Në kohën kur kriza në veriun e Kosovës vazhdon për shkak të kundërshtimit të serbëve të prirë nga strukturat paralele dhe të mbështetur nga Beogradi zyrtar për të pranuar pushtetin e Republikës së Kosovës, jo rrallë plasohen opsione të ndryshme, opsione për siç thuhet zgjidhje përfundimtare të statusit të serbëve të veriut të Kosovës.

Lëvizja e Progresit Demokratik, konsideron se kushdo që jep ide për këtë çështje domosdoshmërisht duhet të ketë parasysh parimin e reciprocitetit në raport me shqiptarët e Luginës së Preshevës. Nuk ekziston asnjë argument, që do të arsyetonte përdorimin e standardeve të ndryshme në raport me serbët e veriut me shqiptarët e Luginës së Preshevës. Vullneti i shqiptarëve të Luginës së Preshevës është shprehur që moti, më 1 e 2 mars 1992 dhe ai është i njohur për gjithë faktorët relevantë vendosës.

LPD me kohë ka shprehur qëndrimin e saj kundër ndarjes së Kosovës, si diçka e rrezikshme dhe destabilizuese për rajonin. Kurse këmbimi i territoreve si opsion i plasuar herë pas here nga disa qarqe edhe nga disa qarqe të ndryshme diplomatike mund të përkrahet vetëm nëse arrihet me marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, në të cilat biseda do të ishin të kyçur edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.

LPD kërkon nga qeveria e Kosovës dhe ajo Shqipërisë që të ndihmojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës ashtu siç bën Serbia me serbët e Kosovës, sepse gjendja e shqiptarëve të Luginës si ajo ekonomike sociale e sigurisë në arsim është e rëndë.

LPD apelon që urgjentisht Qeveria e Kosovës t’i heqë pagesat e polisave të sigurimeve të automjeteve të Luginës së Preshevës sepse në mënyrë ekstreme është kufizuar lëvizja e lirë. Në praktikë është duke ndodhur getoizimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

 

Nga kryesia e LPD-së

Jonuz Musliu – kryetar

SHPËRNDAJE