dbarrrPërpjekja për të mbrojtur me çdo kusht dështimin e Isa Mustafës, duke i atribuuar atij merita të paqena është apologji, ndërsa ata që mbrojnë këtë mendim janë apologjet.

 

Shkruan: Shefqet DIBRANI

 

Zgjedhjet në Degën e LDK-së në Zvicër, kanë qitur në pah edhe luftën e nëntokës që po e bëjnë strukturat e komanduara nga Isa Mustafa. Kjo dukuri ka dalë në dukje sidomos me rastin e zgjedhjes kryetar i Degës së LDK-së në Zvicër, shkrimtari Shefqet Dibrani, i cili përfaqëson kritikën e ashpër kundër devijimeve në LDK, e të cilat sipas tij, viteve të fundit përfaqësohen nga Isa Mustafa. Pavarësisht se zgjedhjet në Degën e LDK-së në Zvicër janë zhvilluar  në një proces të rregullt dhe transparent, rezultati zgjedhor e ka tronditur kryesinë qendrore në Prishtinë, e cila nxitoi për ta shtypur vullnetin e delegatëve në atë kuvend.

Edhe pse dihet se ai proces është përcjell me kamerë, si dhe votimi është zhvilluar para syve të delegatëve, sikurse edhe numërimi i votave që është bërë para tyre, duke mos e hequr për asnjë çast kutin e votimit nga salla, përsëri humbësit dhe kryesia e LDK-së në Prishtinë, vazhduan traditën e budallëllakut dhe të veprimit antidemokratik që është aplikuar kudo nëpër Degët e LDK-së në Kosovë. Kryesia qendrore pa shqyrtuar asnjë material faktik dhe pa komunikuar me përfaqësuesit e dal nga kuvendi zgjedhor i  shpallën jo të rregullta zgjedhjet në Degën e LDK-së në Zvicër. Ndoshta veprimi i nxituar kundër Degës së LDK-së në Zvicër do të ishte gjysma e së keqes po sikur kryesia e LDK-së në Prishtinë të mos i anulonte edhe zgjedhjet në Degën e LDK-së në Gjermani. Pa dyshim këto degë ishin vatra të njohura për demokraci, si dhe shembulli më i qartë i luftës së koncepteve, atij teknokrat që udhëhiqet nga Isa Mustafa, dhe atij liberal që përfaqëson rrymën politike të konceptit tradicional të LDK-së që e ka udhëhequr dr. Ibrahim Rugova.

Zgjedhja e shkrimtarit Shefqet Dibrani, kryetar i Degës së LDK-së në Zvicër,  si duket nuk ishte arsyeja themelore, po sikur në kryesinë e Degës së LDK-së në Zvicër të mos zgjidheshin veprimtarë të tjerë të cilët janë jashtë kontrollit të Isa Mustafës, gjë që e kanë shqetësuar edhe më shumë kryesinë qendrore në Prishtinë e cila përmes njerëzve të tyre në Zvicër, të njohur si struktura të nëntokës nga Fondi “3 përqindëshit”, kanë bërë që të nisin një fushatë të egër shpifjesh e intrigash për të linçuar e izoluar intelektualin, e bashkë me të për të prolonguar një proces të rregullt zgjedhor, gjë që si duket këtyre strukturave të nëntokës që janë porositur nga Prishtina, do t’ua shohë sherrin jo vetëm kryetari por edhe vet Dega e LDK-së në Zvicër.

Për t’i rifaktorizuar humbësit dhe aktivistët e njohur nga Fondi “3 përqindëshit” i Isa Mustafës, janë aktivizuar kryetar degësh të LDK-së nëpër Kosovë, duke mos kursyer as familjar dhe as deputet të cilët kanë rënë pre e pazareve të qëllimshme.

Por  një gjë që ka rënë në sy është e dhëna se të gjithë përfaqësuesit e LDK-së nga Kosova të cilët ishin në mision të Isa Mustafës, pa përjashtim, nuk ishin në gjendje t’i takojnë të dy palët, por si servil të njohur kanë zbatuar urdhrat e shefit të tyre, pa llogaritur se me këto veprime aventuriere kanë përçuar mesazhe përçarëse për diasporën duke i shkaktuar dëme të pariparueshme vet LDK-së, sepse Dega e LDK-së në Zvicër tashmë është kthyer në avangardë e proceseve, madje edhe për vet LDK-në brenda në Kosovë.

