Me apo pa ferexhe? Kjo është dilema e cila i ka vënë në konfrontim Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe Arabinë Saudite për pjesëmarrjen e sportistes arabe Wojdan Ali Seraj Abdulrahim Shaherkani në Olimpiadë. IOC insiston se xhudistja nuk mund të dalë në parket me ferexhe, kurse vendi i saj këtë e konsideron si obligim moral, që duhet respektuar. Shumë shpejt pritet të gjendet një marrëveshje, por ekziston mundësia që ajo të mbetet jashtë këtij evenimenti të rëndësishëm, shrkuan Express-i


Do të duhej të ishte Olimpiada e trëndafilave. Kurrë si këtë vit femrat nuk kanë mundur të llogarisnin në një numër aq të madh të përfaqësimit. Mbi të gjitha, si kurrë më parë, ka marrë pjesë në ceremoninë hapëse bota arabe me të dyja gjinitë.

Mirëpo, e papritura qëndron gjithmonë në korner dhe këtë herë për t’i vuajtur pasojat mund të jetë Wojdan Ali Seraj Abdulrahim Shaherkani. Sportistja arabe, xhudiste në kategorinë mbi 72 kilogramë, është dashur të luftojë këtë të premte, por ekziston mundësia konkrete që kjo të mos ndodhë.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) nuk e ka ndërmend t’ia lejojë asaj të dalë në fushë duke e veshur ferexhenë apo një mbulesë në kokë, siç e do tradita e vendit të saj dhe religjioni, të cilit i përket ajo.

Përkundër faktit se kolegët e skuadrës i sillen vërdallë me shpresën që për Wojdan të gjendet një marrëveshje, vazhdon ‘ferri’ ndërmjet IOC-së dhe Arabisë Saudite, e cila e ka përsëritur edhe njëherë se ferexheja është obligim mbi të gjitha moral për sportistet, që duhet t’u përgjigjen kodeve dhe obligimeve të vëna nga shteti.

Javën e kaluar, presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF), Marius Vizer, kishte folur sërish për nevojën që Shaherkani të luftojë pa ferexhe për ta respektuar ‘shpirtin e xhudos’.

“Ka disa lloje të vellos në sporte të ndryshme dhe natyrisht se duhet të jetë një edhe për xhudo. Për mendimin tim, duhet të gjendet një zgjidhje, ngase po t’ia mohojnë që të marrë pjesë në Olimpiadë do të ishte dramatike. Do të ishte trishtuese nëse dy femrat e para arabe (në Olimpiadë merr edhe Sarah Attar, atlete në 800 metra) t’u mohohet e drejta e garimit”, ka thënë një gazetar arab, që po i përcjell nga afër Lojërat Olimpike.

Dhe ka arsye. Brunei, Arabia Saudite e Katari kishin pranuar që t’i dërgonin edhe garueset femra në Olimpiadë pas insistimit të IOC-së. Një hap përpara i rëndësishëm për këto vende. Pjesëmarrja e femrave ka qenë gjithmonë një çështje kontroverse në Arabinë Saudite, ku myslimanët konservatorë e kanë definuar gjithmonë sportin si të pacipë dhe të kundërt me natyrën e femrave.

Tash pritet vendimi definitiv i cili do të merret pas takimit ndërmjet IOC-së, funksionarëve arabë dhe sportistes, me shpresën që mund të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjithë. Sido që të jetë, mundësia që xhudistja të mos garojë fare është mundësia më konkrete.

SHPËRNDAJE