Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se mbikëqyrja e pavarësisë përmbyllet këtë vit në mënyrë të suksesshme dhe në këtë sukses rol vendimtar ka pasur puna efikase e Kuvendit, Qeverisë dhe të gjitha institucioneve tjera.

Duke folur për raportet Kuvend-Qeveri, ai ka theksuar se forcimi i rolit mbikëqyrës të Kuvendit është thelbësor dhe ndikon në forcimin e demokracisë në vend.

Thaçi këto komente i ka bërë në Konferencën për marrëdhëniet ndërmjet ekzekutivit dhe legjislativit të organizuar nga OSBE.

Ai ka deklaruar me këtë rast se duke pasur parasysh rregullimin e brendshëm të Republikës së Kosovës dhe ndarjen e qartë të pushteteve të legjislativit, ekzekutivit dhe të gjyqësorit funksionimi i këtyre institucioneve në përputhje me Kushtetutën përbën themelin e sistemit demokratik të shtetit të Kosovës.

“Në këtë aspekt forcimi i rolit mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës është thelbësor dhe ndikon në forcimin e demokracisë në Kosovë. Përmirëson punën e Qeverisë sa i përket performancës dhe siguron që si institucion i cili përfaqëson vullnetin e qytetarëve të vendit, të sigurohet se zëri dhe vullneti i qytetarëve tanë të respektohet”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, si parakusht themelor i ndërtimit të legjislacionit modern që i shërben funksionimi të demokracisë është bashkëpunimi i vazhdueshëm i Kuvendit dhe ekzekutivit në shërbim të interesit të qytetarit dhe të forcimit të shtetit demokratik dhe ligjor.

Në kuadër të shtetndërtimit të Kosovës, bashkëpunimi i ekzekutivit dhe kuvendit ka shërbyer në krijimin e kornizës ligjore të përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës dhe dispozitat e Planit të presidentit Ahtisaari.

“Përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë përfundon këtë vit në mënyrë të suksesshme dhe në këtë sukses rol vendimtar ka pasur puna efikase e Kuvendit , Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucioneve tjera”, ka theksuar kryeministri.

Sipas tij, në kuadër të procesit të integrimit të Kosovës në BE bashkëpunimi midis Qeverisë dhe Kuvendit është edhe më tej i domosdoshëm.

“Implementimi i agjendës evropiane përmes adoptimit të ligjeve që janë në përputhje me atë evropian dhe përafrimit të legjislacionit është i pamundur nëse nuk ka bashkëpunim të ekzekutivit dhe legjislativit. Në këtë drejtim Kosova është shembull”, theksoi kreu i Qeverisë.

Sipas tij, procesi i integrimit është një proces afatgjatë që kërkon reforma të thella.

SHPËRNDAJE