E kemi të qartë se një pjesë e elektoratit të LDK-së nuk mund ta kuptojnë rrjedhën e këtyre konflikteve dhe mospajtimeve publike për të cilat kemi shkruar mjaftë, por duhet të besojnë se as Isa Mustafa dhe as kryesia qendrore nuk kanë pasur kuraje, madje asnjëherë të ulën dhe të bisedojnë për problemet tashmë të ditura publikisht. Po ashtu opinioni i gjerë dhe veprimtarët e LDK-së duhet të kuptojnë se ne i kemi shterur të gjitha rrugët zyrtare për t’i zgjedhur problemet ashtu siç i ka pasur hije LDK-së. Kryesia qendrore e LDK-së është oportune dhe shpërfillëse ndaj strukturave partiake, prandaj ata sillen ashpër dhe me arrogancë ndaj tyre, ndërsa karshi partnerit politik janë bërë të dëgjueshëm dhe zbatues, prandaj janë përgjegjës për të gjitha këto polemika publike. Ne kemi folur e shkruar publikisht pasi nuk kemi pasur mundësi tjetër nëpër kanale të brendshme të partisë për t’i zgjedhur problemet, madje duke mos pasur një adresë juridike ku do të ishin paraqitur ankesat tona, jemi detyruar t’i informojmë zyrtarët ndërkombëtar për qëndrimin kaq teknokrat të kryesisë së LDK-së në Prishtinë. E ky veprim nuk është bërë pas shpine dhe fshehur, por dokumentet dhe materialet zyrtare që iu kanë dërguar ambasadave dhe përfaqësuesve diplomatik, në të njëjtën kohë iu kanë nisur edhe kryetarit dhe kryesisë së LDK-së në Prishtinë.

Në këtë proces ka dalë në pah një karakteristikë shumë e rëndësishme e cila duhet t’iu hyjë në punë prokurorisë së shtetit, prokurorëve në EULEX, si dhe duhet të jetë lëndë për shqyrtim edhe nga Gjykata Speciale, e cila duhet t’i trajtojë abuzimet dhe krimet e rënda politike dhe ekonomike që kanë ndodhur në Kosovë, edhe pas përfundimit të luftës, por që mbeten pjesë e atij procesi kriminal. Në këtë plan duhet të shqetësohen edhe përfaqësitë diplomatike të shteteve mike siç janë SHBA, Gjermania, Britania e Madhe e ndonjë tjetër, për të parë se para syve të tyre, deri ku ka shkuar shtrirja e krimit të organizuar.

E nëse vërtetë dëshirojnë për ta kuptuar drejt rrjetin e nëntokës deri në çmasë është shtrirë, duhet t’i shohin se çfarë shantazhesh bëjnë njerëzit e këtij organizimi, kryesisht ish epror ushtarak të njohur si FARK, të cilët me sa duket edhe sot komandohen nga dr. Bujar Bukoshi, ish Kryeministër i Republikës së Kosovës në ekzil, i cili bashkë me Kryeministrin e tanishëm të Republikës së Kosovës kanë zhvilluar një luftë të ashpër kundër dr. Ibrahim Rugovës dhe vet LDK-së.

Vetëm një javë pas mbajtjes së zgjedhjeve në Degën e LDK-së në Zvicër, përkatësisht më 17.05.2015, pasoi një urim nga kundër kandidati i Donikë Gërvallës në Degën e LDK-së në Gjermani,  për të cilin kisha dëgjuar se ishte doktor i dyfishtë, autor i librave, këshilltarë politik i Bajram Kosumit, sa ishte kryeministër, prorektor në Universitetin e Prizrenit, ligjërues në Universitete të ndryshme në Kosovë dhe Gjermani, e kështu me radhë, gjë që nuk kisha asnjë arsye të shohë këtë mesazh me dyshime, por më datën 29.05.2015, në një mesazh tjetër Enver Sopjani më shkruan: “Te kisha propozuar të bëhesh shembull për Gjermaninë dhe të deklarohesh se e respekton vendimin e qendrës, pa marr parasysh se a është i drejtë apo jo!”, gjë që më ka bërë për të menduar gjatë.

Në ndërkohë në Kosovë është krijuar “FARK – Shoqata e ish-Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës”, si Organizatë joqeveritare (OJQ), e për kryetar është zgjedhur Enver Sopjani. Ndërsa mua më bëri përshtypje pse kaq poshtë me zbritur niveli universitar, ndërsa dyshimin më shtoi një fotografi e publikuar e asaj kohe në të cilin dukeshin edhe Nevruz Berisha, Shiqeri Spahiu, Fadil Hadergjonaj e ndonjë tjetër që tashmë nuk më kujtohet. Këto dilema mi kanë shtuar, disa deklarata të Enver Sopjanit në përkrahje të Isa Mustafës, qofshin në emër të këtij asociacioni apo të një nëndege të LDK-së në Gjermani. Në anën tjetër “FARK – Shoqata e ish-Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës”, në njëfarë mënyre ka mbajtur qëndrim refuzues ndaj eprorëve ushtarak të karrierës të cilët pasi kryen misionin e tyre në Luftën e Kosovës (1998 – 1999), janë kthyer në vendet e Evropës Perëndimore duke u gjetur secili si ka mundur.

Më 23 tetor 2015, u paraqit me një koment Shiqeri Spahiu, i cili ka qen shef i logjistikës së FARK për Zvicër, i cili me të përfunduar lufta është sistemuar në qeverinë komunale të Prishtinës duke pasur role të ndryshme, por mbrojta që ia bënte  Isa Mustafës në komente e mia nxirrte fytyrën e tij në shërbim të luftës së nëntokës që njerëzit e Bujar Bukoshit ishin lëshuar në aksion. E kjo ofensivë publike ka nisur pasi kryetar i degës në Zvicër, është zgjedhur autori i këtij shkrimi, i cili me shkrime publike ka denoncuar veprimet antidemokratike të Isa Mustafës, por involvimi i Shiqeri Sapahiut nuk mund të llogaritet i rastësishëm, aq më pak kur ai më shkruante sedo shihemi Un dhe Ti me kismet e do e sqarohemi edhe per keto dilema….”. Me letra të tjera nuk po merrem sepse qesin në pah marrësit e një strukture që mbështetnin pa parime Isa Mustafën. Ndërsa për arrogancë, kërcënim, vulgaritet  dhe shprehje amorale është dalluar Nevruz Berisha, i cili gjatë luftës ishte shef i logjistikës së FARK-ut në Tiranë, siç thuhej krahu i djathtë i Bujar Bukoshit, i cili po me këtë elan tashti po e mbron Isa Mustafën?!

Edhe Nevruz Berisha pas luftës është sistemuar mirë në Kosovë, flitet se ka në pronësi njërin nga restorantet më të frekuentuara në Prishtinë, (e lus zotin që aty kurrë të mos jetë ushqyer dr. Ibrahim Rugova, pasi për të flitet se është helmuar), prandaj Prokuroria e Shtetit këtë rast duhet ta ketë parasysh për ta hulumtuar, kah i mori Nevruz Berisha gjithë ato para, dhe ruana zot nëse edhe ky i ka të regjistruara në emër të ndonjë familjari i cili mund të jetë i punësuar në perëndim, siç e kanë bërë zakon për të fshehur korrupsionin që e qon individin në prokurori. Pastaj fudullëku, arroganca dhe perversiteti në rrjetet sociale e kompleton dyshimin se diçka shqetësuese fshihet pas sjelljes agresive të tij. Po ashtu duke qenë edhe në Tiranë, kuzhinier i zhdërvjellët i FARK-ut, ai mund të ketë informacione edhe për vrasjen e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës kolon. Ahmet Krasniqi, sepse shefi i tanishëm Isa Mustafa dhe ish shefi i tij Bujar Bukoshi, edhe pse janë personazhet më të përfolura të konflikteve dhe likuidimeve edhe në kohë lufte, paslufta  ata i gjeti në poste të larta në pushtetin absolut të Hashim Thaçit, (Bujar Bukoshi zëvendëskryeministër në qeverinë e Thaçit, kurse Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës), shkas ky për ta detyruar Prokurorinë dhe Gjykatën Speciale për të hulumtuar këtë vijë të nëntokës të cilët kanë triumfuar përmes  LDK-së. Ndoshta janë këto arsyet pse Nevruz Berisha, shquhet për arrogancë, kërcënime dhe shantazh kundër kryetarit të Degës së LDK-së në Zvicër, i cili nga pozita e tij politike kritikon veprimet antidemokratike të Isa Mustafës në dëme të proceseve dhe të LDK-së.

Shkarazi reagime në shkrimet e autorit janë paraqitur edhe Fadil Hadërgjonaj, por pasi ai nuk e ka vazhduar, nuk do t’ia vlente ta përmendnim emrin e tij po sikur edhe ai të mos ishte në stafin e kësaj organizatës joqeveritare. Ndërsa opinioni publik ka qen mjaftë i informuar me shantazhet e Fadil Kajtazit, i cili vetëquhet oficer për çështje sigurie?! Ndërsa në ato polemika të shumta Fadil Kajtazi vet e ka pranuar se detyra e tij është për të shantazhuar, kuptohet të gjithë ata që mund ta kritikojnë Isa Mustafën, po ia përkthej unë. I këtij niveli ka qenë edhe kërcënimi telefonik i Armend Zemajt, për të cilën kemi shkruar më parë. Pothuajse për të gjithë këta emra flitet se udhëheqin biznese të caktuara, kush më pak e kush më shumë, janë edhe pjesë e organizatës “FARK – Shoqata e ish-Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës”.

Në këtë vazhdë mund të dalin edhe një varg emrash të cilët kanë reaguar pa pra nëpër rrjetet sociale, sidomos kundër qëndrimeve të kryetarit të Degës së LDK-së në Zvicër, por që ishin në mbrojtje të Isa Mustafës s’ka dyshim. E deri sa ne nuk kemi siguruar informacione shtesë nuk do të merremi me shpifografi, pasi janë të mjaftueshme këto të dhëna për të parë një lloj lufte e nëntokës të cilën e bëjnë mbrojtësit e Isa Mustafës.

 

*Sqarim: Iu kërkoj falje të gjithë oficerëve të karrierës të cilët ishin pjesë e FARK-ut, që nuk janë të involvuar në luftën e nëntokës pse u detyrova të merrem me organizatën e tyre!

 

St. Gallen, 10 korrik 2016.

SHPËRNDAJE