As dymbëdhjetë orë nuk kanë kaluar prej se ka filluar peticioni i cili kërkon nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që në përputhje me nenin 65 pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe nenet 15 dhe 38 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të mbajë debat parlamentar për ta trajtuar kërkesën: Të mos pranohet marrëveshja për përfaqësimin rajonal të Kosovës pa termin Republikë dhe me Rezolutën 1244 në fusnotë, dhe numri i qytetarëve që kanë vënë firmën në mbrojtje të Republikës së Kosovës po rritët shumë shpejt.

Deri më tani aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje! kanë arritur që t’u mundësojnë mbi 7 mijë e 500 qytetarëve që të firmosin kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, thuhet në një komunikatë të kësaj Lëvizjes Vetëvendosje!.

Qytetarët me rastin e dhënies së nënshkrimit shprehen thellësisht të indinjuar dhe shfaqin papranueshmërinë e tyre për kompromiset e Qeverisë në dëm të interesit tonë të përgjithshëm.
Mbledhja e nënshkrimeve do të vazhdojë edhe sot në 28 qendra nëpër Kosovë. Ekipe mobile gjithandej nëpër Kosovë do të përkujdesën që t’ua mundësojnë sa më shumë qytetarëve nënshkrimin e peticionit.

Krahas mbledhjes së nënshkrimeve qytetarët po informohen edhe për demonstratën gjithë-popullore në mbrojtje të Republikës së Kosovës, e cila do të mbahet nesër, e hënë, 27 shkurt duke filluar nga ora 12:00, në sheshin “Nëna Terezë” dhe para Qeverisë në Prishtinë.

SHPËRNDAJE