Mbërrin në Atdhe trupi i Feti Voglit

Homazhe për nder të Dëshmorit të Atdheut Feti Vogli

Shteti shqiptar do të nderojë sot Dëshmorin e atdheut, Kapitenin Feti Vogli, i cili mbeti i vrarë 4 ditë më parë në Kandahar të Afganistanit. Trupi i Voglit ka mbërritur rreth orës 03:05 të mëngjesit të sotëm në aeroportin “Nënë Tereza” me anë të një avioni të NATO-s.

Në orën 04 e 30 minuta kortezhi është nisur në drejtim të fshatit Baldushk, aty ku familja e Kapitetit ka më shumë se 4 ditë që ka hapur dyert për të pritur ngushëllimet.

Ceremonia mortore familjare është zhvilluar nga ora 06:45-10:00 ndërsa më pas trupi i të ndjerit është transportuar drejt Pallatit të Kongreseve ku do të zhvillohen edhe homazhet për nder të tij.

Në homazhe do të marrin pjesë krerët më të lartë të shtetit si presidenti Topi, kryeministri Berisha, kryeparlamentarja Topalli, ministri i mbrojtjes Arben Imami, Shefi i Shtabit dhe përfaqësuesit e trupit diplomatik.

Ndërsa në orën 13:00 arkivoli me trupin e pajetë të kapitenit Feti Vogli do të dërgohet në Varrezat e Dëshmorëve ku do të zhvillohet edhe ceremonia e Apelit të Fundit që do të mbahet nga Komandanti i Batalionit të Operacioneve Speciale, Kolonel Dritan Demiri.

Kapiteni Feti Vogli u vra gjatë një sulmi në Kandahar të Afganistanit ku si pasojë e këtij sulmi u plagos edhe nëntetari Aleksandër Peçi.

Kush ishte Kapiten Feti Vogli?

Kapiten Feti Vogli, i lindur më 23, maj 1981, në fshatin Baldushk të rrethit të Tiranës, është i martuar dhe ka një vajzë 2 vjecare.

Pas mbarimit të Akademisë Ushtarake, në specialitetin Artileri Toksore u bë pjesë e Forcave të Armatosura, me detyrë komandant Toge në Brigadën e Stërvitjes të Bazës Bunavi.

Pas kryerjes me sukses të kursit Bazë të Forcave Speciale më datë 16.07.2005 është bërë pjesë e Batalionit të Forcave Speciale me detyrë Komandant Grupi.

Nga data 1.06.2010 kryente detyrën e komandantit të Grupit të Parë Special në kompaninë e Aksioneve Speciale Ujore.

Kapiten Feti Vogli ishte një ushtarak kariere i shkëlqyer dhe si rezultat i arritjeve në detyrë është dekoruar disa herë me medalje ndryshme si, Medalja e Karierës. Medalja për Shërbime Ndërkombëtare. Medalje për shërbime të Shquara nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2010.

Nga data 16.012012 është dërguar me mison luftarak “EAGLE 4” në përbërje të Batalionit të Forcave Speciale në Kandahar të Afganistanit.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni