Presidenti Topi dhe Ministri britanik i Shtetit David Lidington shprehën rëndësinë e kapërcimit sa më të shpejtë të ngërçit politik nëpërmjet dialogut institucional dhe përmbylljes në mënyrë ligjore të procesit zgjedhor. Në një takim të zhvilluar sot në presidencë, ministri Lidington në drejtim të rivendosjes së dialogut institucional politik, theksoi rëndësinë e realizimit të reformave dhe plotësimit të kritereve të nevojshme, duke nënvizuar edhe njëherë mbështetjen e pakursyer të Britanisë së Madhe ndaj aspiratave integruese të Shqipërisë për në Bashkimin Evropian.

Nga e tij Kryetari i Shtetit shqiptar shprehu mirënjohjen për mbështetjen konstante të Britanisë së Madhe në konsolidimin e demokracisë dhe të institucioneve të pavarura si dhe për përmbushjen e ambicjeve integruese euro-atlantike të Shqipërisë.

Gjithashtu, Presidenti Topi theksoi se: “Si një nga partnerët tanë më të rëndësishëm e të ngushtë strategjikë, Britania e Madhe dhe përfaqësuesit e saj zyrtarë, kanë kontribuar vazhdimisht për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si dhe në përparimin e saj drejt familjes së madhe evropiane”.

Presidenti Topi dhe Ministri Lidington gjatë takimit prekën edhe çështje të Ballkanit, duke theksuar rëndësinë e rritjes së kontakteve nëpërmjet nxitjes së dialogut politik dhe bashkëpunimit rajonal në funksion të integrimit të përbashkët në strukturat euro-atlantike. Në këtë drejtim Ministri Lidington vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për qëndrueshmërinë afatgjatë rajonale dhe përmirësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë pa cënuar e duke respektuar integritetin territorial të çdo vendi balkanik.

SHPËRNDAJE