“Makedonija pat” punon edhe natën

Disa nga qytetarët dhe kalimtarët të rastit të cilët, gjatë natës të së enjtes dhe mëngjesin e të premtes, kanë kaluar në magjistralen Strugë – Qafëthanë kanë ngelur të habitur kur kanë vërejtur se rruga është e ndriçuar dhe në të ndodheshin punëtorët dhe makineritë e “Makedonija patit” për të restauruar dhe mbushur me asfalt gropat të cilat në këtë aks rrugor, tepër i rëndësishëm për korridorin tetë, ishin të shumta dhe të pa kalueshme.

Pasi këtë në gazetën “Zhurnal plus” e njoftuan disa nga kalimtarët e rastit, gazeta e konfirmoi edhe në kontakt me udhëheqësit e ndërmarrjes, të cilët deklaruan se punimet kanë vazhduar deri rreth orës katër të mëngjesit, me urdhër të drejtorit aktual Gajur Kadriu, me qëllim që restaurimi dhe mirëmbajtja të mbarohet brenda afatit të premtuar sidomos në këtë aks rrugor kaq të rëndësishëm, pasi që lidh qytetin e Strugës dhe vendin me Republikën e Shqipërisë.

“Ne mbetëm të befasuar nga u afruam në vendin në të cilin makineritë dhe punëtorët po punonin. Për kaq vjet sa kam asnjëherë nuk kam parë që në rrugët e vendit tonë të punohet edhe natën, pra ata të mirëmbahen natën. Në fillim kur pamë aq ndriçim në rrugë u frikuam se menduam kush e di se çfarë ka ndodhur, por kur u afruam më afër e pamë se punohet. Ky gjest besoj se u ka lënë përshtypje të mirë të gjithë atyre që kanë kaluar rastësisht dhe i kanë parë punëtorët në rrugë pas mesnate. Të punohet në mirëmbajtje të rrugëve gjatë orëve të natës unë e kam parë vetëm në shtetet evropiane, dhe shpresoj që kjo praktikë të vazhdohet edhe tek ne”, ka deklaruar Fetiu, njëri nga kalimtarët e rastit me të cilët kontaktoi “Zhurnal plus”.

Nga “Makedonija pat”, drejtori Gajur Kadriu, deklaroi se punimet po vazhdojnë në të gjitha rrugët magjistrale dhe rajonale në vend dhe së shpejti do të përfundojë i gjithë restaurimi i tyre, ashtu siç është premtuar më herët por edhe ashtu siç është parashikuar në plan program.

“Lirisht mund të them se me të gjitha sfidat që kemi pasur, kemi arritur që të mbajmë premtimin dhe të realizojmë plan programin e bërë paraprakisht. Punimet në korridorin tetë janë nga fundi dhe gjithçka po shkon mirë. Madje ja vlen të theksohet se në përfundim janë edhe punimet në magjistralen Gostivar Kërçovë ku punimet kanë arritur deri tek rruga e Mavrovës dhe brenda dy ditëve do të përfundohen deri në hyrje të Gostivarit. Pra edhe pse kemi deklaruar që deri më datë një korrik do ti përfundojmë të gjitha punimet tona, ne ato po i kryejmë thuajse një javë përpara”, deklaroi drejtoi Gajur Kadriu.

Nga ndërmarrja “Makedonija pat”, deklarojnë se në rrugën rajonale Gostivar – Kërçovë, rëndësi të veçantë në restaurim i është dhënë edhe tre urave të cilat ndodhen në këtë rrugë dhe që ishin tërësisht të dëmtuara, ndërsa tani këto ura janë restauruara mirë dhe automjetet mund të kalojnë pa probleme mbi to.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni