Kanë qenë rreth 2000 pasagjerët e nisur nga Durrësi për në Ankona të Italisë, por që kanë përfunduar në Bari. Ndryshimi i destinacionit ka ndodhur për shkak të defektit në njërin prej motorëve të tragetit ‘Klaudia Prima’ i kompanisë Adria Ferres, që bënte linjën Durrës-Ankona, por që nga mbrëmja e djeshme ndodhet në portin e Barit.

Trageti, i cili duhet të nisej në orën 19:00 të datës 1 shtator, nuk kishte ardhur akoma në port në atë orë, por ka mbërritur në orën 05:00 të mëngjesit të datës 2 shtator, ndërsa nisja e tij drejt Ankonës u bë pas rreth 1 ore, në orën 6:00.

Por edhe pse më në fund menduan se ‘u nisën’ për në Ankona – destinacioni për të cilin kishin prerë biletat – gjatë udhëtimit i lajmëruan se destinacioni përfundimtar do të ishte Bari, ‘pasi për shkak të dallgëve të mëdha nuk mund të shkohej në Ankona’. Pasi kanë mbërritur, 1500 pasagjerë prej tyre janë irrituar dhe kanë protestuar në port, për të marrë një përgjigje për gjithë këtë situatë dhe se dikush duhet të mbante përgjegjësi, raporton koha.

Disa janë shprehur për A1 Report, se kanë humbur punën dhe biletën për në Ankona. Disa kanë treguar se, mes tyre gjenden edhe fëmijë, e të moshuar, të lodhur e të sëmurë dhe askush nuk po i ndihmon, as shteti italian dhe as shteti shqiptar, por ndihen të lënë mes katër rrugëve të Barit, disa edhe pa paratë e nevojshme. Ata i bënë apel qeverisë shqiptare, që t’iu japë zgjidhje dhe të mos anashkalojë raste të tilla diskriminimi./Indeksonline/

SHPËRNDAJE