Prishtinë, 14 prill

Në Prishtinë do të mbahet Panairi Ndërkombëtar i Librit në të cilin do të marrin pjesë shtëpi botuese nga Kosova e Shqipëria si dhe nga vendet e rajonit. Panairi do të mbahet nga data 4 deri me 8 maj. Ndërkaq ky panair organizohet për arsye që të afirmojë librin shqiptar jo vetëm në hapësirat shqiptare, por libri shqip të afirmohet edhe në botën e jashtme, në kontaktet me botuesit e huaj. Ndërsa qëllimi kryesor i këtij panairi është që të tërhiqet vëmendja e lexuesit të librit në letër. Në këtë panair do të marrin pjesë mbi 100 shtëpi botuese dhe pritet që të jenë rreth 1000 tituj. Ndërsa kryetari i Shoqatës së Unionit të Botuesve të Kosovës, Behxhet Bici, tha se ky panair do të organizohet nga Unioni i Botuesve të Kosovës dhe me ndihmën e kompanisë Nobel Events & Bussiness Consulting nga Prishtina. “Ky Panair do të sjellë shumë risi. Përveç që do të jetë panairi i parë ndërkombëtar i organizuar në Kosovë, në të do të marrin pjesë shumë vende nga rajoni si dhe nga bota. Në të do të ketë edhe mjaft debate dhe një ndryshim tjetër, për të cilin shpresojmë që të pëlqehet, do të jetë edhe pamja e panairit, e cila do të dallojë nga ato që kemi parë nga vitet e kaluara”, tha Bici.

Gjithashtu përveç shtëpive botuese nga Kosova dhe Shqipëria, në panair do të marrin pjesë edhe botues nga vendet e tjera, si Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina. Në panair do të ketë edhe promovim librash nga shkrimtarë të njohur dhe ata të rinj, si nga vendi ashtu edhe nga rajoni dhe bota. Çdo ditë do të ketë së paku një promovim. “Se sa tituj do të promovohen, varet nga botuesit. Ende është herët të flitet për promovimin e librave, por gati çdo ditë do ketë nga disa libra që do të promovohen” tha Bici. Përveç aktiviteteve të shumta që do e përcjellin këtë panair, titujt e ri do të jenë ata që do iu plasohen lexuesve shqiptarë në këtë panair, si nga shkrimtarë shqiptarë ashtu edhe nga shkrimtarë të huaj/bs

SHPËRNDAJE