në ShBA, rendi do të zgjaste nga Nju Jorku deri në Los Angjeles.
Në Angli dhe Wells, vetëm në vitin 1987 janë dhunuar 22.239 femra, deri sa janë bërë 120.060 aspekte të tjera të atakut apo ofendimit seksual.
Është interesant të theksohet se keqbërësit e këtyre veprave pranojnë që këto instinkte i shtyjnë të bëjnë dhunë seksuale:

Prania e femrës në çdo vend me pamje provocative dhe ngacmuese;
Ngacmimi i epsheve që çon në humbjen e vetëkontrollit dhe;
Filmat pornografik, revistat dhe gazetat e të ngjashme.
Diçka është e gabuar në thelb në shoqërinë ku jetojmë. Një ndryshim rrënjësor në mënyrën e jetesës të shoqërisë dhe kulturës është absolutisht i nevojshëm. Një kulturë modestie nevojitet dëshpërueshëm; modesti në veshje, të folur dhe në sjelljet e burrave dhe grave. Pëndryshe statistikat e errëta do rriten edhe më keq ditë pas dite e, për fat të keq, vetëm gratë do ta paguajnë çmimin. Ç’është e vërteta, ne të gjithë do vuajmë, por siç ka thënë Khalil Gibran “…nuk është njëlloj për personin që kamxhikët i pëson si për të që ato i numëron.”
Prandaj, një shoqëri si Franca që përjashton vajzat e reja nga shkolla për shkak të veshjes së tyre modeste, në fund të fundit, thjesht dëmton veten.
Është ndër ironitë e mëdha të botës sonë moderne sot se krejtësisht e njëjta mbulesë koke së cilës i tregohet respekt si shenjë ‘shenjtërie’ kur vishet për qëllimin e të treguarit të autoritetit të burrit nga murgeshat katolike, shahet rëndazi si një shenjë ‘shtypjeje’ kur vishet për qëllimin e mbrojtjes nga gratë muslimane.

Qëndrimi i medhhebit hanefij rreth mbulesës

Në aprim shkolla juridike hanefite mendon se femrës i lejohet ta zbulojë fytyrën dhe duart dhe se mehskujt kanë të drejtë të shikojnë në fytyrë dhe duar të femrave, nëse ky shikim nuk është me pasion. Në veprën Bidajet’ul-mubtedi shkruan: “Nuk i lejohet meshkullit ta shikojë femrën e huaj, pos fytyrën dhe duart e saj.”
Nëse shikimi është me pasion dhe epshe, apo kur në shoqëri mungon norma islame e sjelljes, sikur ulja e shikimit, juristët mendojnë se është detyrim të mbulohet fytyra si mbrojtje nga amorali.
Vehbi Sulejman el-Gavoçi, në komentin e veprës Multaka’l-Ebhur thotë: “Baza në medhhebin e Ebu Hanifes është që femrës i lejohet ta çelë fytyrën dhe duart kur është në mjedis ku meshkujt dhe femrat janë të ndershëm. Mnirëpo, kur kjo bazë ndryshon dhe nuk është e sigurt nga fitneja, atëherë femra ka për detyrë ta mbulojë tërë trupin dhe duart, si preventivë nga fitneja dhe ajo që shpie aty. “

Gjendja e femrës muslimane sot dhe perspektiva

Pyetja e detyrueshme e të gjithë jomuslimanëve por edhe muslimanëve do të ishte:
A marrin gratë muslimane në botën muslimane sot trajtimin fisnik të përshkruar apo të theksuar më sipër? Përgjigja, për fat të keq, është: Jo. Meqë kjo pyetje është e pashmangshme në çdo diskutim që ka të bëjë me statusin e gruas në Islam, duhet të shtjellojmë më tej mbi përgjigjen për t’i siguruar lexuesit pamjen e plotë.
Duhet bërë e qartë së gati të gjitha shoqëritë muslimane – në një shkallë apo një tjetër – kanë devijuar nga idealet e Islamit lidhur me statusin e grave. Këto devijime kanë qenë, në pjesën dërrmuese, në njërin prej dy drejtimeve të kundërta. Drejtimi i parë është më konservativ, shtrëngues dhe i orientuar nga traditat, ndërsa i dyti është më liberal dhe i orientuar nga Perëndimi.
Shoqëritë që janë shmangur në drejtimin e parë i trajtojnë gratë sipas zakoneve dhe traditave të trashëguara nga paraardhësit e tyre. Këto tradita zakonisht i privojnë gratë nga shumë të drejta që u janë dhuruar atyre nga Islami. Përveç kësaj, gratë trajtohen sipas standardesh krejtësisht të ndryshme nga ato me të cilat trajtohen burrat. Ky diskriminim përshkon [gjithë] jetën e çdo femre:

ajo pritet me më pak gëzim kur lind sesa një djalë;
ajo ka më pak gjasje të shkojë në shkollë; ajo mund të deprivohet nga çfarëdolloj pjese në trashëgiminë e familjes së saj;
ajo ndodhet nën mbikqyrje të vazhduar me qëllim që të mos sillet pahijshëm, ndërkohë që veprimet e pahijshme të të vëllait tolerohen – ajo madje mund të vritet se ka kryer diçka për të cilën pjesëtarët meshkuj të familjes së saj zakonisht krekosen që e bëjnë;
ajo ka shumë pak ndikim në çështjet e familjes apo interesat e bashkësisë;
ajo mund të mos ketë kontroll të plotë mbi pronën e saj dhe dhuratat martesore që ka marrë; dhe së fundi si nënë ajo vetë do preferonte të dhuronte djem për të arritur një status më të lartë në bashkësinë e vet.
Nga ana tjetër, ka shoqëri muslimane (apo klasa të caktuara përbrenda disa shoqërive) që janë fshirë mënjanë nga kultura dhe mënyra e jetesës perëndimore. Këto shoqëri shpesh imitojnë pa menduar çfarëdo që marrin nga Perëndimi dhe zakonisht përfundojnë duke përvetësuar frytet më të këqija të qytetërimit perëndimor. Në këto shoqëri, përparësia kryesore e një gruaje tipike “moderne” është t’ia ngrisë vlerën bukurisë së saj fizike. Prandaj, ajo është vazhdimisht e obsesionuar me formën e trupit, përmasat dhe peshën e saj. Ajo priret të shqetësohet më shumë për trupin e saj sesa mendjen dhe më tepër për pamjen joshëse të saj sesa për intelektin. Aftësia e saj për të joshur, tërhequr dhe eksituar vlerësohet më shumë në shoqërinë ku jeton sesa arritjet e saj arsimore, përparimet intelektuale dhe puna në shoqëri. Nuk pritet të gjehet një kopje e Kur’anit në çantën e saj sepse është plot me prodhime kozmetike të cilat e shoqërojnë atë kudo që shkon. Përshpirtshmëria e saj nuk ka vend në një shoqëri të preokupuar me tërheqshmërinë e saj.
Prandaj, asaj do i pëlqente ta kalonte jetën duke u përpjekur më shumë për të vënë në pah feminilitetin e saj sesa për të përmbushur njerzshmërinë e saj.
Përse devijuan muslimanët nga idealet e Islamit? Nuk ka një përgjigje të lehtë. Një shpjegim depërtues i arsyeve përse muslimanët nuk kanë ndjekur me vendosmëri dhe patundshëm drejtimin kur’anor lidhur me gratë do ishte përtej qëllimit të këtij studimi. Duhet bërë e qartë, megjithatë, se shoqëritë muslimane kanë devijuar nga udhëzimet islame lidhur me aq shumë aspekte të jetëve të tyre për kaq gjatë. Ka një hendek të gjerë ndërmjet asaj në të cilën muslimanët duhet të besojnë dhe asaj që bëjnë në praktikë në të vërtetë. Ky hendek nuk është një dukuri e sotshme. Ai ka qenë i pranishëm me shekuj dhe po zgjerohet nga dita në ditë. Ky hendek gjithnjë e më i gjerë ka patur pasoja shkatërrimtare mbi botën muslimane në gati të gjitha aspektet e jetës: tirani dhe fragmentim politik, prapambetje ekonomike, padrejtësi sociale, falimentim të shkencës, vendqendrim intelektual, etj. Statusi jo-islam i grave në botën muslimane sot është thjesht një simptomë e një sëmundjeje më të thellë. Cilado reformë në statusin e tanishëm të grave muslimane nuk pritet të jetë e frytshme nëse nuk shoqërohet nga reforma më kuptimplota të krejt mënyrës së jetesës së shoqërive muslimane. Botës muslimane i nevojitet një rilindje që do e sjellë atë më pranë idealeve të Islamit, e jo më larg. Për ta përmbledhur, mendimi se statusi i varfër i grave muslimane sot në botë është për shkak të Islamit, përbën një keqkonceptim të skajshëm. Problemet e muslimanëve në përgjithësi s’janë për arsye të lidhjes së tepruar me Islamin, ato janë kulminimi i një shkëputjeje të gjatë dhe të thellë prej tij.
Duhet ritheksuar, gjithashtu, se qëllimi pas këtij studimi krahasues nuk është në asnjë mënyrë të shahet Judaizmi apo Krishterizmi. Pozicioni i grave në traditën judeo-kristiane mund të duket i frikshëm nga standardet tona të fundshekullit të njëzetë. Megjithëkëtë, ai duhet vështruar brenda kontekstit të duhur historik. Me fjalë të tjera, çdo vlerësim objektiv i pozicionit të grave në traditën judeo-kristiane duhet të marrë parasysh rrethanat historike nën të cilat kjo traditë u zhvillua. S’mund të ketë asnjë dyshim se pikëpamjet e Rabinëve dhe Etërve kishtarë lidhur me gratë u ndikuan nga qëndrimet mbizotëruese ndaj grave në shoqëritë e tyre. Vetë Bibla u shkrua nga autorë të ndryshëm në kohë të ndryshme. Këta autorë s’mund të kenë qenë të padepërtueshëm nga vlerat dhe mënyra e jetesës së njerëzve rreth tyre. Për shembull, ligjet e adulterisë së Dhiatës së Vjetër janë aq të anshme kundër grave, saqë ato sfidojnë një shpjegim racional nga mentaliteti ynë. Megjithatë, nëse marrim parasysh faktin se fiset e hershme çifute ishin të obsesionuara me homogjenitetin e tyre gjenetik dhe skajimisht këmbëngulës për ta përkufizuar vetveten anash fiseve rrethuese, dhe se vetëm shkeljet seksuale të femrave të martuara të fiseve mund t’i kërcënonin këto aspirata të ushqyera, ne atëherë mund të ishim në gjendje të kuptonim – por jo medoemos të simpatizonim me – arsyet e kësaj anshmërie. Gjithashtu, kritikat e ashpra e të idhëta të Etërve kishtarë kundra grave s’duhet të shkëputen nga konteksti i kulturës misogjiniste greko-romake në të cilën ata jetonin. Do të ishte e pandershme të vlerësonim trashëgiminë judeo-kristiane pa i kushtuar asnjë vëmendje kontekstit historik përkatës. Ç’është e vërteta, një i kuptuar i drejtë i kontekstit historik judeo-kristian është gjithashtu vendimtar për të kuptuarit e domethënies së kontributit të Islamit ndaj historisë dhe qytetërimit njerëzor. Tradita judeo-kristiane është ndikuar dhe trajtësuar nga rrethanat, kushtet dhe kulturat në të cilat ka ekzistuar. Aty nga shekulli i VII pas Krishtit, ky ndikim kishte shtrembëruar mesazhin origjinal hyjnor shpallur Moisiut dhe Jezusit (a.s), deri sa të mos njihej më. Statusi i varfër i grave në botën judeo-kristiane nga shekulli i shtatë është vetëm një rast në çështjen që po diskutojmë. Prandaj, kishte një nevojë të madhe për një mesazh të ri hyjnor që do e kthente njerëzimin përsëri në rrugë të mbarë. Kur’ani e përshkroi misionin e të Dërguarit të ri si një çlirim për çifutët dhe të krishterët nga barrat e rënda që kishin qenë mbi ta:
“(Ata) që pranojnë (pasojnë) të Dërguarin, Profetin e paarsimuar (që nuk shkruan e as lexon), të cilin e gjejnë të cilësuar në shkrimet (e shenjta) të vetë atyre – në Teurat dhe Ungjill – e që i urdhëron ata për çdo të mirë e i ndalon nga çdo e keqe; lejon ushqimet e këndshme dhe ua ndalon të pakëndshmet e i liron ata nga barra e rëndë e tyre dhe prangat që ishin mbi ta.” (El-A’raf, 7:157)
Prandaj Islami nuk duhet vështruar si një traditë rivale ndaj Judaizmit apo Krishterizmit. Ai duhet konsideruar si përsosja, përfundimi dhe përkryerja e mesazheve hyjnore që ishin shpallur para tij.

Në vend të përfundimit
Në fund të këtij studimi, do të doja t’i ofroja këshillën e mëposhtme bashkësisë globale muslimane. Aq shumë grave muslimane u janë mohuar të drejtat themelore islame për kaq gjatë. Gabimet e së kaluarës duhen ndrequr. Kryerja e kësaj nuk është një shërbesë, ajo është një detyrë që i ngarkohet të gjithë muslimanëve. Bashkësia mbarëbotërore muslimane prej 1.5 miliardë besimtarësh duhet të nxjerrë një kartë të të drejtave të bazuar në udhëzimet e qarta të Kur’anit dhe mësimet e Profetit të Islamit (s). Kjo kartë duhet t’u japë grave muslimane të gjitha të drejtat dhuruar atyre nga Krijuesi i tyre. Atëherë, të gjitha mjetet e nevojshme duhet të zhvillohen me qëllim që të sigurojë zbatimin e duhur të kartës. Kjo kartë është një borxh i lënë pas dore, por më mirë vonë se kurrë. Nëse muslimanët nëpër botë nuk do i garantojnë të drejtat e plota të nënave, grave, motrave dhe bijave të tyre, kush tjetër do e bëjë këtë atëherë?
Për më tepër, ne duhet të kemi kurajon të përballojmë të kaluarën tonë dhe të flakim traditat dhe zakonet e stërgjyshërve tanë kurdo që këto i kundërvihen udhëzimeve të Islamit. A nuk i kritikoi Kur’ani rreptësisht arabët paganë për të ndjekurit e verbër të traditave të paraardhësve të tyre? Nga ana tjetër, ne duhet të zhvillojmë një qëndrim kritik ndaj çfarëdogjëje që marrim nga Perëndimi, apo nga cilado kulturë tjetër. Bashkëveprimi me dhe të mësuarit nga kulturat e tjera është një përvojë e paçmueshme. Kur’ani e ka konsideruar në mënyrë të përmbledhur këtë bashkëveprim si një nga qëllimet e Krijimit:
“O’ njerëz, Ne ju krijuam nga një çift mashkulli dhe femre, dhe ju bëmë në popuj e fise që të njiheni mes njëri-tjetrit.” (49:13)
S’ka nevojë të thuhet, megjithatë, se një imitim i verbër i të tjerëve është një shenjë e sigurt e një mungese të skajshme të vetë-vlerësimit.
Është lexuesi jo-musliman, çifut, kristian apo tjetër, ai të cilit i drejtohen këto fjalë të fundit. Është e habitshme përse feja që ka revolucionarizuar statusin e grave veçohet dhe abuzohet me fyerje të rënda si më shtypësja e grave. Ky përndijim për Islamin është një nga mitet më të shumëpërhapura në botën tonë sot. Ky mit po përjetësohet nga një barazh i pareshtur librash, artikujsh, pamjesh mediatike dhe filmash hollivudianë sensacionalë. Rrjedhimi i pashmangshëm i këtyre pamjeve të pareshtura ngatërruese ka qenë keqkuptimi total dhe frika prej çdo gjëje të lidhur me Islamin. Ky portretizim negativ i Islamit në mediat botërore duhet të marrë fund, nëse duam të jetojmë në një botë të liruar nga të gjitha gjurmët e diskriminimit, paragjykimit dhe keqkuptimit. Jo-muslimanët duhet të kuptojnë ekzistencën e një hendeku të gjerë ndërmjet besimeve dhe praktikave të muslimanëve dhe faktin e thjeshtë se veprimet e muslimanëve nuk përfaqësojnë medoemos Islamin. T’i mveshësh statusit të grave në botën muslimane emrin ‘islamik’ është aq larg nga e vërteta sa të quajturit e pozicionit të grave në Perëndim sot – “judeo-kristian”. Me këtë të kuptuar në mendje, muslimanët dhe jo-muslimanët duhet të fillojnë një proces komunikimi dhe dialogu për të hequr tutje të gjitha keqkuptimet, dyshimet dhe frikërat. Një e ardhme e paqtë për familjen njerëzore e bën të nevojshëm një dialog të tillë.
Islami duhet të shikohet si një fe që përmirësoi jashtëzakonisht statusin e grave dhe u dhuroi e garantoi atyre shumë të drejta që në botën moderne e njohën vetëm në këtë shekull. Islami ka ende shumë për t’i ofruar gruas së sotme: dinjitetin, respektin dhe mbrojtjen në të gjitha aspektet dhe etapat e jetës së saj që nga lindja gjer në vdekje, përkrah njohjes, ekuilibrit dhe mjeteve efikase për përmbushjen e të gjitha nevojave të saj të përshpirtshme, intelektuale, fizike dhe emocionale. S’është çudi përse shumica e atyre që zgjedhin të bëhen muslimanë në një vend si Britania janë gra. Në ShBA kthimet e grave në Islam i kalojnë ato të burrave 4 herë me 1. Islami ka aq shumë për t’i ofruar botës sonë që ndodhet në një nevojë të madhe për drejtim dhe udhëheqje morale. Ambasadori Herman Eilts, në një raportim përpara Komitetit të Punëve të Jashtme të Shtëpisë së Përfaqësuesve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara më 24 Qershor 1985, tha:
“Bashkësia muslimane e globit sot është në pragun e një miliardi. Kjo është një figurë impresionuese. Por ajo që më impresionon njëlloj mua është se sot Islami është feja monoteiste me rritje më të shpejtë në botë. Kjo është diçka që duhet ta marrim parasysh. Ka diçka të drejtë në lidhje me Islamin. Ai po tërheq një numër të madh njerëzish.” Po, diçka është e drejtë te Islami dhe është koha të shohim çfarë. Shpresoj se ky studim përbën një hap në këtë drejtim.

SHPËRNDAJE