Lëvizja e Progresit Demokratik, në kuadër të fushatës zgjedhore, me Bilaçin dhe Samolicën, i rrumbullakësoi me sukses tubimet elektorale në nivel komune, duke prezantuar kandidatët e mundshëm për këshilltarë komunalë dhe duke shpalosur programin zgjedhor për zgjedhjet e 6 majit.

 

Qendra e fshatit Bilaç, që nga hyrja dhe dalja e tij, ishte e dekoruar me flamuj kombëtarë, partiakë e posterë, me një pamje madhështore si asnjëherë më parë, në të cilën ishin grumbulluar simpatizues të shumë për t’i dhënë përkrahje liderit të Lëvizjes së Progresit Demokratik, zotëri Jonuz Musliu, me moton: “Ne bëjmë ndryshime, Ti vendos!” dhe “Duam fitore”, “Duam fitore”, “LPD-LPD”  etj.

Tubimi elektoral u hap nën intonimin e Himnit kombëtar dhe me një minut heshtje për dëshmorët e kombit, të cilët u flijuan për lirinë e vendit.

 

Tubimin e hapi Enver Beqiri, me një përshëndetje të veçantë për liderin e Lëvizjes së Progresit Demokratik, zotëri Jonuz Musliun dhe gjithë simpatizuesit e këtij subjekti politik. Ai, pasi prezantoi kandidatët e mundshëm për këshilltarë komunalë nga radhët e këtij subjekti politik: Ahmet Kadriu dhe Sali Salihu, fjalën ia dha Ilir Ajetit, kryetar i nëndegës së LPD-së për fshatin Bilaç.

 

Zotëri Ajeti, gjatë diskutimit të tij, u përqëndrua në të arriturat dhe ngecjet, në këtë vendbanim në periudhën e mandatit që e lamë prapa dhe potencoi prioritet që ka ky fshat në katërvjeçarin e ardhshëm.

Nga projektet e mosrealizuara e që ka nevojë Bilaçi, sipas z. Ajeti, janë zhvillimi i infrastrukturës, rregullimi i shtratit të lumit, kanalizimi e kështu me radhë.

Në vazhdim fjalën e mori drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Njizi Ahmeti, i cili paraqiti nevojën e zbutjes së varfërisë dhe ndihmesë për familjet me asistencë sociale.

Në vijim lideri i Lëvizjes së Progresit Demokratik, Jonuz Musliu, shpalosi programin zgjedhor të këtij subjekti politik, i cili është angazhuar për realizmin e kërkesave të qytetarëve në të gjitha fushat e veprimtarive me interes kombëtar e qytetar.

Ndërsa tubimi elektoral i LPD-së në Samolicë u mbajt në shkollën fillore të fshatit.

Tubimi u hap me përshëndetjen e liderit të Lëvizjes së Progresit Demokratik, z. Jonuz Musliu dhe gjithë simpatizuesve të tjerë të këtij subjekti politik, si dhe u prezantuan kandidatët e mundshëm për këshilltarë komunalë: Metat Hajdari dhe Sara Hajdari.

Në vazhdim fjalën e mori nënkryetari i LPD-së për Samolicë Metat Hajdari, i cili paraqiti prioritet që ka fshati në katër vitet e ardhshme të pushtetit të ri komunal.

Më pas fjalën e mori nënkryetari i LPD-së, dr. Adnan Salihu, i cili diskutimin e tij e fokusoi në zhvillimin e infrastrukturës dhe projekte të tjera jetike për këtë vendbanim.

Lideri i LPD-së, z. Jonuz Musliu, theksoi se jo rastësisht e ka lënë këtë Samolicën për ta rrumbullakësuar fushatën elektorale, nga se ky vendbanim e meriton të jetë i zhvilluar ekonomikisht krah për krah me vendbanimet e tjera.

Tubimi elektoral u konsiderua i mbyllur, me ftesën, që të dalin sa më masovisht në zgjedhjet e 6 majit, për ta rrethuar nr. 7, për zgjedhjet lokale dhe nr. 15 për zgjedhjet parlamentare.

Lëvizja e Progresit Demokratik, do ta përmbyll fushatën elektorale, më 3 maj, në Palestrën e Sporteve “Rinia” në Bujanoc, ku simpatizuesit do t’i argëtoj këngëtarja e mirënjohur e estradës shqiptare Leonora Jakupi dhe aktori i shquar Çun Lajçi, njofton Qendra për Informim e LPD-së.

SHPËRNDAJE