Qeveria e Kosovës përshëndet vendimin për rastin ”Kleçka”

Qeveria e Kosovës ka përshendetur vendimin e Trupit Gjykues për shpalljen e pavlefshme të dëshmive kryesore në rastin Limaj dhe të tjerët.

Zëvëndëskryeministri, Hajredin Kuçi tha pas mbledhjes së qeverisë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka qenë në përputhje me normat ndërkombëtare, duke shprehur bindjen për pafajësinë e deputetit, Fatmir Limaj. Ai tha se Limaj ka mbështetjen e plotë për t’iu kthyer jetës politike në vend.

Ndërkaq sot Trupi Gjykues ka shpallur të papranueshme të gjitha deklaratat dhe ditarët e dëshmitarit “X” në rastin ”Kleçka”. Siç dihet padia ndaj dhjetë ish-luftëtarëve të UÇK-së ishte ngritur nga prokuroria e EULEX-it, duke u bazuar në dëshmitë, e tani më të ndjerit Agim Zogaj, i njohur si dëshmitari “X”.

Hidhen poshtë deklaratat dhe ditarët e dëshmitarit X

Dëshmitë e Agim Zogajt, i njohur si dëshmitari X janë hedhur poshtë nga paneli i gjyqtarëve në rastin Klecka kundër 9 ish luftëtarëve dhe deputetit Fatmir Limaj. Të gjitha deklaratat, ekzaminimet dhe ditarët e X-it janë konsideruar si të papranueshme dhe janë vecuar nga shkresat e lëndës.
Gjyqtari ka kërkuar nga avokatët mbrojtës që ta përgatisin fjalën përfundimtare si dhe i është kërkuar prokurorit Maurizio Salustro që ta ndërroj aktakuzën apo të shtoj dicka tjetër nëse ka. Ai është përgjigjur se nuk ka cfarë ti shtoj pos asaj që ka bërë më herët.
Tashmë pritet fjala përfundimtar e trupit gjykues në këtë rast, që mund të jetë edhe fundi i procesit ende pa nisur gjykimi pasi X-i ishte dëshmitari kryesor në këtë rast.

SHPËRNDAJE