Londër, 16 qershor – Publikimi i raportit të ri mbi Kosovën nga prestigjiozja angleze, “Sunday Times”, ku përsëriten akuzat kundër kryeministrit Hashim Thaçi, ka nxitur edhe reagimin e parë ndërkombëtar. Ish-ministri britanik për Ballkanin gjatë viteve 2001-2005, Denis MacShane, dhe ish-prokurori në Tribunalin e Hagës gjatë gjykimit të Slobodan Milosheviqit, Geoffrey Nice, në një letër dërguar redaksisë së “Sunday Times”, kanë thënë se këtë raport e lexojnë me interesim të madh.

“Si ministër për Ballkanin gjatë viteve 2001-2005, dhe si prokuror në gjykimin ndaj Slobodan Miloshevicit në Tribunalin e Hagës, ne e lexojmë me interesim raportin rreth Kosovës i cili përsërit akuzat ndaj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, gjë për të cilën shumë mendojnë se është propagandë serbe”, thuhet në letrën e tyre dërguar redaksisë së “Sunday Times”, bën të ditur “Zëri”.

Më tej, në letër theksohet se gjatë kësaj jave, sekretari i Jashtëm Britanik, William Hague, ka stimuluar Serbinë dhe Kosovën që të nisin një dialog që do t’i “çonte të dyja shtetet drejt pranimit në BE”.

Më tej, Nice dhe MacShane shkruajnë se askush nuk e mohon faktin se gjëra të tmerrshme kanë ndodhur në të dyja palët e konfliktit që i dha fund dekadës së shtypjes serbe në Kosovë.

“Por, sot, Kosova është në paqe. Liderët e saj politikë dhe ushtarakë (për dallim nga Miloseviq, Karaxhiq e Mladiq), me t’u akuzuar janë dorëzuar në Hagë për t’u gjykuar; disa prej tyre janë dënuar, disa janë liruar. Zgjedhjet janë mbajtur në Kosovë dhe liderët politikë janë zëvendësuar nga kundërshtarët e tyre pa derdhje gjaku”, shkruajnë Nice e MacShane në letrën e tyre, si reagim ndaj shkrimit të datës 12 qershor në “Sunday Times”.

“Ne nuk e përkrahim Thaçin personalisht, por kërkojmë me ngulm që ju ta pranoni se përsëritja e njollosjeve të pavërtetuara nuk do t’u ndihmojë një milionë qytetarëve të Kosovës e as dialogut mes Serbisë e Kosovës, i stimuluar nga sekretari i Jashtëm. Benefitet për ata qytetarë për të hyrë në Evropë – dhe benefitet e mundshme të Evropës për t’i pasur ata përbrenda familjes së saj të kombeve – nuk duhet të vihet në rrezik kaq rastësisht”, përfundon letra e ish-ministrit për Ballkanin, Denis MacShane, dhe e ish-prokurorit në Tribunalin e Hagës, Geoffrey Nice.  (Koha.Net)

SHPËRNDAJE