Derisa këto dy ditët e fundit ka rinisur vendosja masive e targave të reja të Serbisë në veri të Mitrovicës, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi ka theksuar se policia do të vazhdoj të ndalon çfarëdo iniciative e veprimi që është në kundërshtim me ligjet e Republikës së Kosovës, e në këtë rast do të bëhet edhe konfiskimi i targave serbe ashtu sikur e parasheh vendimi i mëparshëm i ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.

Në një intervistë për një prortal kosovar, Maliqi ka thënë se policia është vendosur që të luftoj krimin e kontrabandën në çdo pjesë te vendit dhe çfarëdo vendimi tjetër që është në kundërshtim me ligjet e Kosovës. Ai në këtë rast ka kujtuar të gjithë se urdhri i ministrit Bajram Rexhepi për konfiskimin e targave të reja të Serbisë është ende në fuqi dhe si rrjedhojë automjetet nuk do të mund të qarkullojnë me ato targa brenda territorit të Kosovës.

“Ekziston një urdhër nga ana e ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi që nëse qytetarët e Kosovës të nacionalitetit serb hasen me targa të cilat ka filluar t’i lëshoj Qeveria e Serbisë, ato duhet të konfiskohen. Ai urdhër është valid dhe ai urdhër nga ne do të implementohet edhe në të ardhmen. Jemi në njohuri lidhur me disa kërkesa të institucioneve paralele serbe në veri atje që kërkojnë prej qytetarëve të pajisen me tabela të reja, por do të ballafaqohen me probleme në momentin kur hasen nga Policia e Kosovës, sepse nuk lejohet që ato tabela të jenë valide në territorin e Kosovës”, ka thënë ai. Shefi i Policisë së Kosovës u ka bërë më dije të gjithë atyre që mendojnë të veprojnë në kundërshtim me ligjet e Republikës së Kosovës se do të përballen fuqishëm me forcat e rendit. Sipas tij, edhe pse në pjesën veriore përgjegjësi më të madhe ka misioni EULEX, në rastet kur rrezikohet jeta e qytetarëve njësitet e Policisë së Kosovës reagojnë pa leje të askujt dhe do të ndalojnë veprimet kriminale.

“Në rast që kemi aktivitete të abuzimit me ligjit, kontrabandim dhe kemi informata të sakta se edhe në Lagjen e Boshnjakëve dhe në Suhadoll kemi lëvizje të grupeve kriminale, që ose abuzojnë ligjin me qëllim të kontrabandimit, ose rrezikohet jeta ose prona, nuk na duhet që ne të kërkojmë ndonjë leje të posaçme që të jemi me njësitë tona të specializuara atje, por ne dalim dhe veprojmë dhe e kryejmë punën tonë”, theksoi ai.

Pas një urdhri të lëshuar nga i ashtuquajturi kryetar i Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq, dje janë vendosur në mënyrë masive targa të reja të Serbisë, nëpër automjete të ndryshme në pjesën veriore të vendit. Në fund të muajit shkurt dhe në fillim të marsit, mbi 180 serbë të Kosovës kanë pajisur automjetet e tyre me targa të reja të Serbisë, ndërkohë që Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, pati lëshuar një urdhër për konfiskimin e këtyre targave. (botaSot)

SHPËRNDAJE