Përgatiti Sadat MALIQI, hoxhë

Edukimi islam kërkon nga prindërit që fëmijëve të tyre t’ua tregojnë rrugën e Kur’anit dhe Hadithit lidhur me ndërtimin e besimit, moralit dhe mirësjelljes në qenien njerëzore dhe me rrugën e  ruajtjes nga amorali dhe skajshmëritë tjera. Bota perëndimore përkundër përparimit të madh material, parakushteve teknike-teknologjike që njeriu aktual më shumë t’i përkushtohet ndërtimit të tij moral e shpirtëror, megjithatë ka ra në krizë morale të përmasave të mëdha. Kjo lajthitje e madhe fetare e morale tregon se njeriu është larg udhëzimit hyjnor, përkatësisht po anashkalon dhe zhlerëson udhëzimin hyjnor në procesin e edukimit.

Kapërcimi i kësaj gjendjeje kërkon që edukimi fetar të kthehet te individi, në familje, në shkolla të të gjitha niveleve dhe në institucionet tjera. Po ashtu, edukimi nuk nënkupton vetëm mësimin teorik, por edhe aplikimin e tij. Arsimimi dhe edukimi duhet të ecin bashkë me individin dhe bashkësinë. Ngecja e njërit apo i tjetrit segment shpie ose në ateizëm ose në misticizëm.

Islami është rrugë e mesme dhe ndjek mesin. Skajshmëritë i dënon dhe gjykon si të pasuksesshme.

Tëhuajësimi dhe izolimi i njeriut, filozofia e absurdit, pakuptimësia, degjenerimi dhe pesimizmi janë karakteristika tipike të shoqërisë bashkëkohore dhe paralajmërime serioze për krizën shpirtërore dhe morale të njeriut bashkëkohor.  Këta tregues simptomatikë të krizës morale dhe apatisë spirituale të botës bashkëkohore janë të pranishëm dhe imanentë në të gjitha sferat e veprimtarisë njerëzore: art, teatër, film, letërsi, politikë, ekonomi, shkencë … E. From ka pohuar se ‘përkundër përparimit material, lirisë politike dhe seksuale, bota kah mesi i shekullit XX mentalisht është më e sëmurë se që ka qenë në shekullin XIX.’

Ndërsa tashmë, kur e kemi kaluar shekullin e XX dhe jemi në fillim të shekullit XXI, prej nga pakuptimësia, pesimizmi, anarkia morale që krijon vetëm breza të frustruar, të degjeneruar, të kompleksuar, që rrënojnë individin dhe shoqërinë.  Statistikat pohojnë se Suedia, Japonia, SHBA-të dhe shtetet tjera perëndimore me standard dhe progres materialo-teknik më të lartë, por edhe me shfrenim dhe rënie shpirtërore morale më të lartë, paraqesin vendet me përqindje më të lartë të suicidalitetit (vetëmbytjeve / vetëvrasjeve).

Shkaku i kësaj gjendjeje është ndikimi i kuazi-ideologjive dhe kuazi-lirive që po ofrohen dhe infiltrohen në thellësinë e shpirtit të njeriut dhe shpesh shpie në dehumanizimin e personalitetit, humbjen e vlerave etike, mungesën e kritereve normale për vlerësim objektiv të njëmendësisë etj. Nga ana tjetër, tëhuajësimi i njeriut nga vetvetja, tëhuajësimi nga vlerat e veta autentike, tëhuajësimi nga Zoti e të tjera, e privon njeriun nga baraspesha shpirtërore dhe mundësia e perceptimit dhe qëndrimit korrekt të lirisë autentike vetjake. Mohimi dhe përjashtimi i Zotit nga jeta individuale dhe shoqërore doemos bartësin e këtij mohimi dhe përjashtimi do ta shpie në kundërthënëshmëri, absurd dhe pakuptimësi, sepse qenia njerëzore, edhe pa dëshirën e saj, natyrisht e kërkon Krijuesin e saj, Zotin.

