Maqedonia dhe Kosova së shpejti do të nënshkruajnë marrëveshjen kalimtare për rregullimin e të drejtës pensionale dhe sociale.

Kjo u paralajmërua sot në takimin midis Ministrit të Punës dhe Politikës Sociale të Maqedonisë, Xhelal Bajrami dhe ministrit të këtij dikasteri të Kosovës, Nenad Rashiç.

Me këtë marrëveshje që qytetarët e Maqedonisë që kanë punuar në Kosovë dhe ata të Kosovës që kanë punuar në Maqedoni vite dhe dekada më parë do të rregullojnë të drejtën e përfitimit të pensionit.

Sipas statistikave të të dyja vendeve, rreth 2 mijë shtetas të Maqedonisë në të kaluarën kanë punuar në Kosovë dhe rreth 800 shtetas të Kosovës kanë punuar në Maqedoni, mirëpo ata vite me radhë nuk kanë mundur të realizojnë të drejtën e tyre sociale dhe pensionale.

Ministrat Bajrami dhe Rashiç paralajmëruan se marrëveshja për rregullimin e kësaj problematike pritet të nënshkruhet më 27 prill në Prishtinë.

Mosnënshkrimi i deritanishëm i një marrëveshje të tilla ka ndodhur për shkak se institucionet e Kosovës nuk kanë sjellë deri tani ligje për sigurim shëndetësor dhe për pensionet.

“Unë shpresojë se tanimë do të harmonizojmë tekstet e marrëveshjes për sigurim social dhe pensional midis dy vendeve, dhe se këto do të jenë vetëm marrëveshje të përkohshme midis Kosovës dhe Maqedonisë”, deklaroi ministri Bajrami. Por, nga ana tjetër, ministri Rashiç deklaroi se marrëveshja kalimtare megjithatë do të jetë funksionale. Ai paralajmëroi se Ligji për çështjen e sigurimeve shëndetësore dhe pensionale pritet të miratohet në muajin qershor në Parlamentin e Kosovës.

SHPËRNDAJE