Shkruan:  Emin AZEMI

Mbulimi mediatik i përditshmërisë në  Luginën e Preshevës apo në Maqedoni kap vetëm segmente fragmentare nga politika, duke u përqëndruar më tepër në ngjarje stereotipe, për të cilat mund të informohesh në çdo sajt interneti. Mungon pra këndvështrimi specifik dhe hulumtimi analitik i kësaj përditshmërie.

 

 

Fokusimi medaitik i ngjarjeve nga Maqedonia në vëmendjen e publikut në Kosovë dhe në Shqipëri ka kohë që nuk po e merr trajtën e duhur. Hapësira e përbashkët shpirtërore e mediatike e një populli nuk mund të konsolidohet asnjëherë nëse brenda saj funksionojnë parametra që nuk korrespondojnë me kërkesat e kohës.

 

 

Shqiptarët pa gjeografi të mirëfillt receptive

 

Globalizimi i informacionit gjithkund në botë po e “komprimon” gjeografinë receptive të poublikut përveç se te shqiptarët ku ende ka një eklektizëm informativ dhe një shkapërderdhje enklavizuese të fokusimit publik

Një vrojtues i rastësishëm nga Shqipëria asnjëherë nuk do të mund të krijoj imazh të qartë mbi atë çka ndodhë në Maqedoni nëse njohuritë e tij bazohen kryesisht në ato pak informacione që i merr nga mediat. Për publikun shqiptar ende Maqedonia perceptohet si një shtet i largët, atje diku në Lindje,ku ka edhe pak shqiptarë, por pa arritur asnjëherë të formojë idenë se sa janë ata shqiptarë, cilat janë kapacitetet e tyre politike, kulturore, ekonomike dhe cilat janë të përbashkëtat dhe të veçantat me këta shqiptarë.

Mbulimi mediatik i përditshmërisë në Maqedoni apo në Luginë të Preshevës kap vetëm segmente fragmentare nga politika, duke u përqëndruar më tepër në ngjarje stereotipe, për të cilat mund të informohesh në çdo sajt interneti. Mungon pra këndvështrimi specifik dhe hulumtimi analitik i kësaj përditshmërie.

 

Shqiptarët në Ballkan nuk arritën të bëjnë një gazetë të përbashkët ditore, por investuan në televizione, të cilët, megjithatë po funksionojnë mbi baza të një raportimi shumë të fragmentuar, pa fotografinë e plotë të realitetit që ngelë skutave të jetës. Potencialisht shqiptarët kanë kuadro të aftë në gazetari, por si duket nuk kanë interes që këto kuadro t’i bashkojnë për të bërë media të fuqishme. Tregu medial po dominohet nga do interesa meskine të drejtuesve dhe pronarëve në dëm të informimit të mirëfillt të publikut.

 

Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë së informacionit  është disa hapa përpara atyre që mendojnë ta monopolizojnë ndikimin mediatik me oferta aspak atraktive për publikun. Por ky zhvillim teknologjik kërkon të kultivohet, të formatohet sipas kërkesave të shtresave të caktuara të opinionit publik dhe mbi të gjitha kërkon të inkorporohet në hapësirat komplementare të konkurrencës ekonomike, kulturore, politike etj. Me fjalë të tjera, shqiptarët shumë pak po bëjnë që të ndërthurin interesat e tyre ekonomike e zhvillimore me favoret që i sjell teknologjia e informacionit dhe shpejtësia e zhdukjes së dallimeve krahinore, fisnore, psikosociale etj.

 

Globalizimi i informacionit gjithkund në botë po e “komprimon” gjeografinë receptive të poublikut përveç se te shqiptarët ku ende ka një eklektizëm informativ dhe një shkapërderdhje enklavizuese të fokusimit publik.

SHPËRNDAJE