Xhudistja Majlinda Kelmendi në finale është mundur nga japonezja, Yuki Hashimoto. Ndërkaq, xhudistja e talentuar Nora Gjakova zuri vendin e pestë dhe arriti 20 pikët e para olimpike.

 

Xhudisja e kombëtares së Kosovës, Majlinda Kelmendi (52 kg) është renditur në vendin e dytë në Kupën e Botës kategoria A për seniore, e mbajtur në Sofje të Bullgarisë. Ajo pas katër fitoreve, në finale pësoi humbje nga japonezja, Yuki Hashimoto. Majlinda arriti të stoliset me medalje të argjendtë, e cila i solli edhe 60 pikë të reja olimpike. Kampionia e Evropës dhe e Botës për juniore, tha se është e lumtur edhe me medaljen e argjendtë, kur kihet parasysh konkurrenca shumë e fortë. Pejania në gjysmëfinale ka treguar shpirtin e saj luftarak duke e mposhtur njërën nga garueset më të mira në botë, Nagaya Chiho. Pas këtij triumfit në finale u përballë me japonezen tjetër, Hashimoto. Garuesja jonë tregoi mjeshtëritë e saja, por nuk ia arriti qëllimit që të shënoi fitore. “Realisht e kam pritur këtë sukses në Kupën e Botës. Konkurrenca ka qenë më e fortë se sa në vitin e kaluar, ku pata përballë edhe garuese japoneze. Kam dhënë maksimumin, por finalet gjithmonë janë të paparashikueshme. Jam e lumtur që fitova pikë të reja olimpike”, ka thënë Majlinda. Ajo pas Kupës së Botës kategoria A, e pret edhe gara tjetër e rëndësishme në javën e ardhshme në Paris të Francës. “Javën e ardhshme, me 5 shkurt, me pret sfida e radhës në Paris, në garën ‘Grand Slem’, e cila është ndër më të forta”, ka thënë Majlinda. Përzgjedhësi Driton Kuka është tejet i kënaqur me paraqitjet e garuesve të tij. Ai lavdëroi së tepërmi Nora Gjakovën, e cila po shkon rrugës së Majlindës. Nora bëri befasinë më të madhe, duke u renditur në vendin e pestë në kategorinë 57 kg. “Më ka befasuar për të mirë Nora Gjakova, e cila ka zënë vendin e pestë dhe ka tubuara pikët e para olimpike. 20 pikë e para të saj olimpike janë sukses i madh, sepse është hera e parë që shënon një rezultat në një garë të këtij karakterit. Majlinda edhe njëherë ka treguar mjeshtëritë e saja duke gjunjëzuara një nga një rivalet. Ajo ka lënë pas vetes garuese rusen, Natalya Kuzyutina, e cila ka qenë favorite për të fituar Kupën e Botës. Majlinda renditet e dyta, ndërsa rusja e treta. Garuesja jonë ka dëshmuar luftë të pakompromis, duke e mposhtur japonezen Nagaya Chiho në gjysmëfinale, por në finale rivalja tjetër nga Japonia, Yuki Hashimoto ishte më e mirë se ajo’, theksoi Kuka. Përzgjedhësi tha se javën e ardhshme do të janë në Paris në garën “Grand Slem’, ku synojnë pikë të reja olimpike. Majlinda kërkon sa më shumë pikë olimpike dhe të sigurojë vizën për të shkuar në Lojërat Olimpike që mbahen në vitin 2012 në Londër të Anglisë./bs

SHPËRNDAJE