Një tjetër shkrim negativ për Kosovën. Kësaj radhe është gazeta e njohur franceze, Le Monde që boton një shkrim për Xhavit Halitin, bazuar në një raport të shërbimit intelegjent të KFOR-it të vitit 2004, ku flet për natyrën e rrezikshme të Halitit, lidhjet e tij me SHIK-in, krimin dhe afera të tjera.

Shkrimi “Fytyra tjetër e Kosovës”, të cilin e transmeton Indeksonline, shpjegon se shërbimi intelegjent i KFOR-it ishte fokusuar shumë në aktivitetet e të fortëve të Kosovës, ndërsa Xhavit Haliti, ishte njëri prej tyre, si ish themelues i UÇK-së dhe drejtues i lartë i PDK-së. “Sot është një biznesmen i fortë, anëtar i partisë së Hashim Thaçit, dhe anëtar i kryesisë së parlamentit”, shkruan gazeta.

Por, bazuar në këtë dokument, Xhavit Haliti i njohur si Zeka, ka edhe anën tjetër: njëri prej sponsorëve të mafisë kosovare, që gjithashtu ka një ndikim të madh në politikë. Dhe nuk është i vetmi për këtë rol të dyfishtë në elitën politike kosovare, e dominuar nga ish liderë të UÇK-së dhe të shërbimeve të ndryshme sekrete.

Bashkësia ndërkombëtare, shkruan më tej gazeta, është informuar vazhdimisht edhe në detaje për “anën e errët” të të fortëve të UÇK-së. Së paku, janë zyrtarët e intelegjencës që nuk kanë kurrfarë dyshimi për aktivitetet e tyre ku shumica e liderëve të Kosovës janë të kyçur: të gjitha llojet e trafikimit, komplote, krim të organizuar të lidhur edhe me rajonin, reketim, frikësim likuidim të kundërshtarëve etj.

Shkrimi më tej hedh hije dyshime për vërtetësinë e provave të Dick Martyt se UÇK-ja ka trafikuar organe në 1999, por faktet e tjera që i lidh ata me krimin e pasluftës ekzistojnë. “Nëse jemi për t’i besuar raportit të shërbimit intelegjent të KFOR-it në vitin 2004 (informata që janë përfshirë edhe në një analizë tjetër të shërbimit gjerman muaj më vonë), Haliti shfaqet i ndërlidhur me shumë rrugë si Zvicër, Prishtinë e Shqipëri”, shkruan gazeta.

Në raportin e intelegjencës së KFOR-it, thuhet se është i lidhur me kafe Dubrovnik (Dardania, Prishtinë); Hotel Theranda, Prizren. I lidhur me grupet ku i takon shpesh në restorantin Thana, ndërmjet Pejës dhe Prishtinës. “Anëtar i bordit të Petrol Company, njëri prej liderëve kryesor kriminal në Kosovë; Ka shumë dyqane dhe restorante në Pejë; Së fundi është raportuar se është anëtar i SHIK-ut.

Në raportin e Le Monde, ku botohen pjesë të raportit të KFOR-it theksojnë se “Ka fjalë që thonë se ai kishte lidhje edhe me UDB-në (shërbimi sekret serb), ku i informoi ata për destinimin e armëve për FARK-un (fraksion ky i lidhur me Ibrahim Rugovën). Ai ishte i lidhur me frikësimin e anëtarëve të LDK-së përmes SHIK-ut. Thuhet të jetë një multi-milioner. Fondi” Vendlindja Thërret” është menaxhuar pothuajse prej tij. I përfshirë shumë në prostitucion, trafikim armësh, drogë dhe gjithashtu me naftë. Është i lidhur me Fatos Nanon. Ai e mbështet financiarisht Hashim Thaçin dhe merret me financat e PDK-së.”, thuhet në raportotet e KFOR-it të botuara nga gazeta franceze.

SHPËRNDAJE