Mbi 70 mjekë shqiptarë të punësuar në klinikat e Shkupit dhe spitalet e tjera të Maqedonisë morën vendimet e tyre të punës. Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë, Bujar Osmani theksoi se ky është realizimi i ëndrrës së kamotshme të shumë mjekëve shqiptarë për t’u punësuar në klinikat e Shkupit. Ai shtoi se për dallim nga e kaluara kur shqiptarët i vizitonin klinikat e Shkupit si pacient, tani situata ka ndryshuar sepse një numër i madh i personelit mjekësorë në këto spitale do të jenë edhe shqiptarët. Osmani shprehet se këto punësime frytin e tyre do ta japin në periudhën që vjen.

“Ëndrra e çdo mjeku shqiptar vetëm para 10 viteve, para vitit 2001 ka qenë se a do të punësohet në ndonjë ambulancë rurale pas diplomimit, kurse në klinikat e Shkupit shqiptarët kanë hyrë vetëm si pacientë edhe atë të nënshtruar, nënçmuar, por ndoshta edhe të lumtur kur kanë takuar ndonjë pastruese ose ndonjë teknik korridoreve që u ka folur shqip dhe i ka udhëzuar ata se ku duhet të kërkojnë ndihmën shëndetësore”, tha ministri Osmani.

Mjekët të cilët morën vendime punë, theksuan se ky hap është motivim shtesë për të ndihmuar popullatën shqiptare e cila ka nevojë për kuadër mjekësor shqiptarë.

“Kjo do të thotë me të vërtetë një punë e madhe për kyçjen e kuadrit shqiptar në institucionet e larta shëndetësore ku ato do të kontribuojnë për komunitetin aty ku veprojnë për avancimin e shëndetësisë në vendin e tyre”, tha mjeku Sead Emini.

“U integrua goxha një numër i madh i mjekëve shqiptar në institucionet shtetërore qofshin ato të klinikës së Shkupit apo qofshin ata të rretheve të periferive, në mjekimin e komuniteteve pa marrë parasysh se kujt komuniteti i takon e posaçërisht shqiptarëve”, tha mjeku Blerim Mustafa

“Ëndrra jonë të cilën e kemi ëndërruar më herët tani u bë një realitet”, tha mjeku Isa Muça. Për kontributin e dhënë në avancimin e pozitës të mjekëve shqiptarë edhe shëndetësisë në përgjithësi, organizata joqeveritare “Pro Vita”, i ndau mirënjohje ministrit Bujar Osmani, ndërsa 70 mjekëve u dhuroi nga një stetoskop.

SHPËRNDAJE