Ministri i Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli, theksoi të mërkurën se strategjitë për shfrytëzimin e potencialit të trurit në diasporë duhet të shërbejnë si bazament për ndërtimin e rrjeteve të fuqishme diplomatike me qendrat vendosëse, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik.

Ai këto komente i bëri në konferencën “Integrimet evropiane dhe roli i diasporës”, organizuar nga Akademia Diplomatike Shqiptare, Instituti për Studime Evropiane i Universitetit të Tiranës, Ministria e Diasporës e Kosovës dhe nga Komuna e Çairit që po mbahet në Durrës.

“Kombi shqiptar, i ndarë në disa shtete në Ballkan, u përket popujve që kanë diasporë të madhe. Për arsye të ndryshme, shqiptarët kanë migruar në vende të ndryshme të Evropës, ku kanë jetuar dhe kanë vepruar, por, njëkohësisht, i kanë marrë përvojat e atyre vendeve. Kjo nënkupton afrimin e mentalitetit shqiptar dhe integrimin i tij në mentalitetin evropian, njohjen e vlerave evropiane në kuadrin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, si dhe adoptimin dhe aplikimin e tyre në shoqërinë shqiptare. Këto vende ua mundësuan shqiptarëve që të integrohen në shoqërinë e tyre, të profesionalizohen në shumë fusha, të marrin përvoja nga më të ndryshmet, përvoja këto që, sot, është shumë e rëndësishme të barten në vendin tonë”, theksoi Makolli.

Ai vlerësoi se diaspora shqiptare ka qenë ambasadori më i mirë i Kosovës, por edhe i shqiptarëve në përgjithësi dhe se roli i saj është me rëndësi të veçantë.

“Diaspora shqiptare më nuk është një komunitet që bën punë krahu, sepse të rinjtë tanë shkollohen në këto vende, i kanë bizneset e tyre atje, kanë arritur të fitojnë status në ato vende ku jetojnë dhe të jenë qytetarë të nderuar të Evropës. Diaspora jonë është shndërruar në një institucion që na garanton hyrje të shpejtë në Evropë, sepse ajo më së miri e di se si arrihet të jesh pjesë e kësaj familjeje”, u shpreh Makolli.

SHPËRNDAJE