Mbaron konferenca e gjuhës

(AIK-Presheva Jone)

Ka përfunduar konferenca shkencore “Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit”, organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike.

Mes debateve dhe tezave të ndryshme të hedhura nga gjuhëtarët në tryezën e diskutimit, është mbyllur në Durrës konferenca shkencore, “Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit”, organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike në datat 15-17 dhjetor.

Gjatë këtyre tri ditëve, specialistët e ftuar nga QSA-ja kanë referuar mbi problematikat aktuale të standardit të gjuhës shqipe duke argumentuar edhe pozicionimet e tyre. Programi i kësaj konference pati parashikuar që në fillim pesë sesione shkencore që patën përkatësisht këtë tematikë: Historia e formimit të standardit. Standardi dhe legjislacioni; Probleme gramatikore të standardit; Probleme të drejtshkrimit dhe të pasurimit të standardit; Marrëdhëniet e standardit me dialektet. Norma leksikore; Standardi dhe norma letrare (letërsia, shkolla, mediat). Pas çdo referati, specialistët kanë sjellë argumentet e tyre në mbrojtje, në kundërshtim, ose në specifikim të problemeve të veçanta. Pas çeljes së debatit, rreth një muaj më parë se të fillonte konferenca u vu re një ndarje mes gjuhëtarëve: ata që besonin se gjuha shqipe duhet të përshtatet me zhvillimet e kohës se standardi duhet të jetë i hapur ndaj pasurimeve gjuhësore dhe ishin pikërisht këta specialistë që më së shumti qenë të pranishëm në konferencë dhe ata që dolën në mbrojtje të standardit e paprekshmërisë së tij e që e shpallën këtë qëndrim ende pa filluar konferenca duke e bojkotuar këtë të fundit, ndonëse organizatorët në çdo rast dhe në prononcime publike u shprehën se konferenca nuk synon përmbysjen e standardit. Në fakt, mbetet për t’u parë nëse debati i nisur rishtazi mbi këtë çështje do të gjenerojë një punë studimore dhe një angazhim të gjuhëtarëve për të dalë në një përfundim të përbashkët. Këta 20 vjet kanë dëshmuar se kjo çështje është marrë, rimarrë e lënë sërish pezull.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni