MATOSHI: Të marrët nuk durohen mes veti

Halil Matoshit, shkrimtar dhe kritik i shoqërisë, nuk i kishte shkuar mendja se vërtet shumica e shqiptarëve të rëndomtë në Republikën e Shqipërisë kombin e kuptojnë të ndarë në rende qytetare.

Pas fyerjeve të shumta që ndodhën në portale të shumta të Shqipërisë nga qytetarët e atjeshëm me rastin e suksesit të Rona Nishliut në Eurosong, Matoshi thotë se “puritanët” e Tiranës rendin e parë të qytetarisë e përbëjnë ata vetë, pastaj në rendin e dytë të qytetarisë shqiptare renditen kosovarët, në të tretin shqiptarët e Maqedonisë dhe në të fundit ata nga hapësira e Malit të Zi dhe e Luginës së Preshevës.

Matoshi në intervistën për “Zërin”, ka potencuar edhe shpërfilljen, nënçmimin dhe fyerjen gjysmëzyrtare të “kosovarëve” se si flasin trashë, malokçe, me një fjalë, sipas tyre jo shqip “U desh të shfaqej ylli i Ronës që fyerja raciste t’u rrëshqasë nga goja shumë shqiptarëve”.

Zëri: Suksesi i Rona Nishliut qiti në pah xhelozinë ose raportin e vërtetë shqiptaro-shqiptar, pasi që rrjetet sociale u mbushën me komente edhe si këto: “çfarë race janë ata”, apo “na pushtuan si kinezët”. Mos kemi jetuar me ëndrra vëllazërore deri më tashti?

Matoshi: Rona Nishliu e ka përfaqësuar kombin shqiptar në Eurosong, jo Kosovën as kombin kosovar. Pse fyhet Kosova duke e identifikuar me Ronën “e tyre”? Nuk është e drejtë, madje as Political correctness…Rona është shqiptare edhe ligjërisht, jo vetëm etnikisht, sepse ka marrë pasaportë shqiptare dhe ka zgjedhur petkun e saj, ngjyrat e saj. Ajo ka zgjedhur lirisht identitetin e saj dhe bravo i qoftë. Kosova s’ka lidhje me këtë storje.

Nuk më kishte shkuar mendja se vërtet shumica e shqiptarëve të rëndomtë në Republikën e Shqipërisë kombin e kuptojnë të ndarë në rende qytetare, por do të kisha menduar në rastin më ekstrem se kosovarët fyhen vetëm nga qarqe nacionaliste shqiptare, mirëpo duke e bërë një lexim të shpejtë në kolumnet e shkruara nga kosovarët e të botuara në shtypin e Tiranës (“Tema”, “Respublica” dhe “Shqip”) vërejta se në kombin shqiptar, sipas “puritanëve” të Tiranës rendin e parë të qytetarisë e përbëjnë ata vetë, pastaj në rendin e dytë të qytetarisë shqiptare renditen kosovarët, në të tretin shqiptarët e Maqedonisë dhe në të fundit ata nga hapësira e Malit të Zi dhe e Luginës së Preshevës.

Kjo ndodh bile, për shkak të modelit imperialist mbi të cilin është ndërtuar kombi serb, dhe është përqafuar nga shqiptarët. Qasja ksenofobike ndaj kosovarëve në Republikën e Shqipërisë (mund të shihet në komente si këto, p.sh. shqiptari që mban një pseudonim kafshe për veten “Çakalli”, thotë: “Mësoni shqip o bylmezat turq të Titos, mësoni shqip ose vërini një emër tjetër asaj gjuhës tuaj të “kriposur” me fjalë që nuk i kupton njeri” ose “Na pushtuan si kinezët”!?

Mirëpo, në këso rastesh të duhet pak racionalitet dhe ftohtësi në shkallë gati indiference, sepse nuk mendojnë tërë qytetarët shqiptarë kështu, sëpaku jo qytetarët e edukuar shqiptarë, aq më pak ta ngrehin këtë ‘racizëm’ në doktrinë, me gjithë tendencat e hapura, diku më të zëshme e në disa qarqe me më tepër fleksibilitet.

Zëri: Deklaratat e politikanëve dhe atyre të këngëtarëve janë të matura dhe mbështetëse në raport mes Kosovës dhe Shqipërisë, mirëpo, deklaratat e qytetarëve të thjeshtë rrëzuan këtë imazh, cila është realja në këtë mes, deklaratat diplomatike apo të qytetarëve të thjeshtë?

Matoshi: Realja duhet kërkuar, është tek opinionet e qytetarëve të rëndomtë, sepse politikanët shqiptarë nuk guxojnë të shprehen lirshëm, ta thonë atë që ndiejnë, sepse humbasin kredi politike. Dy kryeministrat e dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës flasin për një komb unik shqiptar, pra kombi unik në këso rastesh është kthyer në një mit kombëtarist dhe thjesht prononcim bizar politik.

Duke qenë nën okupimin gati njëshekullor të tri Jugosllavive të dominuara nga Serbia, shqiptarët kosovarë, me ta zbulue lirinë kanë rënë në hall se si të jenë tash më të pranueshëm në Shqipëri (sidomos në Tiranë e më poshtë) pra, a duhet që të jenë krenarë me prejardhjen dhe mënyrën se si flasin dhe të kërkojnë nga pjesa tjetër e atyre njerëzve që konsiderohen apo perceptohen “krejt si na”, apo duhet ta pranojnë dhe të vuajnë nga kompleksi i vlerës më të ulët duke e vuajtur kompleksin e inferioritetit karshi një “hegjemonie” gjuhësore dhe kulturore.

Zëri: Përkundër komenteve të pahijshme, duke e parë këtë sinjal jo të këndshëm, çfarë mund të bëjmë për ta ndaluar këtë ‘konflikt’, nëse mund t’i themi, shqiptaro-shqiptar?

Matoshi: Disa rrethe hegjemoniste kulturore në Tiranë, duke instrumentalizuar një çështje kulturore, gjuhën shqipe, përkatësisht dialektin gegë të kosovarëve dhe përkatësinë kosovare të këngëtares Rona Nishliu, (Vetë mbiemri i saj flet shumë për dramën njëshekullore të kosovarëve) ose këtij çunit nga Reality Show, si mjet të luftës politike, për ta forcuar pushtetin e“rendit të parë të qytetarisë në komb” mbi tërësinë e gjërave, shfaqën të pavetëdijshmen e ndrydhur, imperializmin gjuhësor të jugut shqiptar, që po rizgjohet, karshi “elementëve reaksionarë” që kanë mbetur jashtë projektit të standardit të shqipes, të vendosur më 1972 me diktat të partisë-shtet dhe të diktatorit Enver Hoxha.

Ky diktat megjithatë në Prishtinë është pranuar “vullnetshëm”, i injektuar përmes propagandës ideologjike, nacional-socialiste, dhe duke shfrytëzuar një gjendje transi dhe euforie romantike të kosovarëve që sapo kishin shliruar pak lakun rreth fytit.

Zëri: E mendoni se kosovarët vdesin për shqiptarët e Shqipërisë dhe se kjo dashuri është e njëanshme?

Matoshi: Gjuha buron nga palca kurrizore e një populli, por secili pushtet dhe kurdoherë e mësyn atë, për ta vënë nën kontroll shoqërinë, etnopsikologjinë, emërtimet, cilësoret, logjikën e gjërave, madje dhe ëndrrat. Gjuhën e monopolizon pushteti. Gjuha është pushtet. Varësisht në ç’kah përdoret, ajo shëron ose lëndon. Pra gjuha edhe kafshon shpirtra. Gjuha është më e rrezikshme se bomba bërthamore, thotë shkrimtari hebre Amos Oz. Ajo helmon disa breza.

