Murat Jashari, përfaqësues i familjes Jashari, në emisionin “Press-ing” të KTV-së, ka folur për historinë e familjes Jashari nga Prekazi i Skenderajt, rezistencën dhe sakrificën e saj, lirinë e arritur dhe dëshpërimin me situatën në të cilën gjendet sot Kosova.

Murat Jashari ka folur edhe për idenë e bashkimit kombëtar, si dhe çështjen nëse ai do të kandidonte për president të Republikës së Kosovës.

Duke folur për liderët e sotëm të Kosovës, Murat Jashari është shprehur kritik për mungesën e progresit në ndërtimin e shtetit të lirë dhe demokratik, ndërsa ka thënë se udhëheqja e vendit do të duhej të rinovohet, meqë në botën demokratike liderët ndërrohen për të çuar vendin përpara.

“Pa dashur të hyjë në detaje, vlerësoj se udhëheqësit e Kosovës nuk duhet ta bëjnë gabimin e udhëheqësve të Shqipërisë”, tha Murat Jashari, duke aluduar në mungesën e ndërrimeve të liderëve në partitë politike shqiptare. Ai po ashtu ka thënë se sot, në Kosovë, askush nuk ka të drejtë të thirret në emrin e luftës.

“Sa më shumë të qëndrojnë, janë më të dëmshëm, krijojnë monopole dhe grupacione që nuk i kontribuojnë ndërtimit të një shoqërie demokratike. Nëse mendojnë se janë të pazëvendësueshëm e kanë shumë gabim. Madje ata që do të vijnë do të jenë edhe më të mirë, sepse janë shkolluar në shoqëri demokratike. Derisa kanë arritur të jenë profesorë, doktorë, zyrtarë të lartë, në Gjermani, në Francë dhe shtete të tjera të botës, atëherë pse ata nuk mund të zëvendësojnë liderët sotëm, që vlerësoj, dhe atë me gjuhën e popullit, se janë të shpenzuar”.

Murat Jashari ka thënë se ka kaluar koha e patriotizmit individual. “Patriotizmi individual duhet të shndërrohet në patriotizëm kolektiv, në patriotizëm të institucioneve që punojnë me përgjegjshmëri për ndërtimin e këtij shteti, ndërkaq ne si qytetarët duhet t’i respektojmë ato, të gjithë duhet ta respektojmë Kushtetutën”.

Shoqëria në Kosovë, sipas Murat Jasharit, duhet të ndryshojë të bëhet më demokratike. “Ne si qytetarë ende jemi të lidhur me individin – liderin, por është koha të lidhemi me plan-programin. Të gjithë merremi me politikë, por asnjëri nuk e dimë plan-programin e individit-liderit me të cilin jemi të lidhur. Shembull, në sytë tanë, Nicolas Sarkozy ka qenë një president i mirë, por ai gaboi diçka që nuk e rizgjodhi populli francez. Për një ‘skandal të vogël’ shkoi edhe presidenti gjerman. Edhe ne, nuk duhet të merremi gjithë ditën me politikë, por t’i përcjellim premtimet e liderëve dhe me votën e lirë, t’i shpërblejmë apo t’i ndëshkojmë”.

“Ne nuk mund të ecim kështu, duke degraduar lirinë që e kemi fituar. Sepse, dikush që nuk e ka pasur kurrë lirinë, nuk dinë as ta vlerësojë. Nuk mund të lejojmë që, shembull, një institucion siç është Policia, që për mua është pasqyra e shtetit, të degradohet, kur është ndërtuar me mund. E degradimi po ndodhë, kur brenda saj vidhet dhoma e dëshmive…”.

Murat Jashari ka thënë se kur po flitet për Shqipërinë Natyrale, menjëherë po ka reagime të individëve dhe strukturave të ndryshme për interesa të ndryshme. Ai ka thënë se Shqipëria pa të drejtë është ndarë 100 vjet më parë. “Unë si Murat mund të kem gjykimin tim, por si përfaqësues i familjes Jashari, nuk mundem dhe nuk guxoj të mendoj ndryshe, nuk mund të shkel amanetin dhe gjakun e derdhur për liri”

“Prej vitit 1999 rrethanat kanë ndryshuar, pasi nuk ia arritëm të vetëm ta fitojmë luftën. Për fat e fituam me ndihmën e miqve nga Perëndimi, dhe natyrisht ata ndikuan që kursi i udhëtimit tonë të ndryshojë. Nëse shikojmë nga një këndvështrim, shqiptarët edhe sot janë të bashkuar, por sidoqoftë, jeta është sfidë dhe rrugët e jetës nuk ndalen kurrë”.

Duke folur për familjen, Murat Jashari ka thënë se gjyshi i tij, Shaban Jashari, ishte gjeneratori i fryteve të familjes Jashari. Ai ka thënë se gjyshi i tij, ishte mësues, i cili nuk iu përshtat regjimit dhe u largua nga sistemi arsimor. Ai tha se prej tij kishte mësuar se penda dhe pushka janë armët më të forta që mund të kishte Kosova. “Penda nuk u mor parasysh, dhe i vetmi opsion mbeti pushka. Në këtë vend nuk është sakrifikuar vetëm familja Jashari, por edhe shumë familje tjera shqiptare”.

“Nga lufta kemi pësuar, por të mirat që i kemi fituar nga ajo, nuk kemi qenë aq të zgjuar që t’i shfrytëzojmë sa duhet. Sot, fatkeqësisht, lufta është evituar edhe nga Kushtetuta, madje disa liderë hezitojnë ta përmendin për të qenë mirë me një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare. Nuk them se këta liderë nuk ndjejnë emocion për Prekazin, për luftën, por është koha që të flasin me krenari për të, sepse lufta, jo veç që na solli lirinë në Kosovë, por ajo e ka ndihmuar edhe Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që jetojnë. Madje edhe shqiptarëve në Turqi, që kanë qenë të shtypur dhe asimiluar nga shteti turk, shqiptarëve kudo, ua ka ringjallur ndjenjat e afrimit me njëri-tjetrin, të afrimit me Kosovën”.

I pyetur se në rast se presidenti i Republikës do të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, a do të pranonte të kandidonte për këtë pozitë, Murat Jashari ka thënë se gjithmonë është i gatshëm të kontribuojë për vendin. “Nuk ka asnjë ambicie përveç asaj për ta parë Kosovën që po funksionon si shtet me shoqëri demokratike. Kam parë botën, kam takuar mbretër dhe presidentë dhe ndjehem se jam shumë më i respektuar në këtë pozicion. Nuk do të pranoja kurrë sa për të qenë president, përveç në rast se mendimi do të arsyetonte veprimin”, ka thënë ndër të tjera Murat Jashari, duke thënë se familja e tij është e të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë shqiptarët janë të familjes së tij./telegrafi

SHPËRNDAJE