Isak Xhamia në qendër të Manastirit të mërkurën në mëngjes u përfshi nga mbishkrime naciste dhe raciste. Në dyert e xhamisë në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës, besimtarët kanë hasur në mbishkrimet me përmbajtje kryesisht antishqiptare si “Vdekje për shqiptarët” (“smrt za siptari”).

Mbishkrimet janë të shënuar në dyert hyrëse dhe në muret e xhamisë.

Myftiu i Manastirit nuk ka komentuar këtë akt vandal dhe me mesazhe raciste dhe antifetare.

Besimtarët myslimanë që kanë hasur mbishkrimet kanë qenë të tmerruar nga ky akt. Myftinia ka kërkuar që menjëherë të hetohen dhe të zbulohen autorët e këtyre akteve.

Mbishkrimet në xhami kanë qenë temë aktuale sot në mesin e manastirasve, të cilët e kanë përcjellë nën tensione këtë akt vandal në qytetin e tyre.

Një pjesë e banorëve kanë dënuar aktin, duke theksuar se kjo dëmton marrëdhëniet e mira ndërfetare dhe ndëretnike në Manastir.

Isak Xhamia është e ndërtuar në vitin 1506 në Manastir dhe ajo është një nga xhamitë më të vjetra në rajon. Kjo xhami në disa raste ishte përfshirë si cak i sulmeve dhe mbishkrime të ndryshme që pas konfliktit të vitit 2001. (NA)

SHPËRNDAJE