Këto përplasje, shikuar nga prizmi kosovar, po të ishin thjesht politike, aq u bën atyre, kosovarëve pra, por janë edhe kulturologjike, dëshmojnë për një çarje shpirtërore para se të dëshmojnë hendekun politik brenda vetë kombit shqiptar në Republikën e Shqipërisë, sado të kamufluar mirë, hala, në prag të 100-vjetorit të pavarësisë shtetërore…

Pas shpërfilljes, nënçmimit dhe fyerjeve gjysmëzyrtare të “kosovarëve” se si flasin trashë, malokçe, me një fjalë, sipas tyre jo shqip; u desh të shfaqej ylli i Ronës që fyerja raciste t’u rrëshqasë nga goja shumë shqiptarëve.

Zëri: Jetuam me mall për njëri tjetrin duke pasur kufirin në mes, tashti kur jemi të lirë të veprojmë, të bashkëpunojmë dhe të prezantohemi me ekipe të përziera, po ndodh diçka shumë e shëmtuar. Ku e adresoni këtë defekt?

Matoshi: Ditëve të fundit, kur Kosovës iu lejua të luaj futboll me kombet tjera, në miqësore, po e shoh dhe po dëgjoj nga kosovarë të shkretë fjali që shprehin konfuzionin identitar si asnjëherë më parë. Kolegë të mi, kinse intelektualë e politikanë provincialë më thonë se Kosova nuk mund, as nuk duhet, të ketë kombëtare në futboll, sepse kombëtarja i takuaka Shqipërisë, kurse Kosova lë të mjaftohet me një perfaqësuese. Ja qysh përvidhet kompleksi i inferioritetit.

Kosova do të jetë subjekt i të drejtës ndërkombëtare, njëjtë si Shqipëria, Kosova duhet të ketë kombëtare futbolli madje një kombëtare për t’u krenuar kosovarët. Në anën tjetër, në spektrin gjeokulturor shfryrja raciste ndaj Ronës ishte një shigjetë që qëlloi në shenjë, duke prekur tërë arealin verior shqiptar, pra edhe Kosovën.

Gjenealogjia e konfliktit siç e cilësoni ju shqiptaro-shqiptar ka një prapavijë politike hegjemoniste e jo gjuhësore ose krahinore, mirëpo, duke bërë politikë nga gjuha, shumë shqiptarë të Republikës së Shqipërisë (etnonacionalistë e fshatarësi e paemancipuar qytetarisht) e nxjerrin nënvetëdijshëm dufin pse kosovarët arritën të jenë “Njësi e rritur”, pra shtet, duke u barazuar kështu me të gjitha kombet e rajonit ballkanik.

Parulla unicentriste “Një komb, një shtet, një flamur, një gjuhë, një abetare…” e nëse doni edhe “Një Komitet Qendror” realisht buron nga mësymja totalitare. Dhe pikërisht kjo ide e krisur thyen kohezionin kombëtar në vetë Shqipërinë.

Zëri: Kjo po ndodh pikërisht në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, në kohën kur të dy shtetet janë angazhuar për projekte të përbashkëta, mirëpo, jashtë institucioneve po reflekton një e vërtetë tjetër, a do të ndikojnë këto reagime që në të ardhmen të zbehen bashkëpunimet?

Matoshi: Bashkëpunimi duhet të ndodhë vetëm përmes vlerave, atyre shpirtërore dhe materiale, për të këmbyer vlera, së pari duhen krijuar ato. Në të dyja shtetet po prodhohet hiperhistoricizëm dhe llafe, por shumë pak vlera. Edhe më pak vlera të përbashkëta europiane.

Llafet e thashethëna, smirëzinjtë dhe budallenjtë e krisur turbofolk dhe etnonacionalistë nuk mund t’i prishin raportet mes shteteve sado që përpiqen. Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës janë shtete konstitucionale qytetare dhe ato duhet të interkomunikojnë në bazë qytetarie e jo në baza “gjaku e trualli” (tablo biologjistike).

Zëri: Për të mos u ndalur vetëm në raport mes Kosovës dhe Shqipërisë, kthehemi pak edhe te hendeqet brendapërbrenda shteteve shqiptare. E konsideroni se nuk po mundemi të durojmë njëri tjetrin?

Matoshi: Të marrët nuk durohen mes veti, sepse maten mujshisht se cili është super i marri. Të tillë janë nacionalistët, nacionalizmi është paranojë, sëmundje që mund, megjithatë të shërohet si çdo sëmundje tjetër. Qytetarët e edukuar këqyrin punët e veta, bashkëjetojnë në një solidarësi qytetare, shquhen për nga toleranca, janë mendjehapur.

Zëri: Kemi pastaj shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi e Luginë të Preshevës, pa i përjashtuar edhe vendet e tjera që janë të banuara më pak nga shqiptarët, në cilin nivel e sheh bashkëpunimin ndërshqiptarë?

Matoshi: Krejt ky kinse bashkëpunim është i përdalë, parollesk, emotiv, shterpë, deklarativ dhe impulsiv, thjesht joracional. Qytetari bombardohet me deklarata patetike politike dhe nuk merr asgjë si kundërvlerë…

Zëri: Gjermanofolësit të cilët jetojnë në Gjermani, Austri e Zvicër, pa komplekse replikojnë për marrëdhëniet e tyre edhe nëpër medie, duke përfshirë edhe xhelozinë reciproke. Duke pasur këtë fakt parasysh a ka ardhur koha që duhet të jemi të sinqertë me njëri tjetrin që të tregojmë se sa duhemi, apo të jetojmë nën petkun e dashurisë së rrjeshme?

Matoshi: E saktë. Identitetet janë të lëvizshme në botën në lëvizje, por vlerat janë ato që mbesin. Mbetet arti i madh, letërsia, muzika, arkitektura, ndërtimtaria… Shqiptarët etnikë e kanë zbuluar lirinë, por jo demokracinë, e demokracia është vetë debati i përditshëm.

Austriakët flasin gjermanishten e Goetës, por krenohen me kombin austriak, me Mozzartin, paçka se ishte gjerman, të cilin e kanë përvetësuar deri në përmasat e brendit, e kanë shndërruar në industri, e kanë përjetësuar e sheqerosur në çokoladë!

Zviceranët gjermanë krenohen me Besëlidhjen e tyre Helvetike, poaq sa me orët e famshme dhe djathin ziceran, jetojnë shumë të qetë, në solidarësi qytetare, me helvetikët tjerë, francezë etnikë, italianë dhe retoroman. Ata bashkë, me vullnet politik e kanë perfeksionuar një komb zviceran.

Gjermania sëkëndejmi, nuk krekoset si hegjemoni kulturore para këtyre dy kombeve më të vogla, autriakëve dhe zvicëranëve, ndonëse është komb i fuqishëm, superfuqi!?


2 Komente

  1. Shqyptar, June 5, 2012:

    I marrë dhe vet turpi i kombit shqiptar është Halilovski Matoviç, i cili mundohet që shqiptarët t’ i ndajë e përçajë në çdo mënyrë të mundshme dhe kështu ta çoj n’vend amanetin e Akademisë së Shkencave të Shkinisë për një Kosovë pa shqiptarë, por me të ashtuquajtur “kosovarë”, si soji i këtij shkau që flet shqip, por frymon shkinisht. Shnet!

  2. Noli, June 5, 2012:

    matoshi eshte    nje nga filozofet dhe sociologet  me te guximshem te trevave shqiptare,njohes i mire i krijimit te kombit dhe evoluimit shoqerore e njerezore,studius ,analizues dhe kritik i  ashper i  mbeturinave pseudosociologjike  ballkanike e me gjere.Duhet  pergezohet per punen  shkencore qe e bene ne perballjen me sfida te ndryshme  dhe te veshtira.

Komentoni