Prandaj, për edukimin si proces të formimit të personalitetit të atij që edukohet me të gjitha kualitetet fizike, intelektuale, estetike dhe të punës me synim të përgatitjes së tij të shërbejë për të mirën e shoqërisë dhe të vetvetes ka kuptim të flitet vetëm nga aspekti i fesë. Kurse edukimi edhe është pikërisht ajo kategori në të cilën manifestohet baraspesha e materiales dhe shpirtërores te njeriu dhe rreth njeriut, në të cilën zë fill stabiliteti i individit, i familjes, i bashkësisë e edhe civilizimit dhe në të cilën liria njerëzore nuk është sprovë, por dhuratë e Zotit. Natyrisht, ky është qëndrim jo nga aspekti materialist, ku deformohet personaliteti i të edukuarit duke e përjashtuar nga ai si qenie bivalente komponentën e tij shpirtërore, por nga aspekti shpirtëror, i fesë, i cili duke e konsideruar kompleksivitetin e qenies njerëzore dhe prejardhjen e tij që bazohet në Fjalën e Zotit, zhvillon dhe kultivon te njeriu i ri pikërisht ato vlera që njeriu i bartë si shenjë parazanafillore të Krijuesit të tij.


Burimet themelore të edukimit islam:  Kur’ani dhe Hadithi

Kur’ani dhe Hadithi janë dy burimet themelore për edukimin e njeriut. Ata mësojnë në principet, metodat dhe mjetet themelore të edukimit, duke theksuar funksionin edukativ si një ndër kategoritë thelbësore të shoqërisë njerëzore, kategoritë mbi të cilat zë fill stabiliteti dhe ekzistimi i një bashkësie.  çdo fëmijë me lindjen e tij ka predispozicionet për besim të drejtë. Është detyrë e edukatorit që me veprimin e tij edukues njeriun ta shpie në jetë në pastërtinë e vet natyrore , në rrugën e virtyteve, nderit dhe përkryeshmërisë natyrore, në të cilën udhëzon Kur’ani dhe Hadithi.

All-llahu i madhëruar thotë:  “O ju që besuat, ruane veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. …” (Et-Tahrim. 6).

Kushti i parë që fëmija ta fitojë një edukatë të mirë është shtëpia prindërore. Në te lindet, fiton përvojat e para, bindjet, shprehitë e mirësjelljes, të cilat shkallërisht transformohen në nevojat e tij mentale dhe fizike dhe përbëjnë bazamentin e personalitetit të tij të ardhshëm. Në hadithet e Muhammedit a. s. gjejmë mënyrë të hollësishme se çfarë duhet të jetë familja muslimane. Edukimi i tij duhet të jetë në bazën fetare, ku do të përfshihen devotshmëria, sinqeriteti  ndaj All-llahut, t’i ruhen mëkateve dhe të sendërtojnë detyrimet fetare. Madje, edhe kriter për përzgjedhjen e të fejuarve është edukimi , që nëpërmjet anëtarëve të ndershëm, besnikë dhe përparimtarë të ndërtojnë familje, bashkësi dhe shoqëri të shëndoshë. Për këtë qëllim Muhammedi a. s. urdhëron prindërit t’i mësojnë fëmijët e tyre me besim, shkrim-lexim, not, kalërim, shkathtësi luftarake dhe përdorimin e armëve dhe t’i ushqejnë me ushqim hallall. Kur’ani kërkon që fëmija të ushqehet me gjithithje deri në dy vite, sepse ai është i pazëvendësueshëm. Muhammedi a. s. thotë:

“Kush ushqehet 40 ditë me ushqim hallall, All-llahu e ndriçon zemrën e tij me dritë dhe e bën atë burim të urtësisë si në mendim ashtu edhe në vepra.”


Disa nga faktorët e edukimit të drejtë

El-Gazaliu, dijetari i njohur musliman, faktin se dija, urtësia, dashuria dhe butësia linden nga ushqimi hallall e shpjegon si vijon:  “Ushqimi hallall e pastron zemrën, e ndriçon atë dhe e aftëson për pranimin e njohjes: çdo gjë tjetër është e pavlerë në krahasim me edukimin islam. çdo gjë që e ka njeriu në këtë botë mund t’ia merrë djalli, t’ia djegë zjarri, t’ia vjedh vjedhësi, por edukimi i mirë dhe dituria është pasuri e amshueshme që na mbijeton në këtë botë, e sipas saj përcaktohet fati i përhershëm në botën tjetër.”  Rol të veçantë në edukim ka shembulli vetjak i prindërve. Fëmijët miratojnë thuajse çdo gjë që e shohin te prindërit apo te rrethi me të cilët komunikojnë. Muhammedi a. s. duke i këshilluar prindërit ka thënë:  “Prindi nuk mund t’i lë trashëgim më të mirë, më të çmueshëm dhe më të vlefshëm  fëmijës së tij se edukim të mirë.” “Kush ka vajzë dhe e edukon, e ushqen dhe shpenzon në mënyrën më të mirë në të pasurinë që i ka dhënë All-llahu, ajo për të do të jetë krahë i djathtë dhe i majtë ndaj zjarrit drejt xhennetit.”

“Fëmija është fryt i zemrës, një nga lulet aromatike të xhennetit.”

Omeri r. a., halif tejet racional dhe largpamës në veprime, në ankesën e një prindi se i biri është i padëgjueshëm ndaj tij, reagoi rreptë, duke e fajësuar prindin se nuk i ka plotësuar obligimet e tij ndaj fëmijës. çdo prind do të jetë përgjegjës individualisht për edukimin e fëmijës dhe çdo mosukses nuk do të mund ta arsyetojë me mungesë kohe, me padije, i zënë me tregti, me pleqëri, me rini.


Obligimi i prindërve për edukim të mirë ndaj fëmijëve është tredimensional:

1. Obligim prindëror ndaj fëmijëve për shkak të ardhmërisë së tyre më të lumtur e më të mirë;

2. Obligim prindëror ndaj vetvetes për shkak të përgjegjësisë vetjake për pasardhësit e tyre;

3. Obligim prindëror ndaj bashkësisë, sepse fëmijët tonë në të ardhmen janë anëtarë aktivë të bashkësisë shoqërore, kreatorë dhe organizatorë të jetës së saj.

Atmosfera në të cilën edukohet fëmija dhe fryma e edukimit duhet t’i shmanget pesimizmit, disponimit të errët dhe skajshmërive dhe duhet zhvilluar e kultivuar vlerat dhe virtytet me vlerë të përhershme. Ndërrimi i brezave është faktorë me rëndësi për edukim të drejtë dhe joharmonizimi i tyre sjellë shpeshherë rritjen e jazit dhe dezorientimin dhe lajthitjen e rinisë. Andaj zhvillimi i ndjenjës së përgjegjësisë te brezi i ri është me rëndësi esenciale. Vorbullat e jetës që do t’i paraqiten njeriut të ri në forma të ndryshme (nëpërmjet sportit, modës, muzikës, mediumeve të shkruara, elektronike, teatrit, programeve shkollore laiciste dhe antitradicionale, literaturës përgjithësisht dhe shumë formave të tjera, nuk do ta befasojnë njeriun e ri. Njeriu i ri do të jetë i armatosur me kundërarmët përkatëse dhe efikase – moralin e tij të fuqishëm kur’anoro-sunnetik, islam.

Pasojat e edukimit jo të drejtë

Të gjitha rreziqet që i paraqiten njeriut gjatë jetës kryesisht kanë një emërtues, e ai është epshi, instinkti i shfrenuar, degjenerimi moral. Nëse ai e infekton individin, do të infektohet tërë bashkësia. Për këtë arsye, edukimi duhet orientuar para së gjithash drejt administrimit të epsheve. Epshi duhet t’i nënshtrohet arsyes, e kjo do të bëhet nëse njeriu ndjek udhëzimin e All-llahut. Nëse epshi i shmanget arsyes, ai do të bëhet i vrazhdë, mizor, do ta humbë baraspeshën e vlerave njerëzore dhe do ta degradojë njeriun . Jemi dëshmitarë të realitetit se dominimi i epsheve çon në mëkate, krime të shumta. Në këtë rrafsh avanson prostitucioni dhe kurvëria me të gjitha pasojat e tyre mbi individin, familjen, bashkësinë dhe shoqërinë.

All-llahu i lartësuar thotë:

“Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe.” (El-Isra’, 32).

“Thuaj: ‘Zoti im i ndaloi vetëm të këqijat e turpshme, le të jenë të hapta apo të fshehta, ndaloi mëkatin, ndaloi shtypjen e tjetrit pa të drejtë. …” (El-A’raf, 33). “Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më pastër për ta … Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme ….” (En-Nur, 30-31). Etj.

SHPËRNDAJE