Njëmbëdhjetë shkrimtarë e përkthyes nga Kosova do të marrin pjesë në Festivalin e Letërsisë “Vështrime në letërsitë e vogla” (Review of Small Literatures), i cili organizohet në Zagreb nga data 4-7 tetor 2011. Festivali organizohet nga klubi letrar “Booska” i asociacionit kulturor “Kulturtreger”.

Çdo vit, ky festival prezanton nga një skenë nacionale të letërsisë së shteteve të Evropës Juglindore, duke shënjestruar arritjet e saj dhe efektet e gjendjen politike në të. Sivjet, vëmendja dhe fokusi kryesor i festivalit do të jenë në letërsinë e re bashkëkohore kosovare, ku për tre net me radhë artistët do të lexojnë krijmet e tyre letrare.

Festivali, viteve të kaluara u kishte kushtuar shumë hapësirë letërsive ballkanase, si asaj ruse, boshnjake e serbe. Jeton Neziraj, njëri nga pjesëmarrësit, thotë se kjo është arritje e madhe për letërsinë kosovare, e cila rrënjët i ka shumë të thella. “Shpesh ka ndodhur që 2-3 pjesëmarrës të marrin pjesë, por 11 është numër i madh. Secili do të paraqesë mendimet e tij dhe mënyrën e të perceptuarit.

Do të ndeshet letërsia e re kosovare me ato rajonale”, shton Neziraj. Festivali, gjatë tre netëve letrare, do të mbajë edhe diskutime mbi gjendjen e tanishme të letërsisë, përparimin apo ngecjet e saj, si dhe do të organizohen panele mbi krahasimin e saj me tjerat letërsi ballkanike.

Poeti dhe publicisti Avni Rudaku, gjithashtu pjesëmarrës dhe i ftuar në festivalin në fjalë, tha se jo pa arsye është zgjedhur letërsia shqipe për t’u analizuar në nivel ndërkombëtar.

“Luftërat e tmerrshme në Ballkan interferuan në të gjitha sferat e jetës së interaksioneve ndërmjet fqinjëve dhe kombeve. Ato prekën edhe shkëmbimet dhe marrëdhëniet në mes të letërsive kombëtare letrare.

Prandaj, ky prezantim në Zagreb është i vlefshëm për shkak të fillimit të arratisjes së letërsisë nga nacionalizmi përjashtues në zhvendosjen e vlerave letrare në planin ideo-artistik”, pohon Rudaku.

Një bashkëpunim i tillë midis shkrimtarëve e përkthyesve shqiptarë dhe atyre kroatë ka ndodhur për shkak se këto dy vende i kanë mjaft të rregulluara relacionet si në aspektin politik ashtu edhe në atë kulturor e artistik.

Të ftuar për të qenë pjesë e këtij festivali janë: Avni Rudaku, Arben Idrizi, Shpëtim Selmani, Genc Kadriu, Jeton Neziraj, Ervina Halili, Ballsor Hoxha, Halil Matoshi, Qerim Ondozi, Shkëlzen Maliqi e Ardian Haxhaj.

SHPËRNDAJE