Liderët politik shqiptarë të Maqedonisë urojnë 28 Nëntorin

Liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni kanë uruar të gjithë shqiptarët dhe krerët e institucioneve të shtetit shqiptar me rastin e shënimit të 99 vjetorit të Ditës së Flamurit dhe pavarësisë së Shqipërisë.

http://www.botasot.info/img/tirana-me-flamuj.jpgKryetari i BDI, Ali Ahmeti, ka uruar kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi dhe kryeparlamentaren e Shqipërisë, Jozefina Topalli me rastin e ditës së flamurit 28 Nëntori.

“Kam nderin të ju uroj juve dhe të gjithë qytetarët shqiptar me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit, 28 nëntori. Në 99 vjetorin e kësaj dite të shënuar për të gjithë shqiptarët, 28 nëntori i vitit 2011 i gjen shqiptarët më të arrirë se kurrë dhe në rrugë të drejtë për t’u bërë një në Evropën e Bashkuar. Në prag të 100 vjetorit të pavarësisë, Shqipëria është vend anëtar i aleancës më të fuqishme botërore NATO, Kosova arriti të realizojë pavarësinë e merituar, ndërsa shqiptarët në Maqedoni janë të zot në vendin e vet. Lidhshmëria e mëtejmë me shqiptarët kudo që jetojnë në rajon e faktorizon kombin tonë në element konstruktiv dhe kyç për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe më gjerë. Të gjithë ne, bashkë do të punojmë drejt realizimit të qëllimeve të përbashkëta, integrimit të vendeve tona në NATO dhe Bashkimin Evropian”, thuhet në urimin e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti.

Gjithashtu theksohet se Ahmeti shpreh gatishmërinë e tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij që t’i bashkëngjitet Tiranës dhe Prishtinës në përgatitjet e përbashkëta për festën e madhe të të gjithë shqiptarëve në prag të 100 vjetorit të Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë”.

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi përmes telegramit ka shprehur urimet e tij në adresë të shqiptarëve, kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë Bamir Topi.

“Kam kënaqësinë që në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare t’iu uroj gjithë shqiptarëve Ditën e Flamurit. Kjo ditë e shënuar për të gjithë ne, ka qenë dhe mbetet simbol i bashkimit, unitetit, lidhjes, krenarisë, qëndresës dhe vendosmërisë së popullit shqiptar. Me krenari të madhe dhe besim të plotë uroj që këtë ditë ta kremtojmë në paqe dhe të ardhme më të mirë për shqiptarët kudo që jetojnë”, thuhet në mesazh.

Sipas telegramit, 28 Nëntori ka qenë dhe mbetet simbol i krenarisë, qëndresës dhe vendosmërisë së popullit shqiptarë.

“Kjo ditë historike jo vetëm që ka lënë gjurmë në historinë e shqiptarëve, por shërbën edhe si udhërrëfyese për një unitet sa më të madh brenda shqiptarë, duke kultivuar vlerat e mirëfillta kombëtare dhe demokratike. Kam kënaqësinë që në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare t’iu uroj gjithë shqiptarëve Ditën e Flamurit”, theksohet në fund të mesazhit.

Edhe kryetari i RDK-së, Rufi Osmani ka shprehur urimet e tij për shqiptarët me rastin e 99 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar dhe Ditës së Flamurit.

“Më 28 nëntor të vitit 1912, populli shqiptar kurorëzoi aspiratat mijëvjeçare duke bërë kthesën rrënjësore dhe historike për fatet e kombit të tij. Për herë të parë, edhe ndër shqiptarët triumfoi parimi i kombësisë, duke mbyllur kështu një epokë të shkëlqyer të rilindjes kombëtare, për t’u çelur brezave të ardhshëm rrugë të reja. Sot, pas 99 vitesh, ne jemi dëshmitarë të ndryshimeve rrënjësore në rajon dhe në botë, ku populli shqiptar jo vetëm që është pjesë, por edhe aktor i rëndësishëm i tyre”, thekson telegrami.

Siç nënvizohet më tej “Dita e Pavarësisë është dita e përjetësisë së një kombi, dita më e rëndësishme dhe më jetike për pjesëtarët e tij. Andaj, më lejoni që në emër të Rilindjes Demokratike Kombëtare dhe në emrin tim personal, të gjithë shqiptarëve t’ua uroj Ditën e Pavarësisë – Ditën e Flamurit”.

Mesazh urimi ka bërë edhe Bashkimi Demokratik Kombëtarë, duke uruar shqiptarët më rastin e kësaj feste.

“28 Nëntori është një festë e madhe për të gjithë shqiptarët, pasi në këtë datë edhe Skënderbeu në nëntorin e parë edhe Ismail Qemali në nëntorin e dytë, ngritën flamurin shqiptarë, për ti thënë botës se shqiptarët duan shtetin e tyre në trojet etnike. Por nuk duhet harruar se kjo datë lidhet edhe me ditëlindjen e Komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari, prandaj kemi më shumë se një arsye që të gjithë ne si komb, më 28 Nëntor të festojmë nën flamurin kuq e zi”, thekson BDK e Hysni Shaqirit.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni