Në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, të vogla janë gjasat që 28 nëntori të shpallet festë zyrtare në Maqedoni.

Kjo mund të konstatohet në bazë të mbledhjes së ditës së hënë në komisionin kuvendor për sistem politik, ku maqedonasit mbivotuan shqiptarët duke e refuzuar në fazën e parë projektligjin e Partisë Demokratike Shqiptare që 28 nëntori, dita e flamurit të shpallet festë kombëtare e shqiptarëve në Maqedoni.

Edhe pse projektligji u mbështet nga deputetët e BDI-së dhe PDSH-së, votat e tyre nuk mjaftuan që ai të marrë dritë jeshile nga ky komision. Edhe pse votuan bashkë pro këtij propozimi, debati nuk kaloi pa polemika mes deputetëve shqiptarë.

Deputetët e BDI-së mbështetën këtë propozim por akuzuan se iniciativa e PDSH-së nuk është e sinqertë por vetëm për të përfituar politikisht. Deputetët e PDSH-së akuzuan BDI-në për injorimin e flamurit. Para se të futet në seancë plenare, projektligji i PDSH-së do të diskutohet edhe në komisione tjera.

SHPËRNDAJE