Deputeti Fatmir Limaj dhe tre bashkëluftëtarët e tij, Nexhmi Krasniqi Naser Shala dhe Naser Krasniqi janë liruar sot nga të gjitha pikat e aktakuzës në të ashtuquajturin rasti “Kleçka”.

 

Një trup gjykues i Gjykatës së Qarkut ne Prishtinë i përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe një vendor ka marrë sot aktgjykim lirues për katër të pandehurit.

Trupi gjykues në rastin “Kleçka”, ka shpallur të pa fajshëm për të gjitha pikat me të cilat akuzoheshin ish-luftëtarët e UÇK-së, deputeti i PDK-së Fatmir Limaj dhe tre bashkëluftëtarët e tij, Nexhmi Krasniqi, Naser Shala dhe Naser Krasniqi. Në arsyetimin e aktgjykimit lirues, trupi gjykues i përbërë nga dy gjykatës të EULEX-it dhe një vendor ka konstatuar se nuk ekzistojnë prova në bazë të të cilave katër të lartpërmendurit do të mund të behëshin përgjegjës për krimet e pretenduara nga prokuroria.

Deputeti fatmir Limaj, theksoi se se vendimi i sotëm i Gjykatës dëshmon se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë.

“Besoj që përfundimisht të gjithë ata të cilët kanë pasur fatkeqësisht dilema deri më tani edhe pas 12 viteve, shpresoj që kjo ditë e sodit dhe ky vendim tregon edhe njëherë qartë që lufta jonë çlirimtare ka qenë luftë e drejtë, e pastër, një luftë në shërbim të njerëzimit, jo vetëm të kombit tonë, një luftë e cila ka hapë perspektiven e rajonit. Asnjëherë nuk do të ishte Evropa sot, Ballkani ku është sot, e di që kanë dalë shumë pseudo-demokratë, por kurrë Ballkani nuk do të ishte i paq, i lirë dhe me shpresë drejt integrimeve evropiane po të mos ishte lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, e cila ishte promotori kryesor që e largoi përfundimisht regjimin kriminal të Serbisë dhe të Millosheviçit”, ka thënë Limaj.

Ai ka ripërsëritur atë se është krenar që ka qenë pjesëmarrës i luftës së UÇK-së, për të cilën ka kontribuar shumë dhe në shërbim të njerëzimit. Sipas tij, duke kaluar vitet po shihet se lufta e UÇK-së ka pas përmasa më të gjëra, se sa qëllimin e vetë për lirinë e shqiptarëve të Kosovës.

Kurse avokati i Limajt, Karim Khan, ka thënë pas seancës, se ky proces ka qenë shumë i gjatë, por në të cilin edhe njëherë vërtetohet se Limaj është i pastër për akuzat për krime lufte për të cilat akuzohet.
“Ashtu siç e keni përcjellë, ka qenë një proces i gjatë. Për të dytën herë Fatmir Limaj është liruar nga të gjitha akuzat dhe thëniet kundër tij për periudhën e luftës. Duhet të kujtohet se kur lufta filloi në Kosovë, Kosova është dashur të luftojë për te drejtat e veta, pavarësinë dhe lirinë”, ka thënë ai.

I gjithë procesi kishte filluar me dëshminë dhe ditarët e dëshmitarit bashkpunues Agim Zogaj i njohur si dëshmitari X, i cili para disa muajsh u gjet i vdekur në një park të Gjermanisë.

Pas shpalljes të papranueshme të ditarit të dëshmitarit X, trupi gjykues më 30 mars kishte shpallur të pafajshwm gjashtë nga të akuzuarit në këtë rast Arben Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku ,Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj, ndërsa kishte marrë aktvendim me të cilin rasti do të shkonte në rishqyrtim lidhur me deputetin Limaj dhe katër të tjerët të cilët tashmë akuzoheshin për përgjegjësi komanduese.

Me gjithë pretendimet e saj prokuroria nuk kishte arritur të provoj as këtë. Prokurori Mauricio Salustro ka paralajmëruar ankesë në shkallën e dytë. (rtk)

SHPËRNDAJE