Ministri i Diasporës i Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli, zhvilloi një takim me ambasadoren e Zvicrës në Prishtinë, Krystyna Marty, me të cilën bisedoi për mundësitë e bashkëpunimit për çështje të përbashkëta që kanë të bëjnë kryesisht me mërgimtarët kosovarë në Zvicër.

Makolli me këtë rast tha se mërgimtarët në Zvicër janë qytetarët të përbashkët edhe të Kosovës, si vend i origjinës, e edhe të Zvicrës, vend ku jetojnë aktualisht.

“Duke pas parasysh numrin e madh të mërgimtarëve kosovarë në Zvicër, mendojmë se është me rëndësi që atyre t’i qasemi bashkërisht. Ata duhet të kenë njohuri për vendin e origjinës, por jemi të interesuar që po ashtu të jenë qytetarë të integruar plotësisht në shoqërinë zvicerane”, tha ministri i Diasporës.

Makolli tha se përveç investimeve financiare nga mërgimtarët në Zvicër, Kosova mund të përfitojë edhe në shprehitë e punës si dhe në aspekte të tjera, intelektuale, sportive etj.

Ministri me këtë rast përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave, ku potencoi se, Kosova padrejtësisht ka mbetur vendi më i izoluar në Evropë dhe kjo sipas tij po nxitë largimin e njerëzve në rrugë të ndryshme ilegale, në vend që rrugët të hapen dhe të rinjtë të kenë mundësi të dalin jashtë për të përfituar njohuri arsimore dhe përvoja tjera të mira nga vendet perëndimore.

Ambasadorja e Konfederatës së Zvicrës në Prishtinë, Krystyna Marty, tha se Zvicra do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin e Kosovës, dhe në këtë rast do të mbështes padyshim edhe politikat që kanë të bëjnë me mërgimtarët kosovarë që jetojnë në Zvicër.

Ajo tha se, kosovarët që jetojnë në Zvicër janë mjaftë mirë të integruar dhe tashmë po japin kontributin e tyre në shumë drejtime.

Duke përmendur projekte konkrete të mbështetura nga Swiss Cooporation, ambasadorja Marty tha se, Zvicra do të vazhdoj të mbështesë politika zhvillimore në Kosovë, si dhe do të inkurajoj pjesëtarë të diasporës kosovare që të vijnë dhe të investojnë në vendin e tyre të origjinës. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE