Një delegacion nga Kosova Lindor, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc i udhëhequr nga kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi me një grup biznesmenësh po qëndrojnë në Prishtinë, ku sot kanë takuar kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, njofton agjencia e lajmeve “Presheva jonë”

Kryetari Kamberi tha se Lugina e Preshevës po kalon nëpër sfida të rënda në historinë e saj moderne, ku sipas tij, ka një diskriminim perfid që është duke u zhvilluar me një represion ekonomik.

Për këtë, kryetari Kamberi kërkon krijimin e një partneriteti dhe tregjeve të përbashkëta për të fuqizuar biznesin e Luginës së Preshevës dhe në këtë formë të krijohen edhe vende të reja të punës, sepse në mungesë të perspektivës banorët po largohen nga Lugina drejt Evropës perëndimore. Ai tha se edhe Bujanoci është para një sfide të rrezikshme, sepse në një afat shumë të shkurtër edhe Bujanoci mund të jetë në një gjendje sikur Medvegja e boshatisur. Prandaj, Kamberi tha se autoritetet e Kosovës së bashku me bizneset e fuqishme në Kosovë ta ndihmojnë Bujanocin.

Kamberi: Lugina e Preshevës po kalon nëpër sfidat më të rënda

“Lugina e Preshevës po kalon ndër sfidat më të rënda që i ka pasur në historinë e saj moderne. Një diskriminim perfid që është duke u zhvilluar jo në vazhdën e asaj që ka qenë në të kaluarën me dhunë dhe represion policor, por me një represion ekonomik në vazhdimësi kërkon një qasje krejtësisht tjetër sidomos nga Kosova. Ne jemi në pritje me vite të ardhjes së investitorëve nga bota,  Evropa dhe vendet e tjera, ndërkohë që kemi investitorë potencial dhe biznese të fuqishme këtu në Kosovë. Andaj, nuk kemi arritur që në këto vitet e fundit pas formimit të shtetit të Kosovës të ndërtojmë një sistem të organizuar të ndihmës për Luginën e Preshevës me institucione shtetërore, prandaj, fokusimi ynë në këtë moment është që të tentojmë që përmes bizneseve të Kosovës të ndërtohet partneritet me bizneset e Luginës së Preshevës që përvojat e arritura këtu të barten edhe në Luginë e Preshevës”, t heksoi Kamberi.

Kryetari i OEK, Gërxhaliu tha se ky është një takim i cili ka rëndësi multidimensionale nga aspekti kohor në momentin kur agjenda politike është e stërngarkuar qoftë në Kosovë, qoftë në Serbi, qoftë edhe në regjion.

Gërxhaliu theksoi se është koha kur duhen hapa konkret, sepse vetëm bashkëpunimi ekonomik dhe zhvillimi ekonomik i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit mund të jetë garancë e qëndrimit të shqiptarëve në këto treva.

Gërxhaliu: Kosova i duhet Luginës në rimëkëmbje ekonomike

“Është një takim i cili po ndodhe në momentin kur në Kosovë kanë përfunduar zgjedhjet parlamentare dhe pritet formimi i Qeverisë së re, andaj dua të besoj që nuk do të merr shumë kohë. Dhe definitivisht një qeveri e tillë që nga sot duhet ta merr një mesazh të qartë që partneriteti dhe mbrojta e interesave të shqiptarëve në jug të Serbisë duhet të jetë ndër prioritetet jo vetëm me agjendë politike dhe në formë verbale por me plane dhe aktivitete konkrete. Besoj se sa i duhet Lugina Kosovës, sot Kosova i duhet Luginës edhe më tepër në rimëkëmbje ekonomike. Andaj, të kimi në fjalë të jetë i rëndësisë së veçantë dhe të gjenerohen efektet e pritura”, theksoi kreu i OEK.

Ai shtoi se takimi sotëm ka rëndësi të veçantë edhe për faktin se janë në prag të përgatitjeve për Samitin e Berlinit, një takim i cili i dedikohet Ballkanit Perëndimor.

SHPËRNDAJE