Flaka i ofrohet “bondstillit” serb… fshatrat e Bujanocit dhe Preshevës ne lufte me zjarret…

Zjarret që këto ditë vape tropikale kanë kapluar edhe rajonin e Luginës së Preshevës, pikërisht fshatrat që shtrihen përgjatë brezit kufitar Kosovë-Serbi, përfshiu nga zjarret edhe fshatin Priboc të Malësisë së Bujanocit, me ç`rast si pasojë e këtyre zjarreve janë djegur ditë më parë disa shtëpi të këtij fshati, njofton agjencia informative “Presheva Jonë”.
Bujanoc, 25 gusht
Siç njofton përfaqësuesi i këtij fshati, Ismet Tafili, njëherësh edhe anëtar i shoqatës “Vatra”, se ditë më parë në lagjen e Sadikajve të fshatit Priboc nga zjarri që ka përfshirë edhe këtë zonë të Malësisë së Bujanocit, janë djegur disa shtëpi e plevica.
Sipas Tafilit këtë fundjavë të gushtit, ku kanë vazhduar të mbizotërojnë temperature të larta tropikale, kanë shkaktuar dhe kanë përshpejtuar edhe flakët e zjarreve, me ç`rast ai fajëson edhe ndonjë person të pakujdesshëm nga i cili të ketë mundur të jetë shkaktuar ky zjarr.
Siç e kanë informuar Tafilin, banorët e fshatit, përkatësisht Hafiz Musliu Muzafer Fazliu,  Rexhep Hajdini dhe Hamdi Krasniqi,  zjarri i madh që ka kapluar lagjen e Sadikajve të fshatit Priboc i cili  me një shpejtësi të madhe ka djegur disa shtëpi të kësaj lagje, malet, kullosat, pemët etj., ka ndodhur të enjten. “Ndonëse fshatarët janë përpjekur ta lokalizojnë zjarrin, por pa sukses ngase zjarri kishte marrë përmasa të mëdha në lagje të këtij fshati”, njofton Tafili.
Sipas Tafilit, që e kanë informuar banorët e këtij fshati, malet përreth fshatit kanë filluar të digjen më 22 gusht dhe që nga ajo ditë është përhapur me shpejtësi edhe në lagjen e Sadikajve në Priboc. Këta banorë kanë lajmëruar edhe zjarrfikësit e komunës së Bujanocit të cilët në fshat  kanë arritur rreth orës 16.00 së basku me disa policë. Arritjen me kohë  e ka penguar largësia dhe terreni i vështirë  i këtyre fshatrave. Këta banorë dhe zjarrfikësit janë munduar ta fikin zjarrin, por nuk kanë arritur ta lokalizojnë tërësisht. Ata thonë se në disa vende ka ende zjarr.
“Edhe vitin e kaluar ishte djegur një pjesë e malit të këtij fshati, dhe sikur për inat: ajo që  ka shpëtuar vitin e kaluar  duhet të digjet sivjet”, thekson Tafili.
Zjarri në përmasa të mëdha  është përhapur edhe në fshatrat e Malësisë së Bujanocit, pikërisht edhe në fshatin Priboc, vend i cili gjendet në kufirin Kosovë – Serbi, vend ku janë të përqendruar xhandarmëria  dhe ushtria serbe.
Stina e verës këtë vit, që mbizotëroi me një klimë tropikale ku janë shënuar edhe temperature të larta, disa herë edhe mbi 40 gradë celsius, si dhe përfshirja e rajonit të Luginës nga flakët e zjarreve ka shqetësuar në masë të madhe qytetarët e rajonit, duke i rrezikuar edhe vendbanimet e tyre, veçmas të brezit kufitar.
Zjarret e furishme që kanë përfshirë rajonin kanë dëmtuar rëndë sipërfaqe të mëdha me pyje, që konsiderohet një nga burimet më të rëndësishme natyrore dhe ekonomike të vendit.
Metali Krasniqi

Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni